Nga datat 13 deri më 16 qershor 2019, në qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti u përurua Antologjia më e re e poezisë shqiptare në finlandisht. Titulli i antologjisë është “Na ishte njëherë shpresa”, në gjuhën finlandeze “Olipa kerran toivo”. Kjo antologji u përkthye nga origjinali nga Silvana Berki dhe u botua nga “Aviador Kustannus”, me asistencën profesionale të shkrimtarit Aleksanteri Kovalainen dhe kujdesin në botim të Vesa Tompuri.
Kjo Antologji me titull domethënës ka bërë bashkë 25 poetë bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendi në të cilin jetojnë. Për ta përuruar këtë Antologji, në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, morën pjesë poetja dhe skenaristja Natasha Lako dhe poeti e prozatori Arian Leka.
Në veprimtari, përveç dashamirësve të poezisë morën pjesë edhe emra të shquar të poezisë bashkëkohore finlandeze, si akademikët Kristi Kuuronen, Kari Aaronpuno, si dhe poete e prozatorë si Hannu Luntiala apo poetja Saara Metsäranta. Gjatë përurimeve Natasha Lako dhe Arian Leka shkëmbyen mendimet e tyre me lexuesin finlandez si dhe zhvilluan një bashkëbisedim me prozatorin e njohur finlandez Hannu Salama. Parathënien e Antologjisë, kushtuar kryeshisht gjuhës shqipe, historikut të saj dhe poezisê shqipe e ka shkruar poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, i cili zbardh për lexuesin finlandez momente të spikatura në poezinë shqiptare, që prej fillimeve të saj e deri në ditët e sotme. Përveç përzgjedhjes mbi kritere profesionale të autorëve dhe shënimeve shoqëruese për çdo autor, Antologjia – Olipa kerran toivo merr vlerë të veçantë edhe për organizimin veçantë të lëndës letrare. Kjo pasi në këtë Antologji, si rrallë herë më parë, bota poetike e shqiptarëve vjen e unifikuar në një panoramë të gjerë e gjithëpërfshirëse.
Në brendi të saj ka poetë të trevave ku poezia shkruhet shqip, duke filluar nga poezia bashkëkohore që shkruhet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal i Zi dhe te arbëreshët e Italisë. Një paraqitje te tillë poeti Arian Leka e cilësoi si një hartë poetike për të mbërritur në viset e shpirtit shqiptar, por edhe një udhërrëfyes ku përveç peizazhit me lumenj e me dete, me male e me qytete, shfaqen edhe relievet e historisë dhe shqiptarit. Ideja e një projekti mbi Antologjinë – Olipa kerran toivo filloi tre vjet më parë. Emrat e poetëve të përfshirë në të janë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi, Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti dhe Lulëzim Haziri.
Domethënia e Antologjisë sipas përkthyeses Silvana Berki
“Po çfarë përfaqëson dhe çfarë ka të veçantë në këto fakte dhe në këtë Antologji?”,- përgjigjet përkthyesja Silvana Berki gjatë bisedës në një panel debati mes përkthyesish zhvilluar në Lahti. “Në pamje të parë duket sikur nuk ka asgjë të veçantë, pasi të gjithë autorët janë shqiptarë me prejardhje dhe rrënjë dhe të gjithë ata flasin dhe shkruajnë në gjuhën shqipe. Por dua të theksoj veçanërisht faktin se gjatë procesit të përkthimit të poezive unë vetë kuptova se nuk isha thjesht dhe vetëm një përkthyese e poezisë nga gjuha shqipe në finlandisht, por edhe mbartjen së kuptimeve te reja brenda rrafsheve të shumta dhe të pasura kuptimore nga shqipja në shqip. Kjo për arsye sepse ashtu sikundër edhe jeta, gjuha zhvillohet dhe jeton brenda kohës së vet e jo veç brenda kufijve gjeografik në të cilët ajo kufizohet. Përmes këtyre poezive unë kuptova edhe më thellë larminë dhe dallimet jo vetëm të shqiptarëve me kulturat e tjera, por edhe mes kulturës së brendshme, ku shqipfolësit jetojnë mes gëzimeve dhe brengave të tyre. Përmes këtij libri kuptova më thellë edhe pasurinë e madhe gjuhësore të trevave ku shkruhet kjo poezi, pasurinë leksikore, format e begata të shprehjes, ku jo vetëm thellësia e mendimit të poetëve, por herë-herë ishin edhe të shprehurit e ndryshëm, ndikimi i dialekteve që edhe pse ma bënin përkthimin pak të vështirë, më pasuronin në të njëjtën kohë, duke më dhanë shumë dhe duke ma pasuruar fjalorin.”
