Shkruan: Agron Shaqiri
Në analizën e tij mbi transformimet historike të sistemit ndërkombëtar, Henry Kissinger, në veprën World Order (2014), e përshkruan Kongresin e Westfalisë të vitit 1648 si momentin themeltar mbi të cilin është ndërtuar rendi ndërkombëtar modern dhe diplomacia shumëpalëshe e bazuar në parimin e sovranitetit. Siç thekson ai, Kongresi i Westfalisë i vitit 1648 është themeli mbi të cilin është ndërtuar diplomacia moderne dhe rendi ndërkombëtar i bazuar në sovranitetin e shteteve. (Kissinger, Henry. World Order. Penguin Press, 2014, p. 26).
Kjo qasje është bërë pjesë përbërëse e kanonit të marrëdhënieve ndërkombëtare, e paraqitur nga autorë si Hedley Bull (1977), i cili e trajton Westfalinë si pikënisjen e “shoqërisë së shteteve”, apo Stephen Krasner (1999), i cili ndërtimin analitik të konceptit të sovranitetit e nis pikërisht nga kjo pikë e historisë evropiane.
Megjithatë, një shqyrtim më rigoroz teorik dhe krahasues mbi evoluimin e praktikave ndërkombëtare tregon se ky pretendim është i kufizuar nga një optikë eurocentrike dhe, si i tillë, nuk pasqyron tërësinë e zhvillimeve paraprake jashtë qendrave tradicionale të fuqisë perëndimore. Nëse do të mbështetemi në përkufizimin e një kongresi ndërkombëtar si një format formal bashkëpunimi ndërmjet aktorëve politikë sovranë, në një rend pa autoritet qendror të njësuar, siç përkufizohet në teorinë realiste nga Kenneth Waltz (1979), atëherë na duhet të rishikojmë vendin e Kongresit të Westfalisë si akti i parë i këtij lloji.
Një rast domethënës që e sfidon këtë narrativë është Kuvendi i Lezhës (1444), i organizuar në qytetin e Lezhës nga prijësit arbërorë të kohës, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ky kuvend, në të cilin morën pjesë princër sovranë si Lekë Dukagjini, Andrea Topia, Tanush Topia, Gjergj Arianiti dhe të tjerë, përbën një formë të hershme të bashkëpunimit shumëpalësh përballë një kërcënimi sistemik, ekspansionit të Perandorisë Osmane. Edhe pse ky format nuk u institucionalizua në formën juridike që njohu më vonë Evropa perëndimore, nga pikëpamja funksionale, ai përmbush të gjitha kriteret themelore të një kongresi ndërkombëtar.
Ky rast është pothuajse i injoruar në narrativën dominante të marrëdhënieve ndërkombëtare, jo për shkak të mungesës së rëndësisë së tij historike, por për shkak të një paradigme që përjashton periferitë politike dhe kulturore nga qendrat e njohjes teorike. Siç kanë argumentuar studiues bashkëkohorë si Barry Buzan dhe Amitav Acharya, historia e rendit ndërkombëtar është ndërtuar mbi baza selektive që privilegjojnë vetëm ato forma të shtetësisë dhe bashkëpunimit që kanë lindur brenda sistemit evropian të fuqive.
Në këtë ese, do të argumentohet se Kuvendi i Lezhës përfaqëson një precedent të qartë dhe të dokumentuar të diplomacisë shumëpalëshe ndërmjet aktorëve sovranë në një kontekst ndërkombëtar, dhe se ai e paraprin Kongresin e Westfalisë jo vetëm në kohë, por edhe në funksionalitet. Qëllimi është të zhvillohet një analizë e thelluar që sfidon tezën klasike mbi fillimin e rendit ndërkombëtar dhe që kontribuon në shtrirjen e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare përtej kufijve të saj eurocentrikë.
- Kuvendi i Lezhës si pararendës funksional i rendit shumëpalësh ndërkombëtar
Shqyrtimi i Kuvendit të Lezhës në dritën e teorive themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos realizmit klasik dhe institucionalizmit liberal, nxjerr në pah se ai nuk ishte thjesht një bashkim lokal feudal, por një format paraprak i një rendi shumëpalësh ndër-princëror, që i paraprin disa parimeve themelore të sistemit modern ndërkombëtar.
