Ndërhyrja ushtarake e Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit do të çonte në një “spiralë tjetër të tmerrshme të përshkallëzimit”, paralajmëroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një deklaratë për agjencinë shtetërore ruse TASS, e transmetuar nga BBC.
“Një veprim i tillë do ta destabilizonte tërësisht situatën,” tha Peskov, duke theksuar se Moska e konsideron Teheranin një aleat kyç strategjik, ndërkohë që Uashingtoni mbështet krahun kundërshtar në konflikt.
Paralajmërimi vjen në një moment tensionesh të larta, ku presidenti i ri amerikan, Donald Trump, kërkon “dorëzim të pakushtëzuar” nga Irani dhe sipas burimeve, po shqyrton mundësinë e një sulmi ushtarak.
Këtë vit, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një marrëveshje për partneritet strategjik gjithëpërfshirës me presidentin e ri iranian, Masoud Pezeshkian, me fokus në bashkëpunimin për mbrojtje dhe siguri.
Në konfliktin në Ukrainë, Irani ka furnizuar Rusinë me dronë kamikazë Shahed, të cilët janë përdorur në sulme ajrore mbi objektiva ukrainase.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar sulmet izraelite si “cinike” dhe “të paprovokuara”, ndërsa zëvendësministri rus i jashtëm Sergei Ryabkov paralajmëroi SHBA-në që të mos ofrojë ndihmë ushtarake për Izraelin. “Kjo do të destabilizonte ndjeshëm të gjithë rajonin,” tha ai.
Sipas analistëve, Uashingtoni dhe Moska janë në rrugë përplasjeje për krizën mes Izraelit dhe Iranit, çka mund të minojë çdo përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve ruso-amerikane që kanë treguar shenja afrimi pas rizgjedhjes së Trump.