Natasha Lako: Jo vetëm një akt letrar, por edhe një akt human
Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe fakti që u nënvijëzua Natasha Lako dhe Arian Leka gjatë përurimit dhe që lidhet me përfytyrimin e krijimit të një ure të re komunikimi mes dy kulturave dhe dy gjuhëve që njihen pak mes tyre, edhe pse janë pjesë e kontinentin europian. Natasha Lako në fjalën e saj u ndal gjerësisht në çështjen e lirisë në letërsitë nën diktaturë, mbi temën e disidencës letrare dhe rolin emancipues të poeteve femra brenda një kulture me trashëgimi patriarkale. Ajo ofroi përvojat e saj të pasura si poete dhe si skenariste e mirënjohur, duke ofruar një panoramë më të gjerë e më të qartë mbi autorët që shkruan nën të ashtuquajturën “metodë të realizmit socialist” dhe letërsisë bashkëkohore shqiptare. Paraqitja e saj tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe nxiti debatin mbi njohjen e kësaj faze jo shumë të shfaqur dhe shpesh të keqkuptuar të krijimtarisë letrare në Shqipëri.
Atmosfera e krijuar nga botimi i Antologjisë bëri të mundur që kjo ngjarje të mos vështrohet vetëm si një akt letrar, por edhe një akt me dimension human i mbërritur në kohën e duhur. “Kjo pasi që nga pikënisja e këtij projekti i përkthimit të poezive ka mbajtur parasysh këtë dimension”, shprehet përkthyesja Berki. “Ka nisur prej pozicionit tim si emigrante fillimisht, por nga dhe zhvillimet e mia të mëtejshme, ku rol të veçantë ka luajtur këndvështrimi i shkencave sociale (formimi im shkencor) që priret të mbështesë kombet e vegjël, gjuhët e tyre dhe përhapjen e këtyre kulturave në mbarë Europën. I ashtuquajturi “kolonializmi gjuhësor” për shembull, sidomos në kohërat postmoderne, është zgjeruar me anë të teknologjisë dhe “gjuhët e mëdha”, anglishtja, gjermanishtja apo ajo ruse, mes të tjerash, duket e kanë kolonializuar kulturalisht pothuajse të gjithë botën. Gjuhët e tjera të kombeve të vogla, si shqipja apo finlandishtja mbeten të panjohura dhe komunikojnë pak si letërsi.”
Me përfundimin e kësaj nisme të bukur, që u finalizua me botimin e Antologjisë, falënderimet shkojnë për institucione si Kohne Aääatiö, që iu bashkuan idesë dhe realizimit të këtij projekti poetik, që promovon shkëmbimin mes kulturave.
“Ëndrra ndez ëndrrën”, theksoi në fjalën e saj hyrëse përkthyesja Silvana Berki. “Tre vjet më parë ishte antologjia e poezisë bashkëkohore finlandeze në shqip dhe tani janë poetët shqiptarë në finlandisht. Shpresoj që tani, kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave edhe më të bukura, duke menduar për projekte të tjera, edhe më të gjera, duke i dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare edhe më shumë frymëmarrje. Kjo ngjarje kulturore që nisi me Antologjinë, e cila mori vlerë dhe domethënie të veçantë tregon se veç ëndrrës dhe shpresës tani kemi një realitet të prekshëm. Në katër ditë, qytetet finlandeze Tampere dhe Lahti organizuan veprimtari të shumëllojshme, në të cilat u përfshinë disa nga institucionet kryesore të jetës kulturore të qyteteve përkatëse, të cilat e bënë përurimin e Antologjisë – Olipa kerran toivo pjesë të programeve kulturore kombëtare e ndërkombëtare, ku u fol për poezinë shqiptare, ku u dëgjua poezia e shkruar në gjuhën shqipe.
