E diel, 3 Nëntor, 2024

(Vetë)eutanazioni i PSP-së

Nëse nuk kthehemi aty ku është bërë gabimi te drejtësia selektive, atëherë do të vazhdojmë të përmbytemi, siç thotë një fjalë, në furtunën e një gote! Fillimi i ri, na pëlqeu ose jo, është një falje jo selektive e të gjitha rasteve të politizuara, dhe nga “Dita Zero” të fillojë përnjëmend sundimi i së drejtës.

 

Shkruan: Daut Dauti

 

E di se shumëkush që ka qejf të shohë dike në burg nuk do të pajtohet. Nuk pajtohem as unë me këtë lloj realiteti ose më këtë shthurje sistemi, por nuk jam fajtor. Fajtorë janë të tjerët të cilët krijuan këtë situatë.

E kuptoj Lençe Ristovskën që doli një ditë pasi shefja e saj dha dorëheqje se të gjitha lëndët e PSP-së do të vazhdojnë, e kuptoj se të gjetur pa kokë, një gajret t’ia japësh vetes nuk është keq. Por, siç do të thoshin “më të interesuarit” në këtë moment, ata që kanë pritur në pritë marrjen në thua të këtij institucioni, pra, ata të VMRO-së, PSP-ja tashmë është institucion i vdekur! Jo se dha dorëheqje Katica Janeva, po pse emri i saj po përfolet për skandalin më të madh të reketit medial e korruptim te ne që ka ndodhur ndonjëherë.

Për shkak se duhet të respektohet prezumcioni i pafajësisë, askush s’duhet të shpallet fajtor për diçka që ende nuk është dëshmuar, por humbja disa ditëshe nga sytë e publikut dhe marrja e telefonit të saj nga Prokuroria publike, flet për teposhtëzën që ka marrë karriera e Katicës por dhe i institucionit të saj.

Ky erozion pak lidhet me rrethanat e përgjithshme, ku ka faj qeveria, e pak edhe me fajin e vetë PSP-së.

Ka nevojë që ta kthej vëmendjen në atë që e pata shkruar më parë disa herë: në zbatimin e drejtësisë selektive. Faji i përgjithshëm qëndron në rrethanat dhe domosdonë që Maqedonia ta rrumbullakonte ndryshimin e emrit, si një projekt madhor për të hapur dyert e integrimeve euroatlantike. Pasi në referendum nuk u arrit censusi, gjithçka duhej të bëhet përmes parlamentit, ku shumica parlamentare nuk i kishte “numrat” e 2\3 të votave dhe me këtë kryeministri Zaev u gjet në pozitë të vështirë. Ai me guximin e një burrështetasi, njësoj siç arriti marrëveshje me Ciprasin për ndryshimin e emrit, ofroi një zgjidhje: pajtim.

Pajtim kombëtar mbase. Gjëja e parë që të shkonte ndërmend është t’ia shtrish dorën oponencës politike, por që konkretisht, ajo kishte hallin e gjykimeve, dhe pajtimi s’mund të bëhej ndryshe pos me ndonjë modus faljeje. Mirëpo, i shtrënguar midis presioneve ndërkombëtare që të luftohet krimi, korupcioni dhe keqpërdorimet e pushtetit te qeveria e kaluar dhe te kjo e tashmja, ai bëri gabimin më të madh: ofroi falje selektive. Pavarësisht se u vu një kriter, falja i kapi personat që nga tabori i VMRO-së kaluan në anën e shumicës parlamentare për të votuar ndryshimet e emrit, edhe pse disa prej tyre gjykoheshin për vepra njësoj si Gruevski, e disa për përgatitje grushtet(27 prilli). Rezultati dihet: këta për të cilët pati nevojë (pu)shteti, në këtë apo atë mënyrë, përmes pajtimit, u liruan nga akuzat, kurse të tjerë përfunduan në burg për vepra edhe më të vogla ose ikën jashtë.

Këtë sleketivietet e pata vënë në dukje si një të keqe të zbatimit të drejtësisë, por si duket agjenda e kërkonte këtë dhe askush nuk e mori seriozisht sa është i dëmshëm zbatimi selektiv.
Nga ana tjetër, atë që e dinte publiku, edhe PSP-ja u gjet në situatë të vështirë, sepse disa klientë të saj, për të cilët kishte nevojë “momenti”, herë futeshin në paraburgim, e herë dilnin. Diçka që dukej paksa e çuditshme, pavarësisht nga ky kontekst që mori tash me aferën e Boki 13-shit. Por ky nuk është gabimi më i madh i PSP-së.

Më i madhi është se jashtë afatit ligjor ka ngritur disa lëndë dhe ato qenë procesuuar, edhe pse si do të marrë qëndrim Gjykata Supreme me kërkesë të avokatëve, ato janë ngritur nga institucion i paautorizuar. Nëse një institucion që është themeluar të mbrojë drejtësinë dhe shkel vetë ligjin në bazë të cilit funksionon, si mund të zbatojë drejtësi dhe si t’i besohet. Kur këto vërejtje i adresoheshin PSP-së, ajo sillej si të ishte mbi ligjet. (Për punën e saj disa vjeçare, ende nuk ka raport për punën e saj që të kalonte na parlament, edhe pse është shkruar edhe për shenzime marramendëse mjetesh buxhetore pa i dhënë llogari askujt!).

Nëse përkrahja politike e brendshme dhe e jashtme i bëri “të paprekshëmÇ prokurorët e këtij institucioni, mosrespektimi i procedurave prej saj(nfritja e disa lëndëve jashtë afatit), është para së gjithash përgjegjësi e tyre.

Dikush nga publiku ka bërë “tifo” në stilin “Ani çka!?”, le të ngrisë padi edhe jashtë afatit ligjor, por me këtë harrojnë se sundimi i të drejtës bëhet në bazë të respektimit të kushtetutës dhe ligjeve, e jo sipas qejfeve. E fundit që mund t’i vë kapak eutanazionit të Prokurorisë Speciale është pikërisht kjo afera e reketit medial ku dyshohet edhe në involvimin naiv të Kryeprokurores speciale, Katica Janevës, gjë që s’ka mbetur tjetër, pos PSP-ja të bëhet një “departament” nën prokurorinë e përgjithshme publike, ose gjithçka t’i lehet në dorë Vilma Ruskovskës.

Sepse rënia është nga nuk pritej dhe e përgjithshme. Më nuk bëjnë përshtypje “përshtypjet artistike” të dikurshme të konferencave emotive për shtyp. Nuk besoj se opozita, funksionarë të së cilës ndiqeshin nga PSP-ja, pas këtij erozioni të sundimit të së drejtës do t’i japë përkrahje ringritjes së saj.

Në anën tjetër, Maqedonisë së Veriut i nevojitet një fillim i ri! Si? Nëse nuk kthehemi aty ku është bërë gabimi te drejtësia selektive, atëherë do të vazhdojmë të përmbytemi, siç thotë një fjalë, në furtunën e një gote! Fillimi i ri, na pëlqeu ose jo, është një falje jo selektive e të gjitha rasteve të politizuara, dhe nga “Dita Zero” të fillojë përnjëmend sundimi i së drejtës.

Të fundit