E diel, 3 Nëntor, 2024

Ilir Meta, ky Mic Sokol me kostum banjoje

Shkruan: Edi Rama*

 

Kurrë mos e ndalo kundërshtarin që po gabon”, na mëson Napoleon Bonaparti.

Por sot, ne nuk jemi mbledhur këtu të ndalojmë një kundërshtarin tonë.

Si kundërshtar i kësaj shumice qeverisëse, Ilir Meta nuk duhet ndaluar, në qorrmarshimin e tij vetëmohues, drejt një vetëshkatërrimi sa unikal, aq edhe të trishtueshëm në historinë politike të këtij vendi.

Politikisht, ai na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit, pasi njerëzia e shohin tanimë krejt lakuriq të vërtetën e armiqësisë së egër të Ilir Metës ndaj shumicës sonë qeverisëse; jo aq për shkak të pushtetit të humbur të LSI-së, se sa për shkak të humbjes së çdo pushteti mbi Reformën e Drejtësisë; hiçfare për gjithë sa ai artikulon, gjithnjë e më pa kontroll, duke ekspozuar tërë pafuqinë e dëshpërimit të vet, po për gjithë sa nuk thotë, i dëshpëruar prej frikës që e ka pushtuar dhe nxjerrë jashtë kontrollit, krejt qenien e tij.

I kam ndjekur me një ndjenjë mëshire, budallallëqet e Fallxhores Monikë dhe akrobacitë e Artistit Lul, së bashku me kllounëritë e Haxhiut Ilir, që nga shfajësimet e hatashme për disfatën e tyre, deri tek fajësimet e dëshpëruara në adresën tonë, lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje e me raportin paraprak të misionit të ODHIR-it.

Fatmirësisht, e kam ditur dhe e kam thënë disa herë gjatë fushatës, se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet me dhunë, do të rezultojë një vrimë në ujë dhe ata do të shpallin fitoren e radhës, duke numëruar si mbështetës të revolucionit imagjinar, shqiptarët jashtë shtetit, shqiptarët në plazh, shqiptarët në shtëpi. E vetmja gjë që s’kam menduar, është se edhe ata do t’i numërojnë gabim, 7X7 42!

S’ka më keq për humbësit, se sa të sillen si fitimtarë dhe s’ka më mirë për fituesit, se sa humbësit që s’e kuptojnë dot pse kanë humbur – premisë e sigurtë kjo, që fituesit të vazhdojnë të fitojnë dhe humbësit të vazhdojnë të humbasin!

85% e popullit refuzoi Ramën, thonë të shkretët dhe janë po këta që thonë të tërë kanë ikur nga Shqipëria, ashtu sikundër janë të njëjtët që kundërshtojnë përfshirjen e votës së emigrantëve në Kodin Zgjedhor. Me këtë rast, dua të përfitoj për të ritheksuar bindjen tonë se emigrantët duhet të kenë të drejtën e votës, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme dhe, duan s’duan udhëheqësit e opozitës rrugore, ne do ta përfshijmë votën e emigrantëve në Kodin Zgjedhor – uroj edhe me dakordësinë e opozitës parlamentare.

Sidoqoftë, e vërteta është se pjesëmarrja e 30 qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën dhe në kushtet mizerabël që u zhvilluan këto zgjedhje, ne kemi marrë jo vetëm një përqindje më të lartë votash se sa ç’kishte koalicioni fitues që qeverisi Shqipërinë në vitin 2005, 19.7%. Kemi marrë po ashtu edhe një numër shumë më të madh votash, se sa pritshmëria jonë për kandidatët (në një garë ku gjysma e tyre s’kishin kundërshtarë), që krahasuar me katër vjet më parë, kur ishim me kandidatë të përbashkët me LSI, është vetëm 4% më pak. Po të kishte qenë një garë normale dhe pa presionin e lartë kriminal mbi zgjedhësit, padiskutim që ky numër do të ishte ende më i lartë. Shumë më i lartë.

