E mërkurë, 16 Korrik, 2025

NGA ÇERNOBILI E VINÇA DERI TE FUKUSHIMA – KATASTROFAT BËRTHAMORE QË TRONDITËN BOTËN

Sulmet ajrore të 13 qershorit nga Izraeli ndaj objekteve bërthamore iraniane, të pasuara nga kundërpërgjigja me raketa nga Teherani dhe përdorimi i bombave depërtuese nga SHBA më 21 qershor, kanë rikthyer frikën nga një katastrofë bërthamore në shkallë të gjerë, përcjell KDP.

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë risjellë kujtimet e errëta të Çernobilit, me viktima nga rrezatimi dhe dëme afatgjata për shëndetin publik e mjedisin.

Prej shpikjes së armës atomike në vitin 1945, disa aksidente bërthamore kanë vënë në pikëpyetje sigurinë globale dhe aftësinë njerëzore për të kontrolluar këtë teknologji.

Katastrofat më të rënda bërthamore në histori:

Nevada, SHBA (1945)

Në kuadër të projektit “Manhattan”, SHBA realizoi testin e parë të bombës atomike në shkretëtirën e New Mexico. Shpërthimi, i zhvilluar në fshehtësi nën drejtimin e Robert Oppenheimerit, u parapri nga një aksident laboratorik fatal. Një shkencëtar humbi jetën disa ditë më vonë për shkak të ekspozimit ndaj plutoniumit.

Three Mile Island, SHBA (1979)

Një defekt teknik dhe gabime njerëzore çuan në shkrirjen pjesërisht të bërthamës së një reaktori në Pensilvani. Sasia e gazrave radioaktivë ishte e vogël dhe nuk pati viktima, por hetimi federal përfundoi se aksidenti mund të ishte shmangur.

Çernobil, Bashkimi Sovjetik (1986)

Më 26 prill 1986, gjatë një testi sigurie, reaktori numër katër në termocentralin e Çernobilit shpërtheu. Si pasojë, dhjetëra persona humbën jetën nga sindroma e rrezatimit akut dhe miliona u ekspozuan. Lëshimi radioaktiv ishte rreth 400 herë më i madh se ai i Hiroshimës. Zona përreth, përfshirë qytetin Pripyat, u evakuua dhe u shpall zonë e ndaluar.

Kištim, Bashkimi Sovjetik (1957)

Një aksident i fshehtë ndodhi në uzinën bërthamore Majak, ku dështimi i sistemit të ftohjes çoi në një shpërthim të fuqishëm dhe kontaminim të gjerë. Rreth 200 vetë vdiqën, ndërsa mbi 10.000 u ekspozuan ndaj niveleve të larta të rrezatimit. Informacioni u bë publik dekada më vonë nga shkencëtari sovjetik Zhores Medvedev.

Windscale, Mbretëria e Bashkuar (1957)

Në Anglinë veriperëndimore, një zjarr në reaktorin e Windscale shkaktoi lirimin e jodit-131 në atmosferë. Askush nuk vdiq menjëherë, por qeveria më vonë pranoi se qindra raste të kancerit të tiroides mund të lidhen me këtë incident. Aksidenti u mbajt i fshehtë deri në vitet ’80.

Vinça, Jugosllavi (1958)

Në Institutin Bërthamor të Vinçës afër Beogradit, gjashtë shkencëtarë u ekspozuan ndaj dozave të larta rrezatimi gjatë një eksperimenti. Aksidenti u trajtua në Institutin Curie në Paris, ku për herë të parë në botë u krye transplantimi i palcës kockore për të shpëtuar jetën e tyre. Pesë prej tyre mbijetuan.

Krshko, Slloveni (2008)

I vetmi central bërthamor në ish-Jugosllavi, Krshko, u mbyll përkohësisht pas një rrjedhjeje të lëngut ftohës. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e klasifikoi incidentin si “devijim pa pasoja në ambient”. Në vitin 2023, centrali u ndal sërish për disa muaj për shkak të rrjedhjeve të brendshme.

Fukušima, Japoni (2011)

Tërmeti dhe cunami i 11 marsit 2011 dëmtuan rëndë centralin bërthamor Fukushima Daiichi. Sistemet e ftohjes dështuan, duke çuar në shkrirjen e bërthamave të tre reaktorëve dhe ndotjen e ajrit e ujit me materiale radioaktive. Edhe pse autoritetet japoneze minimizuan rrezikun, viktimat e ekspozuara kërkojnë sot dëmshpërblim për sëmundjet e zhvilluara.

Rreziku aktual nga Lindja e Mesme

Sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane kanë ngritur shqetësime të reja për përsëritjen e një katastrofe. Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet e sulmeve ndaj centraleve aktive, të cilat mund të çlirojnë sasi masive të materialeve radioaktive.

 

 

Të fundit