1.1 Aktorë sovranë dhe njohja e ndërsjellë
Sipas përkufizimit të Hedley Bull në The Anarchical Society (1977), një rend ndërkombëtar ekziston kur:
“Një grup shtetesh e pranon njëri-tjetrin si njësi të pavarura dhe vepron në bazë të disa rregullave të përbashkëta për bashkëjetesë, ndoshta edhe bashkëpunim.”
Në këtë kuptim, Kuvendi i Lezhës i përmbush standardet bazë të një rendi ndërkombëtar. Princërit shqiptarë që morën pjesë ishin aktorë politikë sovranë, me kontroll real mbi strukturat ushtarake, administrative dhe përfaqësimin e jashtëm të territoreve të tyre. Marrëveshja ndërmjet tyre nuk u bazua në nënshtrim hierarkik, por në njohjen e ndërsjellë si palë të barabarta, duke krijuar një mekanizëm bashkëpunues që respektonte integritetin politik të secilit aktor, ngjashëm me parimet westfaliane të sovranitetit dhe mosndërhyrjes.
Edhe pse Skënderbeu luajti rol udhëheqës, ai nuk kishte mandat të centralizuar mbi princërit tjerë. Karizma nuk u shndërrua në dominim, por funksionoi si katalizator për bashkërendim të veprimit – një tipar kyç i rendit shumëpalësh.
1.2 Koordinim ushtarak dhe ekuilibër i fuqisë
Realizmi klasik (Morgenthau) dhe neorealizmi strukturor (Waltz) theksojnë se në një sistem anarkik ndërkombëtar, aktorët ndërtojnë aleanca për të balancuar kërcënime dhe për të ruajtur mbijetesën. Kuvendi i Lezhës ishte pikërisht kjo: një reaksion i koordinuar ndaj një kërcënimi të përbashkët sistemik – ekspansionit osman – që cënonte ekzistencën politike të secilës principatë.
Ky pakt, i ndërtuar mbi parimin e mbrojtjes kolektive, funksionoi si një mekanizëm i hershëm sigurie shumëpalëshe, duke i paraprirë konceptit që më vonë do të institucionalizohej në traktatet e Vestfalisë (1648), madje edhe në aleanca moderne si NATO (1949).
Pra, Besëlidhja e Lezhës nuk ishte vetëm një reaksion mbijetese, por një praktikë e hershme e ekuilibrit të fuqisë, ku interesi i përbashkët ndërtohej mbi baza të strukturuara politike dhe ushtarake.
1.3 Vendimmarrje kolektive në një rend anarkik
Kenneth Waltz (1979) thekson se sistemi ndërkombëtar është anarkik në strukturë, por megjithatë i aftë të prodhojë rend të qëndrueshëm përmes bashkëpunimit horizontal ndërmjet aktorëve sovranë. Kuvendi i Lezhës operonte pikërisht brenda kësaj logjike: nuk kishte një autoritet qendror që e impononte aleancën, por u ndërtua mbi bazën e vullnetit të vetë-organizuar të aktorëve lokalë për të ruajtur interesin kolektiv.
Vendimmarrja brenda aleancës nuk u imponua përmes force, por konsensusit politik dhe autoritetit të brendshëm të secilit pjesëmarrës. Kjo formë ndërveprimi ndër-princëror paraqet një mekanizëm të hershëm qeverisjeje shumëpalëshe, që sfidon supozimin se periferitë ishin të paafta për të prodhuar struktura bashkëpunuese pa ndërmjetësim të jashtëm.