Ta lexosh si refuzim popullor ndaj nesh, pjesëmarrjen në këto zgjedhje të zhvilluara në një klimë tensioni të lartë dhe rezultatin tonë të këtyre zgjedhjeve, do të thotë jo vetëm të mos dish çfarë flet, po të mos kuptosh se ky rezultat është treguesi më i qartë se pse sot që flasim, kjo opozitë s’ka asnjë shans fitoreje, zero, në zgjedhjet e vitit 2021.

Po edhe më e qartë është gjendja e përçartjes së tyre kur thonë se raporti paraprak i misionit të ODHIR-it, paskej konfirmuar opionionet e opozitës bojkotuese dhe të presidentit protestues për këto zgjedhje.

Në fakt, raporti paraprak ka pasqyruar me korrektesë një proces zgjedhor krejt anormal – ku, duhet theksuar, anormaliteti i sjelljes dhe shkelja e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit ka ndikuar në dreqosjen si s’ka më keq të procesit, i cili ishte për të ardhur keq edhe pa salton mortale të Ilir Metës.

Mungesa e gjerë e besimit te publikut në procesin elektoral, e nënvizuar në raportin paraprak, është një fakt i pakontestueshëm dhe është krejt e qartë që ka ardhur si pasojë e agresionit politik e kërcënimit të vazhdueshëm të dhunës mbi krejt procesin, si edhe për shkak të ndërhyrjes së dhunshme të Ilir Metës në proces, me antidekretin e tij skandaloz.

Si mund të mos cënohej gjerësisht besimi tek zgjedhjet, nën shantazhin e përmuajshëm e të përditshëm për mosmbajtjen e tyre, çka dekurajoi e mpiu për një kohë të gjatë edhe vetë strukturat tona elektorale në territor(?) dhe si mund të ruhej i patronditur thellësist besimi tek ky proces pas rrëmujave që provokoi Ilir Meta me zhdukjen e befasishme të datës së zgjedhjeve apo rishfaqjen e saj si një provim antikushtetues vjeshte, tre ditë përpara provimit të rregullt kushtetues të 30 qershorit!

Dizekuilibri politik i administratës zgjedhore dhe nevoja per depolitizim të komisioneve të votimit janë gjithashtu fakte të pakontestueshme, njëri i shfaqur si pasojë e absurditetit të këtyre zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita kryesore, tjetri i njohur botërisht e i nënvizuar edhe në raportet e misioneve të mëparshme të ODHIR/it. Dua të jem shumë i qartë edhe në këtë pikë. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike dhe, do duan apo s’do duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore, besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare.

Misioni i ODHIR-it ka vërejtur se ka pasur probleme me cilësinë e procesit të verifikimit të të dhënave dhe të adresave. Edhe ky aspekt kërkon vëmendjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore për përmirësim të mëtejshëm të këtij procesi, por, sidoqoftë, vetë raporti e shpreh qartë, se në masë të madhe kjo është shkaktuar nga fakti se listat e zgjedhësve, që u afishuan fillimisht pranë KZAZ-ve dhe QV-ve, u hoqën nga bashkitë e opozitës në mes të procesit zgjedhor (Ju kujtohet besoj, në vazhdën e revolucionit imagjinar ku kryebashkiakët revolucionarë u lëshuan kundër listave e shkollave në mbrojtje të imagjinatës revolucionare të zotit Presidentit). Si rrjedhojë, qorrat e tërbuar të revolucionit e kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të verifikuar të dhënat e tyre.

