E mërkurë, 16 Korrik, 2025

“RROGA NUK DEL AS PËR BUKË”: OPOZITA AKUZON QEVERINË PËR VARFËRIMIN E QËLLIMSHËM TË QYTETARËVE NË MAQEDONI

Opozita në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer me kritika të ashpra ndaj politikave ekonomike të qeverisë, duke akuzuar kabinetin e kryeministrit Hristijan Mickoski për përkeqësimin e standardit të jetesës dhe për varfërimin e qëllimshëm të popullatës, përcjell KDP.

Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave (Eurostat), Maqedonia e Veriut renditet e parafundit në Evropë për nga lartësia e pagës minimale, duke lënë pas vetëm Shqipërinë, ndërsa ka fuqinë blerëse më të ulët në kontinent.

“Ky nuk është vetëm një krizë ekonomike – është një poshtërim i qëllimshëm i dinjitetit të çdo qytetari”, deklaroi Simona Cvetanoski nga kryesia e LSDM-së në një konferencë për media. Ajo theksoi se “vetëm funksionarët e pushtetit jetojnë mirë”, ndërsa qytetarët mezi mbijetojnë, duke shtuar se “paga nuk mjafton as për të kaluar 10 ditët e para të muajit”.

Ndërkohë, kryeministri Mickoski paralajmëroi masa për të frenuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, por pa dhënë detaje. Ai tha se situata po ndiqet nga afër dhe se qeveria po punon për një zgjidhje.

Megjithatë, opozita i quajti këto premtime si “mashtrime të zbrazëta”.

Cvetanoski akuzoi qeverinë se ka bllokuar çdo iniciativë për rritjen e pagave dhe për uljen e çmimeve. “Qytetarët kursejnë për bukë, ndërsa funksionarët luksojnë dhe rrisin rrogat e tyre,” u shpreh ajo.

Partia opozitare e majtë “E Majta” (Levica) kritikoi gjithashtu ashpër qeverinë, duke e akuzuar për shpërfillje të interesave të klasës punëtore dhe për mbajtjen gjallë të një modeli ekonomik që varet nga kapitali i huaj dhe direktivat e institucioneve ndërkombëtare financiare.

Sipas “Levicës”, propozimi i tyre për rritjen e pagës minimale në 500 euro është refuzuar nga shumica parlamentare, përfshirë deputetët e VMRO-DPMNE-së.

“Të dhënat zyrtare flasin vetë – punëtori maqedonas mbijeton, nuk jeton,” thuhet në reagimin e “Levicës”.

Partia ka propozuar një reformë rrënjësore të modelit ekonomik, që përfshin:

  • Tatim progresiv,
  • Heqjen e përjashtimeve fiskale për investitorët e huaj,
  • Mbështetjen e sektorëve strategjikë vendas,
  • Stimulimin e prodhimit të brendshëm,
  • Forcimin e të drejtave sindikale,
  • Dhe rritje urgjente të pagës minimale.

“Eurostat na zbuloi dhe na dha alarmin. Por ndryshimi nuk do të vijë nga të njëjtët që na çuan në këtë greminë – ai duhet të vijë nga populli,” përfundon reagimi i “Levicës”.

 

 

Të fundit