- Një krahasim kritik: Kuvendi i Lezhës dhe Kongresi i Westfalisë
Nëse i qasemi në mënyrë krahasimore dy ngjarjeve kyçe në historinë e rendit ndërkombëtar – Kuvendit të Lezhës (1444) dhe Kongresit të Westfalisë (1648) – del në pah një e vërtetë që sfidon rrëfimin klasik eurocentrik mbi origjinën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Megjithëse ndodhur në kontekste historike dhe gjeopolitike të ndryshme, të dyja përfaqësojnë momente themelore të ndërveprimit politik ndërmjet aktorëve sovranë, që kanë kontribuar në ndërtimin e rendit ndërkombëtar modern.
Së pari, në planin e aktorëve politikë, Kuvendi i Lezhës mblodhi princër sovranë shqiptarë, secili me autoritet të plotë mbi njësi territoriale të qarta, me strukturë administrative, ushtarake dhe përfaqësim të pavarur. Ashtu si mbretërit dhe princërit europianë në Westfali, edhe këta aktorë kishin autonomi në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në të dy rastet, pjesëmarrësit vepruan si njësi të barabarta, që nuk njihnin autoritet më të lartë – çka përmbush kriterin waltzian të një sistemi anarkik të vetë-rregulluar.
Së dyti, qëllimi themelor i bashkëpunimit ndryshonte sipas kontekstit, por që të dyja përfaqësonin reagime ndaj kërcënimeve sistemike. Kuvendi i Lezhës lindi si një mekanizëm mbrojtjeje kolektive përballë një fuqie ekspansioniste – Perandorisë Osmane – e cila përbënte një kërcënim të përbashkët për mbijetesën e aktorëve pjesëmarrës. Ndërkohë, Kongresi i Westfalisë kishte për objektiv mbylljen e Luftës Tridhjetëvjeçare, një konflikt shkatërrues fetaro-politik, dhe riafirmimin e parimit të sovranitetit, që e përjashtonte ndërhyrjen ndërfetare në punët e brendshme të shteteve. Në këtë sens, Lezha paraqet një reagim funksional dhe praktik ndaj një sfide ekzistenciale, ndërsa Westfalia simbolizon fillimin e një kornize teorike mbi normat ndërkombëtare.
Së treti, strukturat e bashkëpunimit ndjekin logjikë të ndryshme, por ngjashmëri të rëndësishme. Kuvendi i Lezhës ishte një aleancë strategjike me vendimmarrje kolektive, e cila u ndërtua përmes konsensusit të princërve dhe jo përmes një autoriteti qëndror. Kjo përbën një formë të hershme të organizimit shumëpalësh ku dominon bashkëpunimi horizontal, jo hierarkia. Në të kundërt, Kongresi i Westfalisë ishte një kongres diplomatik formal, që rezultoi në traktate ndërkombëtare të shkruara, me vlerë të përgjithshme normuese për rendin evropian. Megjithatë, logjika e funksionimit – ndërveprim ndërmjet aktorëve sovranë për të arritur qëllime kolektive në mungesë të një autoriteti mbikombëtar – mbetet e njëjtë.
Sa u përket parimeve qëndrore, në të dy rastet theksohet barazia politike dhe mosndërhyrja si themel i bashkëjetesës ndërmjet aktorëve. Kuvendi i Lezhës funksiononte mbi bazën e një barazie funksionale, ku asnjëri nga pjesëmarrësit nuk kishte kompetenca mbi të tjerët, ndërsa në Westfali kjo u kodifikua përmes parimit të mosndërhyrjes në çështjet e brendshme të shtetit dhe njohjes reciproke të sovranitetit. Ndërsa Westfalia artikulon këtë me një gjuhë juridiko-diplomatike, Lezha e praktikoi në formë konsensuale dhe politike.
Së fundi, në aspektin teleologjik dhe simbolik, të dy ngjarjet kanë peshë të madhe, por në mënyra të ndryshme. Kongresi i Westfalisë u bë pikë referimi normativ për rendin ndërkombëtar modern, dhe i dha legjitimitet teorik konceptit të sovranitetit. Nga ana tjetër, Kuvendi i Lezhës nuk prodhoi traktate të njohura ndërkombëtarisht, por përbën një model pararendës praktik të bashkëpunimit shumëpalësh, që meriton një vend më të dukshëm në historiografinë ndërkombëtare. Nëse Westfalia është momenti i institucionalizimit të një rendi, atëherë Lezha është shprehja e hershme funksionale e këtij rendi, e zhvilluar në periferinë ballkanike të Evropës dhe e margjinalizuar nga rrëfimet eurocentrike.
