E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Lëvizja prej kamikazi e Boris Johnsonit. Kështu Mbretëria rrezikon shumë

Një lëvizje prej kamikazi. Një bast i paprecedentë, ai i Boris Johnsonit: që mund ta çojë drejt një Brexit-i të suksesshëm sipas kushteve të tij; ose t’i japë një goditje vdekjeprurëse ekuilibrit të brishtë kushtetues, mbi të cilin mbahet Mbretëria e Bashkuar. Ndoshta Johnsoni nuk kishte zgjedhje tjetër. Partitë opozitare sapo ishin dakordësuar që të përpiqeshin të bllokonin në Parlament një dalje të mundhsme pa marrëveshje. Por kjo do të nxirrte jashtë loje levën kryesore të presionit, që Boris është duke përdorur ndaj BE-së, për ta bindur që të rishikojë kushtet e divorcit; pikërisht pra, kërcënimi i një ndarjeje traumatike. Tani, kryeministri britanik ka djegur urat prapa vetes: Brukseli nuk mund të shpresojë në një manovër korridoresh të partive opozitare, duhet ta marrë seriozisht.

Kjo do të thotë që Brexit pa marrëveshje është i pashmangshëm? Nuk është e thënë. Përkundrazi, Johnson mund të përdorë forcën e negociimit për një “demokraci të pezulluar”, që të bindë evropianët të rihapin tratativat: dhe në fund të paraqesë në Parlament, në fund të tetorit, një marrëveshje të rishikuar dhe korrigjuar, e cila mund të marrë miratimin e deputetëve. Duke siguruar kështu në 31 tetor, një Brexit “të rregullt”.

Ajo që në fakt duket qartë, është se lëvizja e fortë e Boris Johnsonit ka acaruar një krizë kushtetuese, që Mbretëria e Bashkuar po e përjeton prej 3 vitesh. Këtu nuk ka një Akt themelor të shkruar, ashtu si në të gjitha demokracitë: prej shekujsh ecet përpara me zakone, precedentë të kolauduar, zakone të konsoliduara. Një mekanizëm që ka garantuar evolucionin e ngadaltë dhe konstant të Britanisë së Madhe, pa ndarje traumatike: por që tani, po vihet në një provë të vështirë për shkak të Brexit. Referendumi i vitit 2016 vendosi parimin e sovranitetit popullor, përballë atij të sovranitetit të Parlamentit, mbi të cilin mbahet arkitektura politike britanike. Më pas, u pa përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, ku pati madje edhe rikthim në procedura të viteve 1600. Tani Johnson ka futur në lojë edhe Kurorën, duke qenë se ka kërkuar miratimin e Mbretëreshës për të pezulluar Parlamentin. Elisabeta nuk mund të refuzonte, por u vendos në një pozicion të sikletshëm, e detyruar të merrte një vendim “politik”.

Dhe roli i Kurorës, gjithmonë mbi palët, është arkitrau ku mbahet e gjithë ndërtesa. Prishja e tij do të thotë rrezik për shembjen e të gjithë ngrehinës që është Mbretëria e Bashkuar.

La Repubblica – Bota.al

Të fundit