Ah po, janë kapur të dëshpëruarit si i mbyturi pas fijes së barit edhe pas një shprehjeje të raportit, ku shkruhet se KQZ-ja e interpretoi Ligjin Zgjedhor në mënyrë kreative. E vërtetë edhe kjo, por po aq e vërtetë sa edhe fakti se përballë dëshpërimit kreativ të frontit të së keqes së këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja nuk duket të ketë pasur rrugë tjetër përveçse të rezistojë duke mbrojtur frymën e Kushtetutës e të Kodit Zgjedhor, për të shpëtuar zgjedhjet nga shkatërrimi i stërparalajmëruar.

Në kushtet kur tanimë 30 qershori i ka mbijetuar agresionit më të egër e më të turpshëm antidemokratik, që politika e 30 viteve të fundit ka ndërmarrë ndonjëherë kundër interesit publik, lirisë e të drejtës së zgjedhjeve dhe objektivit kombëtar të integrimit të Shqipërisë në Familjen Europiane, Ilir Meta do të ishte politikisht për ne një kundërshtar që s’duhet ndaluar të gabojë më tutje.

Ashtu i dizekuilibruar prej frikës nga drejtësia, i çoroditur prej disfatës së operacionit antikombëtar që bashkëudhëhoqi me tre kalorësit e tjerë të apokalipsit imagjinar, hakërryes e qesharak njëkohësisht në pafuqinë e tij, ai është sot një aset i vyer politik i kësaj shumice qeverisëse.

Me atë lloj dordoleci kërcënues në Presidencë, edhe më të pakënaqurit ndaj nesh do të trembeshin ta çonin votën gjetkë pas dy vjetësh. Ndërsa ne do të ishim shumë më të tolerueshëm në gabimet tona, pasi krahasuar me të si shembëlltyra më kuptimplotë e destruktivitetit opozitar, do të dukeshim lule në sytë e gjykatësit popull.

Mirëpo, ne jemi të ndaluar ta përdorim kryetarin e shtetit si një dordolec për të trembur zgjedhësit e pakënaqur prej nesh dhe jemi të detyruar ta ndalojmë Ilir Metën të gabojë më tej! Sepse për ne, dinjiteti i këtij shteti është më i rëndësishëm se sa çdo kalkulim elektoral.

Ilir Meta duhet hetuar e ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi ynë ndaj tij, si deputetë të këtij kuvendi, duhet të jetë frontal, përtej dallimeve tona politike dhe në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe vetë dinjitetit të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, parimësia themelore e kuvendit që na mbledh si përfaqësues të popullit, është një emërues që duhet të na bashkojë në vendim në veprim, përtej çdo interesi politik që na ndan.

Ilir Meta nuk është më thjesht kundërshtari i njohur i qeverisë, po armiku i hapur i vetë Kushtetutës së Shqipërisë; nuk është më thjesht frymëzuesi i kundërrevolucionit opozitar ndaj zgjedhjeve e drejtësisë, po armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë; nuk është më thjesht politikani i frikësuar deri në palcë nga Reforma në Drejtësi, po vetë shembëlltyra e tërbimit të të tremburve nga drejtësia, që me shtrirjen e rrezes së agresionit të tij mbi miqtë e partnerët amerikanë dhe europianë, na turpëron të gjithëve, si qytetarë, si popull, si shtet.

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, Shqipëria në NATO dhe kandidate në BE, një kryetar shteti që duket si një aktor komik që imiton Presidentin e Republikës; një kryetar shteti që kur flet seriozisht të bën për të qeshur dhe kur flet me të qeshur të bën për të qarë; një kryetar shteti që e parafytyron veten si një Vojo Kush me kravatë, mbi çatinë e ambasadës së Bashkimit Europian dhe që e imagjinon ambasadën amerikane, si topin ku vendos gjoksin e tij prej Mic Sokoli me kostum banjoje!

Si mund të ketë Shqipëria e sotme, një kryetar shteti që arrin të thotë në konferencë për shtyp, se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor – çka në fakt nuk i’a ka kërkuar askush edhe pse askush nuk ka mbetur pa pyetur veten, se mos vallë ky njeri është realisht i ikur nga mendja e kokës!