Element | Kuvendi i Lezhës (1444) | Kongresi i Westfalisë (1648) |
Aktorë | Princër sovranë shqiptarë | Perandori, mbretëri dhe shtete europiane |
Qëllimi | Mbrojtje kolektive ndaj rrezikut osman | Mbyllja e një konflikti fetaro-politik dhe riafirmimi i sovranitetit |
Struktura | Aleancë strategjike me vendimmarrje kolektive | Kongres diplomatik me traktate ndërkombëtare |
Parime | Barazi politike, mos-ndërhyrje, bashkëpunim | Sovranitet, balancë fuqie, mos-ndërhyrje |
Rëndësia | Pararendëse praktike e rendit shumëpalësh | Normativizim teorik dhe institucional i tij |
- Konkluzion: Rishikimi i tezës eurocentrike për origjinën e rendit ndërkombëtar
Analiza e Kuvendit të Lezhës përmes lenteve teorike të shkencave politike – në veçanti të realizmit klasik dhe institucionalizmit liberal – na udhëheq drejt një rivlerësimi të domosdoshëm të narrativës dominuese mbi gjenezën e rendit ndërkombëtar. Teza eurocentrike, që e vendos Kongresin e Westfalisë të vitit 1648 si pikënisjen e rendit shumëpalësh modern, duhet të rishqyrtohet në dritën e fakteve historike dhe praktikave politike që kanë ndodhur në hapësira jashtë qendrës perëndimore.
Kuvendi i Lezhës, i mbajtur më shumë se dy shekuj përpara Westfalisë, përmban në thelb elementët që përbëjnë strukturën e rendit ndërkombëtar: aktorë sovranë, njohje reciproke, vendimmarrje kolektive, koordim strategjik në kushtet e një rendi anarkik, dhe sidomos, parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme. Këto janë kritere themelore që sot përdoren për të përshkruar sistemin ndërkombëtar modern. Fakti që ato funksionuan në Lezhë para se të kodifikoheshin në kancelaritë europiane tregon se ideja dhe praktika e rendit ndërkombëtar ka një histori më të hershme, më të shpërndarë dhe më të shumëllojshme, sesa ajo që na ofron narrativi standard europerëndimor.
Mospranimi i këtyre rasteve si pjesë legjitime e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare nuk është pasojë e ndonjë mangësie konceptuale apo metodologjike. Përkundrazi, është një produkt i selektivitetit historiografik, që ka prirje të përjashtojë kontributet e periferive gjeopolitike – siç është Ballkani – nga historia e formësimit të rendit ndërkombëtar. Ky përjashtim nuk ndodh sepse mungojnë kriteret përfshirëse, por sepse vetë kriteret janë ndërtuar në funksion të një qendre, duke nënvlerësuar apo injoruar modelet alternative të organizimit politik.
Në këtë kuptim, Kuvendi i Lezhës nuk është një episod periferik apo një përjashtim arkaik, por një shembull autentik i një rendi shumëpalësh funksional, i ngritur mbi parimet e bashkëpunimit sovran, reciprocitetit dhe sigurisë kolektive. Është një rast që sfidon vijën e vetme historike që e lidh fillimin e rendit ndërkombëtar me vetëm një qendër, dhe e ngre nevojën për një rishkrim pluralist të historisë ndërkombëtare, ku Ballkani të mos paraqitet si një spektator i prapambetur i zhvillimeve evropiane, por si një pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e logjikës ndërkombëtare.
Prandaj, Lezha nuk është vetëm histori kombëtare shqiptare, por pjesë e historisë së rendit ndërkombëtar. Ajo na kujton se rendit nuk i parapriu traktati, por fjala dhe veprimi kolektiv, dhe se praktikat e rendit shumëpalësh nuk janë ekskluzivitet i Evropës perëndimore, por produkt i nevojës së përbashkët për bashkëjetesë në një botë pa qeveri globale.