Arian Leka në “LIWRE International Writers’ Reunion”
Përveç veprimtarive përuruese, Arian Leka mori pjesë si studiues edhe në bienalet e mirënjohur “International Writers’ Reunion – LIWRE”, që u zhvillua në Lahti nga datat 14 deri në 16 qershor. Në këtë veprimtari të mendimit elitë Arian Leka paraqiti punimin e tij mbi temën “Writer’s nature”, i cili u publikua në anglisht dhe në finlandisht. Tema e artikullit të titulluar “Erasing the Other from the Weather Map”, duke u ndalur më së shumti në temat e përjashtimit të “Tjetrit” nga kultura, mbi kulturën e “Tjetërsimi”, tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi “letërsitë e vogla” dhe “luftën” absurde të spastrimit të gjuhës së “kulluar” letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (oriantalizma, oksidentalizma, globalizma etj), mbi krijimin e një “gjuhe të (s)pastruar” shqipe, përfytyrimin e gjuhës si një “kamp përqendrimi”, në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestine dhe fjalët emirante në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje.
Përveç pjesëmarrjes në bienalen unike “International Writers’ Reunion 2019” (që, duke filluar nga vitit 1963 ruan reputacionin e një prej forumeve më të rëndësishme të letërsisë dhe mendimit europian, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë, mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel), Arian Leka dha edhe një intervistë për gazetaren Erja Toumaala, e cila u transmetua përmes valëve të stacioni publik të radios finlandeze YLE.
Vëmendje të veçantë për pjesëmarrësit solli edhe ligjërata e Arian Lekës mbi vonesat në proceset shoqërore dhe mbi fenomenin vonesë në kultura dhe sidomos në letërsi: Kësaj teme autori shqiptari i kushtoi pjesën hyrëse të ligjëratës, i titulluar “Pesë minuta vonesë në histori.”
Në fund Arian leka paraqiti edhe dy dokumente që dëshmojnë forma të marrëdhënies në distancë mes shoqërisë finlandeze dhe asaj shqiptare. Bëhet fjalë për dy tekste botuar përkatësisht në “Demokratia”, e vitit 1929, kur mendimtari Branko Merxhani sjell në vëmendje sistemin arsimor dhe atë politik finlandez, duke shkruar: “Të gjitha vendet e qytetëruara i kanë dhënë rëndësinë më të madhe shkollave fillore, duke i quajtur këto si guri themelor të jetës edukative kombëtare. Një komb nuk mund të jetë i sigurtë për të ardhmen e tij pa organizuar një ushtri ideale e të fortë mësuesish. Statuti i një Shteti të ri si Finlanda, qytetarëve analfabetë u ka mohuar të drejtat politike.”
Dokumenti i dytë që Arian Leka paraqiti përballë publikut finlandez lidhet me një artikull të botuar po në “Demokratia”, e vitit 1932, ku sërish Branko Merxhani i referohet Johan Vilhelm Snellman-it, filozofit, burrit të shtetit dhe njërit prej krijuesve të Finlandës moderne. Duke ia drejtuar jo pa pikëllim shqiptarëve të 87 viteve më parë Merxhani shkruan se ne shqiptarët janë “një popull i vogël si finlandezët dhe s’kemi tjetër mjet për të mbrojtur veten përveç sa ta çlirojmë popullin tonë nga skllavëria dhe errësira e paditurisë. Vetëm një kulturë kombëtare dhe një qytetërim, më i lartë nga ai që kanë fqinjët tonë, do të mundin të sigurojnë të ardhmen tonë!”
Ndërkohë, për të cilësuar rolin e intelektualit në shoqëri autori sjell fjalët e J. V. Snellman-it, ku mes të tjerash shkruhet : “Intelektual nuk do të thotë të veshëç roba të modës, kapello të kohës dhe kollaro që shkëlqen. Grupi intelektual është si truri i një populli. Kombi nuk ju mësoi që të merni një rrogë të majme dhe të dëfreni mbrëmanet nëpër kafenetë, duke lojtur kartëra dhe domino. Të gjithë të diturit e kanë për detyrë të përpiqen për lartësimin e arsimit kombëtar, për të sgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe për të forcuar vullnetin kombëtar. Mësouni fshatarëvet, puntorëvet dhe klasavet të varfëra të qyteteve një mënyrë më të mirë për të jetuar!