Ministria e Jashtme e Kosovës e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se ka ofruar ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes së Kosovës, pas një shkrimi në një portal të Republikës së Afrikës Qendrore, që përfshinte ministren e Jashtme, Sylvie Baipo Temon, dhe një “Këshilltar të Posaçëm të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që Qeveria serbe ka instaluar korrupsionin dhe ryshfetin si mjete diplomatike për të pranuar dokumente të falsifikuara që nuk shërbejnë asgjë, por vetëm për përshkallëzimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, tha ministria e Jashtme e Kosovës në deklaratë.
Aty thuhet se Kosova është përballur në tre vitet e fundit, me një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
“350.000 euro në këmbim të një note diplomatike”
Në shkrimin e portalit „Corbeau News Centrafrique” të datës 25 gusht, thuhet se një „këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm serb“, u takua me ministren e Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon, në Paris gjatë muajit korrik të vitit 2019, dhe i ka ofruar asaj “200 milion franga të Afrikës Qëndrore (rreth 350.000 euro) në këmbim të notës së tërheqjes së pavarësisë së Kosovës.
Ky “këshilltar” që dyshohet se ofroi ryshfet, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, është Vladimir Cizelj, këshilltar i posaçëm i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Autoritetet e Kosovës kanë dyshime në origjinalitetin – jo vetëm të notës për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Republika e Afrikës Qendrore – por edhe të gjitha tërheqjeve të mëparshme, dhe pretendojnë se ishin dokumente të falsifikuara, në të cilat, sipas tyre, ka qenë i përfshirë Vladimir Cizelj.
“Askush nuk mund të injorojë faktin që këto nota janë shkruar dhe përgatitur në Beograd. Të gjitha dokumentet që janë paraqitur nga Daçiq dhe janë dorëzuar nga Cizelj, janë i njëjti tekst”, ka thënë Jetlir Zyberaj, shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm të Kosovës.
Më 27 korrik, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë një interviste për transmetuesin publik të Serbisë, tregoi një dokument që pretendohej se ishte nënshkruar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Afrikës Qendore, Sylvie Baipo Temon, përmes të cilit tërhiqej njohja e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje, për këtë rast, ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij raporti.
Kush është Vladimir Cizelj?
“Këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë (Ivica Daçiq) është i njohur për historinë e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet kriminale jashtë Evropës”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Institutin “Vlatacom” me qendër në Beograd, në lidhje me rolin e Cizelj në fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje nga ana e këtij Instituti.
Cizelj është një nga themeluesit dhe drejtorët e këtij Instituti.
Faktin se Vladimir Cizelj ishte punësuar si Këshilltar i Posaçëm në ministrinë e Jashtme të Serbisë, e dëshmon edhe një dokument i Kombeve të Bashkuara, ku emri i tij është në listën e delegatëve të Ministrisë serbe, si pjesëmarrës në një konferencë për migracionin të organizuar nga Kombet e Bashkuara, në dhjetor të vitit 2006.
Vladimir Cizelj, është shtetas slloven, dhe emri i tij ndërlidhet me disa çështje në Serbi.
Ai përmendet në të ashtuquajturën aferën “Valixhe” të vitit 2006, kur zëvëndësguvernatori i atëhershëm i Bankës Kombëtare të Serbisë, Dejan Simiq, dhe një zyrtar i Partisë Socialiste, Vladimir Zagradanin, u arrestuan me akuzën e ryshfetit, për gjoja kthimin e licencës së punës që Banka Kombëtare e Serbisë i kishte bërë Bankës Kredituese të Eksportit (KEB).
Ky arrestim dyshohet se ndodhi 15 minuta pasi Ivica Daçiq doli nga banesa e Simiq.
Vladimir Cizelj ishte një aksionar i Grupit “TBI” që e kishte në pronësi Bankën Kredituese të Eksportit.
Të gjithë akterët e kësaj afere u liruan në vitin 2011.
Në vitin 2012, mediat raportuan se kompania e Vladimir Cizeljit “Vlatacom”, kishte dorëzuar pajisje për takimin ndërkombëtar të sportit “Universiada” në Beograd, një vit e gjysmë pasi u mbajtën aktivitetet e këtij organizimi.
Kontrata për blerjen e pajisjeve me kompaninë “Vlatacom” ishte nënshkruar nga Ministria e Brendshme, e cila në atë kohë drejtohej nga Ivica Daçiq.
Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës, në deklaratën e saj thotë se Cizelj ishte përfshirë në një skandal të njohur në Botsvanë të Afrikës së Jugut, për shitjen e sistemeve të enkriptimit, nëpërmjet marrjes së ryshfetit nga zyrtarë të lartë të qeverisë.
Por, ky vend e kishte mohuar që ka kontraktuar kompaninë “Vlatacom”.
Është interesant fakti se “Vlatacom” me qendër në Beograd, inicoi një takim të përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë dhe atyre të Botsvanës më 2017-të në Beograd. Në këtë takim u deklarua, mes tjerash, se “mbështetja e Botsvanës në përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial në Kosovë” është një bazë e mirë për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet të dyja ministrive.
Kompania “Instituti Vlatacom” zhvillon produkte kompjuterike, siç janë sistemet për lëshimin e dokumenteve biometrike personale dhe të udhëtimit, sistemet për vërtetimin e identitetit, kontrollin e trafikut, e të tjera.
Sipas të dhënave nga raporti financiar i vitit 2018, Vlatacom është pronar i “Qendrës VT” në Beograd, dhe i firmës Vlatacom në Botsvanë, dhe se prodhimet e saja për kontroll automatik të dokumenteve të udhëtimit, dhe regjistrave të pasagjerëve përdoren në vendkalimet ndërkombëtare në Serbi, Nigeri dhe Moldavi.
Disa institucione shtetërore në Angolë, Botsvanë, Nigeri, Irak dhe Sllovaki, raportohet se gjithashtu se përdorin pajisjet e zhvilluara nga “Vlatacom”.
Lidhjet e Rusisë me Republikën e Afrikës Qëndrore
Në vitet e fundit, Rusia e ka forcuar ndikimin e saj në Republikën e Afrikës Qendrore. Në muajin gusht të vitit të kaluar, ajo nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me atë vend.
Më 24 prill të vitit 2019, nënshkroi një marrëveshje tjetër, për krijimin e një zyre përfaqësimi të Ministrisë së Mbrojtjes ruse në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Afrikës Qendrore, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit midis ushtrive të dy vendeve.
Në qershor të vitit 2018, gazeta franceze “Le Monde” publikoi një tekst në lidhje me shkuarjen e oficerëve të inteligjencës ruse në Republikën e Afrikës Qendrore, për të trajnuar ushtrinë lokale.
Sidoqoftë, bashkëbiseduesit e kësaj gazete franceze thanë se ata ishin “mercenarë” të kompanisë ushtarake private ruse “Wagner”, të cilën mediat e ndërlidhin me Yevgeny Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Një muaj më vonë, më 30 korrik të vitit 2018, tre gazetarë rusë u vranë në Republikën e Afrikës Qendrore.
Ata përgatiten një dokumentar në lidhje me aktivitetet e njësisë paramilitare të diskutueshme ruse “Wagner”, dhe për pjesëtarët e së cilës, gjoja se kanë luftuar në Ukrainë dhe Siri.
Ministrja e Jashtme e Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon, mori detyrën në dhjetor të vitit 2018.
Në tekstin e portalit “Corbeau News Centrafrique” thuhet se vendimin për tërhiqjen e njohjes së Kosovës ajo e mori krye në vete, pa u konsultuar fillimisht me zyrtarë të tjerë të shtetit – para së gjithash me presidentin e vendit, dhe se mbështetet në përkrahjen e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë, në korrik të këtij viti, ka shkruar për rolin e Rusisë, në fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Shkrimi bazohej në një marrëveshje bashkëpunimi, që kishte nënshkruar Rusia me vende të ndryshme, para se ato të u dërgonin autoriteteve serbe notën e tërheqjes së njohjes për Kosovën.
Që nga viti 2017, Serbia ka bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Ministria e Jashtme e Serbisë thotë se 15 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës deri më tani.
Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, deklaron se qëllimi i tij është të zvogëlojë numrin e vendeve që e njohin Kosovën si shtet të pavarur në 96, numër ky që përbën gjysmën e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare.
“Kur ai numër bie në 96 dhe më poshtë, unë mund të konsideroj se kam përfunduar atë që kam premtuar”, ka thënë Daçiq.
Zyrtarët e Kosovës, nga ana tjetër, vazhdojnë të akuzojnë Serbinë për përdorimin praktikave korruptive, shitjes së armëve dhe marrëveshjeve për heqjen e vizave me vende të ndryshme, për të kundërshtuar Kosovën. Institucionet e Kosovës thonë se me këto fakte i kanë njoftuar edhe zyrtarët në Bruksel./REL