Por kjo pyetje nuk çon askund, madje mund të çojë në një drejtim krejt të gabuar.

Sëmundja e vërtetë e këtij kreu shteti të futur në qorrsokakun e inatit pa krye, është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, i cili gënjen veten për të gënjyer të tjerët dhe si i tillë, ai nuk është gënjeshtar po është i sëmurë. Sfida më e madhe morale në jetë, thotë Dostojevski, nuk është të mos gënjesh të tjerët, po të mos vetëgënjehesh. Sepse duke u vetëgënjyer, njeriu vjen në një pikë, ja kështu si Ilir Meta, që nuk e kupton më ku mbaron përjetimi i botës brenda kokës së vet dhe ku fillon bota reale jashtë rradakes së tij – çka shkakton një çoroditje ekstreme të marrëdhënieve mes individit të vetëgënjyer dhe dynjallëkut rretherrotull.

Por nëse Ilir Meta mund t’ia lejojë vetes të ngatërrojë tërë dynjanë, në përçartjen e tij mes imagjinatës së harbuar nga frika e njeriut që shkon për Tropojë e i duket sikur kalon nga burgu i Spaçit, dhe realitetit politik e shoqëror që i përplas në sy fakte e ndodhi, ndaj të cilave ai reagon me akte antikushtetuese e me shfaqje komike poshtërimi të institucionit të Presidentit të Republikës, ky parlament s’mund t’ia lejojë vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi destabiliteti institucional, brutaliteti politik, rrezikshmërie shoqërore dhe komedie ndërkombëtare.

Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën më shumë se sa njëherë.

Më shumë se sa njëherë ai ka tentuar destabilizimin e qeverisë, duke penguar arbitrarisht apo refuzuar harbutërisht dekretimin e ministrave.

Më shumë se sa njëherë ai ka cenuar autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke komentuar publikisht apo kthyer mbrapsht brutalisht, ligje të miratuara nga ky parlament – pa llogaritur herët kur e ka fyer këtë parlament, duke e quajtur ilegjitim apo kur e ka kërcënuar, duke lënë të kuptohet se edhe mund ta shpërndajë fare.

Më shumë se sa njëherë ai e ka prishur ekuilibrin e figurës së Presidentit të Republikës dhe ka dalë nga roli kushtetues i tij, duke luajtur role e lojëra që kurrë një president s’ia ka lejuar vetes, jo vetëm këtu, po në tërë historinë e demokracive parlamentare – aq larg ka shkuar në vandalizmat e tij kundër arsyes shtetërore ky farë presidenti, sa edhe vetë paraardhësi i tij mediokër e partiak duket si Xhefersoni krahasuar me të.

Por këtë herë, Ilir Meta ka tejkaluar edhe vetë Ilir Metën, bashkë me cakun e fundit të mundësisë sonë për të duruar tejkalimet e tij pa reaguar institucionalisht.

Këtë herë ai ka luajtur deri në fund me zjarrin dhe ka bërë deri në fund gjithçka, që plani i shëmtuar, i egër, i paturpshëm dhe i pafalshëm i zjarrvënies së Shqipërisë, të mos dështonte.

Ilir Meta ka ndërhyrë brutalisht, në mes të fushatës zgjedhore, me një antidekret çmendurak, një molotov zemërimi politik e lajthitjeje institucionale, për të ushqyer zjarrin në fikje të protestave të dëshpërimit opozitar.

Me antidekretin e tij, ai nxiti vazhdimin e dhunës në territoret e bashkive të drejtuara nga opozita, aktet e vandalizmit ndaj infrastrukturës zgjedhore, që nga djegiet e shkollave tek kryengritja e bravave.

