E martë, 10 Dhjetor, 2024

Oferta e një “dritareje” për darkë

…dhe për desert lajmi i mirë

Shkruan: Veton Surroi

1.

Isha në darkë me një mik në Washington këtë javë dhe më tha se “dritarja e mundësisë” për arritjen e marrëveshjes me Serbinë po mbyllet.

– Këtë e kam dëgjuar edhe vjet.

– Po, por tash është më ndryshe.

– Por, kështu ishte edhe parvjet?

-Është e vërtetë, por tash është më ndryshe.

– Pse është më ndryshe?

– Sepse plani i presidentit Vuçiq është pranuar nga Thaçi.

– Dhe?

– Dhe kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Dhe po të pranonit ju, do të gjendej përkrahja në State Department.

– Por Vuçiqi ka mundësi ta zbatojë një marrëveshje, ndërsa Thaçi e ka krejt Kosovën kundër.

– Po, ky është vërtet problem.

2.

Miku vazhdoi, megjithatë, se “dritarja e mundësisë” (window of opportunity) duhet të shfrytëzohet.

– Përse gjithë ky ngulm?

– Sepse Vuçiqi ka më në fund një marrëveshje me të cilën mund të dalë para opinionit të vet.

– Një copë toke andej dhe një copë toke këndej kufirit, disa njerëz shkojnë atje dhe disa vijnë këtej: kjo të duket marrëveshja?

– Paj, ti po e thjeshtëson, por në thelb, Vuçiqi merr Veriun ndërsa ju merrni ulësen në OKB.

– Edhe po të pajtohej Kosova ta japë Veriun, Vuçiqi vetëm mund të premtojë se nuk do të pengojë ulësen në OKB për Kosovën, por vendimin e jep Këshilli i Sigurimit, pra në radhë të parë Putini. Pra, Veriu shkon për një premtim, të cilin mund ta përmbushë vetëm Putini?

– Po, pastaj këtu hyn Amerika, që hap punën me Putinin.

– Dhe Putini e kërkon Krimenë, për shembull?

– Eh, atë Amerika nuk mund ta japë…

– Pra, katër komunat e Veriut për një premtim…

3.

Por, do të mbeteni pa karrike në OKB, vazhdoi miku.

– Të cilën edhe ashtu nuk mund ta japë Vuçiqi.

-Po, por “dritarja e mundësisë” do të mbyllet.

-Prit pak. Është fjalë për “dritaren e mundësisë” që Vuçiqi të dalë para opinionit të vet dhe të thotë se i mora këto katër komuna në këmbim për premtimin për OKB?

– Po e thjeshtëson prapë. Është fjala për “dritaren e mundësisë” për një marrëveshje gjithpërfshirëse.

– E cila nuk ka më shumë se kaq. Pra, i tërë konflikti që kemi me Serbinë është për katër komunat në Veri. I gjithë shkatërrimi, të zhdukurit, të vrarët – që të gjitha janë çështje që zgjidhen me katër komunat, të cilat kanë qenë shkaku i vërtetë i luftës.

– Po, por e tëra duhet të përfundojë …

– Duke i lënë të gjitha çështjet e tjera të hapura, pos katër komunave të veriut që shkojnë në Serbi? Në kohën kur Rusia do të diktojë se si do të rrjedhin gjërat , ndërsa SHBA-ja ka kohë që është në gjendje autopiloti në politikën e jashtme, pa ndonjë interes të veçantë në cilëndo prej pikave që i prek Rusia?

4.

Fajin e ka Gjermania, tha miku im.

– Pse mbrojti një parim mbi të cilin është ndërtuar Evropa, që nuk mund të ketë zgjidhje për problemet me lëvizje të njerëzve e popujve?

– Jo, sepse pengoi marrëveshjen që kishin arritur dy presidentët.

-Marrëveshje që ishte kundër parimeve, rrjedhimisht do të ishte edhe kundër Gjermanisë, rrjedhimisht kundër Evropës, rrjedhimisht kundër hapësirës në të cilën duam të integrohemi.

– Por, nuk dha ndonjë alternativë tjetër. Ma trego alternativën.

– Alternativa është të mos bëhen budallakitë që janë bërë gjatë gjithë kohës së negociatave të Brukselit. Thaçi është duke aplikuar metodën që aplikoi Milosheviqi më herët, duke e mbuluar njërin problem që e ka krijuar vetë – autonominë territoriale të serbëve në Kosovë, në Marrëveshjen e Brukselit – me një problem më të madh, të këmbimit të popullatave e territoreve.

– Por, kjo nuk është zgjidhje alternative, është një proces.

– Po pra, rrugës qorre i ka ardhur fundi dhe do filluar një proces serioz.

5.

Ç’është e vërteta, kam mbetur i vetëm në vlerësimet e mia këtu në qytet, tha miku im.

– Gëzohem. Dhe gëzohem që kjo është bisedë darke. Dhe që nuk je në pozitë që të ofrosh zyrtarisht “dritaren tënde të mundësisë”.

 

Marrë nga Koha Ditore

Të fundit