- Vlerësim kritik: Pse Kuvendi i Lezhës është përjashtuar nga narrativi klasik i marrëdhënieve ndërkombëtare?
Narrativa dominante që e trajton Kongresin e Westfalisë (1648) si themelin e rendit ndërkombëtar nuk është një konstruksion neutral dhe objektiv i historisë. Përkundrazi, ajo pasqyron një paradigmë eurocentrike, e cila ndërton kuptimin e së kaluarës duke privilegjuar përvojat politike të Evropës perëndimore dhe duke margjinalizuar përvojat alternative të periferive – përfshirë këtu edhe Ballkanin.
Siç e thekson Edward Said në veprën monumentale Orientalizmi (1978), Perëndimi ka ndërtuar një aparat epistemologjik që, nëpërmjet institucioneve të dijes, ka formësuar imazhin e botës jashtë tij si “tjetër” – irracional, i paorganizuar, i vonuar dhe inferior. Në këtë skemë, Ballkani përshkruhet si një zonë e ndërmjetme, një “gjysmë tjetër e Evropës”, që nuk zotëron aftësi për të prodhuar struktura politike të krahasueshme me modelet perëndimore. Si pasojë, ngjarje si Kuvendi i Lezhës nuk kanë hyrë në kanonin klasik të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, jo për mungesë substancash teorike, por për shkak të pamundësisë së tyre për të përfaqësuar “shkollën” dhe “etikën” perëndimore.
Këtë përjashtim e kanë problematizuar edhe studiues të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare. Barry Buzan dhe Richard Little, në veprën International Systems in World History (2000), argumentojnë se sistemet ndërkombëtare nuk kanë lindur me Westfalinë, por kanë ekzistuar në forma të ndryshme në Lindjen e Mesme, në Indinë e lashtë, në Kinën imperiale – dhe padyshim në pjesët “e harruara” të Evropës si Ballkani. Kuvendi i Lezhës, në këtë kuptim, është një nga ato modele historike që dëshmojnë për një rend shumëpalësh aktiv dhe të funksionalizuar, por që nuk është përfshirë në historiografinë klasike për arsye të përzgjedhjes ideologjike të materialit historik.
Në linjë të ngjashme, Brent Steele, në librin Defacing Power (2005), tregon se përjashtimi i ngjarjeve dhe strukturave të tilla nuk ka të bëjë vetëm me formën e tyre institucionale, por me simbolikën ideologjike që Perëndimi projekton mbi konceptin e “rendit”. Në këtë prizëm, Lezha nuk përjashtohet sepse i mungon racionaliteti politik apo kompleksiteti diplomatik – përkundrazi, ajo funksionoi si një kongres sovranitetesh të barabarta, me vendimmarrje kolektive dhe me funksione të ngjashme me ato të një organizate sigurie. Por ajo nuk i përkiste universi diskursiv të Perëndimit, dhe për këtë arsye nuk u kodifikua si moment themelues në strukturën klasike të historisë ndërkombëtare.
Kjo çon në një konkluzion të rëndësishëm: historia e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk duhet lexuar si një kronologji lineare të Perëndimit, por si një sistem global i ndërlikuar, ku qendrat e prodhimit të rendit, bashkëpunimit dhe sovranitetit kanë qenë të shpërndara në kohë dhe hapësirë. Për të ndërtuar një kuptim më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë të evolucionit të rendit ndërkombëtar, është e domosdoshme të rishkruajmë këtë histori me një optikë pluraliste, që njeh jo vetëm teoritë dhe traktatet e Evropës qendrore, por edhe praktikat e bashkëpunimit ndër-princëror të Ballkanit, Lindjes dhe Jugut Global.
Në këtë dritë, Kuvendi i Lezhës nuk është një anomali e rastësishme, por një shembull i errësuar nga struktura e përjashtimit epistemologjik. Rikthimi i tij në qendër të debatit mbi rendin ndërkombëtar përbën jo vetëm një akt rehabilitimi historik, por edhe një sfidë për mënyrën si e ndërtojmë dhe legjitimojmë dijen globale.
