E diel, 8 Shtator, 2024

QEVERIA PREMTON MILIARDA INVESTIME, EKSPERTËT SKEPTIKË

Kryeministri Zaev ka deklaruar se në Maqedoninë e Veriut do të investohen 5 miliardë euro. Ekspertët shprehen skeptikë. Dinamikat e deritashme të investimeve këto pritje i kthejnë në kufijtë e dëshirave “fantastiko-shkencore”.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Në kohën kur regjistrohet trend në rënie i investimeve, kryeministri Zaev ka bërë të ditur se në Maqedoninë e Veriut do të pasojë një cikël investimesh në vlerë prej 5 miliard eurosh. Një shumë që duket e pakapshme për ekspertët e ekonomisë, të cilët theksojnë rënie të dukshme të investimeve.

Dinamikat e investimeve në dy vitet e fundit, duket se këtë prononcim dhe këtë pritje të kryeministrit e bëjnë të pabazuar. Ekspertët flasin për “vërtetësinë” e kësaj deklarate, gjithnjë duke pasur parasysh shumën marramendëse dhe duke pasur parasysh gjithë investimet brenda një harku kohor mbi dy dekada.   

Profesori universitar, Harun Tahiri, shprehet skeptik rreth vërtetësisë dhe realizimit të investimeve. Sipas tij, trendi i investimeve në Maqedoninë e Veriut dukshëm ka rënë. Kryeministri Zoran Zaev përmes një postimi në Facebook njoftoi se në Republikën e Maqedonisë së Veriut pason një cikël investimesh në vlerë prej rreth 5 miliardë eurove. “Një miliard parashikohen për rrugë, mbi një miliard për hekurudhat, mbi një miliard në energji – me HC Çebren, largëpërçuesin për në Shqipëri si dhe për gasifikim. Po investojmë edhe në një Qendër të re Klinike, në bujqësi dhe zhvillim rural, në impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, impiante rajonale për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave, sistemet e ujësjellësit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza, shkolla dhe kopshte si dhe projekte të tjera për nevojat reale të të gjithë qytetarëve”, shkruan Zaev në postimin e tij në Facebook. 

Për profesorin universitar, Harun Tahiri, kjo deklaratë është e mirëpritur tek popullata, por për vërtetësinë e saj ai shprehet skeptik, sepse shumën prej 5 miliardë eurove Maqedonia nuk e ka. “Maqedonia prej viteve të pavarësisë deri më sot nuk e ka atë shumë por është një deklaratë e kryeministrit dhe sigurisht ai ka të dhëna, më së shumti është i fokusuar në autostradë, hekurudha, gazifikim dhe në dy klinika. Por është çështja e strukturës së investimeve problem sepse si investim nuk është vetëm çështja e realizmit të mjeteve por sa do të jetë kapaciteti institucional që të arrihet të bëhen përgatitjet teknike në realizimin e këtyre projekteve”, thekson Tahiri. 

Sipas Tahirit, trendi i investimeve në Maqedoninë e Veriut ka rënë. Ai thekson se në vitin 2019 në buxhetin e shtetit janë paraparë 423 milionë euro dhe vetëm në 3 mujorin e parë kemi 26 milionë apo diku 6.4 investime, që siç shpjegon ai, flitet për një rënie të thellë mes planifikimit dhe realizimeve. “Në vitin 2018 planifikimi i investimeve nga buxheti i shtetit 380 milionë euro, u bë shkurtim përmes rebalansit 300 milionë, kurse realizimi u bë vetëm 200 milionë, pra gati gjysma e atyre të cilët u planifikuan dhe erdhi një diskrepancë mes planifikimit të mjeteve dhe realizimit të tyre. Në vitin 2019 janë të parapara në buxhetin e shtetit 423 milionë, vetëm në tre mujorin e parë kemi 26 milionë që diku janë 6.4 që tregon një trend në rënie mes asaj që është planifikuar dhe asaj që realizuar”, shprehet Tahiri. 

Ministria e Financave në raportin më të fundit publikoi se në gjashtë muajt e pare të këtij viti janë shpenzuar 86 prej 422 milionë eurove. Këto shifra nuk shkojnë në favor të pritjeve të qeverisë. Për gjysmë viti janë investuar vetëm një e pesta e parave të parashikuara për projekte kapitale. Vitin e kaluar pa u shfrytëzuar mbetën plot 200 milionë euro për investime kapitale. Një pjesë e këtyre parave, 50 milionë euro me rebalancin e buxhetit qeveria ua ndau komunave për shlyerjen e borxheve të vjetra

Të fundit