Ai u kthye nga Presidenti i Shqipërisë në tribunin e lëvizjes haxhiqamiliste kundër zgjedhjeve, duke fyer edhe bashkësinë ndërkombëtare me reagimet e tij skandaloze ndaj përfaqësive diplomatike në Shqipëri dhe me letrat e tij qesharake drejtuar autoriteteve të larta europiane, si të ishte qytetari digjital që i ankohet doktorit për vjedhjen e mbathjeve të banjos nga narkopolumbarët e Gjirit të Lalzit.

Shkarkimi nga detyra e lartë e kreut të shtetit e këtij personazhi, që si president risolli në skenën e historisë sonë Haxhi Qamilin, me vulën e tij proverbiale të kompanisë së Eksport-Importit të kafesë, është një lëvizje me detyrim përcaktim e këtij Kuvendi dhe një detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin përpara Kuvendit.

Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, po e ka derdhur dhe vazhdon ta derdhë atë përditë, duke na dhënë çdo ditë një arsye për t’u ndjerë të keqardhur për të si njeri, të neveritur me të si politikan dhe të alarmuar prej tij si mbajtësi i vulës së lartë që ka humbur të drejtën të jetë!

Por natyrisht, ndryshe nga Ilir Meta, që i ka kërcyer shtetit përsipër si të ishte një tank armik dhe që e përdor firmën si bombë për ta hedhur atë në erë, ne nuk mund ta përdorim fuqinë absolute të Kuvendit të Shqipërisë mbi Presidentin e Republikës, si topin e Mato Grudës mbi sarajet e Mere Fizit!

Me zakon, Ilir Meta duhej shkarkuar qysh në ditën që u hodh si raketë antiamerikane nga tava e koranit të Faros në Pogradec drejt avionëve imagjinarë të juntës ushtarake amerikano-shqiptare, mbi pallatin presidencial në Tiranë. Por me ligj ai mund të shkarkohet vetëm pasi Komisioni i Posaçëm Hetimor që miratojmë sot, të kryejë detyrimin kushtetues të hulumtimit të fakteve, dëgjimit të dëshmive dhe raportimit përpara Kuvendit të përfundimeve të hetimit për shkeljen e rëndë të Kushtetutës.

Sepse ndryshe nga Ilir Meta që zgjodhi shembullin e forcës destruktive për interesa politike e vetjake, ne kemi zgjedhur forcën e shembullit ligjor e demokratik, në mbrojtje të interesit kombëtar e të dinjitetit të shtetit shqiptar.

Në mbyllje të kësaj fjale, duke u bërë një apel të gjithë deputetëve ta votojnë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Hetimor, pikërisht në emër të interesit kombëtar e të dinjitetit të këtij Kuvendi, i bëj edhe një thirrje publike Ilir Metës, të reflektojë e të mbledhë veten brenda kornizës së përgjegjësive e të kompetencave të tij; të ndërpresë çdo sulm kundër përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian në Shqipëri; të ndërpresë çdo sulm ndaj parlamentit, të cilin s’ka dyfek presidencial që e cënon në legjitimitetin e vet, siç nuk ka dekret molotov që i’a shkurton mandatin e tij;

të ndërpresë aktivitetin e tij të paligjshëm politik kundër qeverisë së Republikës së Shqipërisë, me të cilën duhet të sillet siç i’a kërkon Kushtetuta, jo siç e urdhërojnë zërat e brendshëm të realitetit imagjinar ku është transferuar së fundmi.

Mirë do ishte të ndalonte edhe keqpërgojimin e figurave heroike të historisë së këtij vendi, sepse paralelizmat mes tyre e figurës së tij keqinformojnë brezin e ri dhe stimulojnë agresivitetin e injorancës ndaj shoqërisë dhe shtetit ligjor, por kjo mbetet sidoqoftë një vërejtje miqësore.

Duke i uruar punë të mbarë e të frytshme Komisionit të Posaçëm Hetimor, si edhe duke i bërë thirrje çdo deputeti ta votojë ngritjen e tij, ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen.

 

*Fjalim i mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, më 8 korrik 2019.

Të fundit