- Përfundim: Një precedent i padukshëm që sfidon monopolin historiografik të Perëndimit
Përfytyrimi i Kongresit të Westfalisë të vitit 1648 si “moment themelor” dhe “pikënisje absolute” e rendit ndërkombëtar modern është një konstrukt politik i vonshëm, jo një përfundim i natyrshëm i një analize krahasuese të fakteve historike. Ai nuk përfaqëson domosdoshmërisht një realitet objektiv, por një narrativë e prodhuar nga logjika e fuqisë, që synon të lidhë burimin e sovranitetit dhe normave ndërkombëtare me qendrat historike të Perëndimit.
Është e vërtetë se Westfalia institucionalizoi disa parime që sot konsiderohen themelore për sistemin ndërkombëtar: sovraniteti i shteteve, mos-ndërhyrja dhe barazia formale ndërmjet njësive politike. Por, ta konsiderosh atë si aktin fillestar do të thotë të injorosh evolucionin e gjatë të marrëdhënieve ndërmjet entiteteve politike që paraprinë këtë moment dhe prodhuan po të njëjtat funksione, ndonëse në forma më fluide dhe më pak të kodifikuara.
Në këtë kontekst, Kuvendi i Lezhës i vitit 1444 shfaqet si një precedent historik ndërkombëtar i përmasave sistemike. Ai përmban të gjitha elementet themelore të një rendi shumëpalësh: njohje reciproke të sovranitetit ndër-princëror, formim të një aleance të sigurisë kolektive, vendimmarrje përmes konsensusit, dhe mbi të gjitha, krijimi i një rendi funksional në mungesë të një autoriteti qendror – karakteristikë që sot e lidhim me natyrën anarkike të sistemit ndërkombëtar modern.
Ky fakt ka pasoja të rëndësishme në rrafshin teorik:
Së pari, sfidon themelin epistemologjik mbi të cilin është ndërtuar historia e marrëdhënieve ndërkombëtare si disiplinë. Qasjet dominante, që nga realpolitika e Hans Morgenthau deri te rendi anglo-liberal i Hedley Bull, kanë privilegjuar përvojat perëndimore duke ekskluduar periferitë si Ballkani, për shkak të një paradigme që nuk e njeh pluralitetin e origjinave. Siç vëren Amitav Acharya në konceptin e tij të “pluralizmit epistemik”, periferitë janë përjashtuar jo sepse nuk kanë qenë aktive në ndërtimin e rendit, por sepse nuk kanë qenë pjesë e gjuhës institucionale të Perëndimit.
Së dyti, Kuvendi i Lezhës tregon se fuqia ndërtuese e rendit nuk është ekskluzivitet i perandorive apo i shteteve me fuqi materiale. Në një kontekst fragmentimi të thellë gjeopolitik – me kërcënimin osman në lindje dhe ndarjet e krishterimit në perëndim – princërit shqiptarë arritën të krijojnë një mekanizëm koheziv, mbrojtës dhe efektiv që sfidoi për më shumë se dy dekada një superfuqi globale si Perandoria Osmane. Ky është një ilustrim i qartë se kapaciteti për të ndërtuar rend nuk është domosdoshmërisht i lidhur me dominimin material, por me vullnetin politik, konsensusin ndër-aktor dhe vetëdijen për ekzistencën si kolektiv sovran.
Së treti, përjashtimi i Lezhës nga narrativa kryesore është vetë një akt politik. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare është një formë e njohjes selektive, ku disa ngjarje dhe struktura përzgjidhen për të përfaqësuar universalen, ndërsa të tjerat mbeten në harresë, sepse nuk i shërbejnë legjitimitetit të narrativës dominuese. Në këtë mënyrë, siç do të thoshte Michel Foucault, historia shndërrohet në një regjim të së vërtetës, i diktuar nga marrëdhëniet e pushtetit, jo nga realitetet e të kaluarës.
Prandaj, teza e kësaj analize është e qartë dhe e mbështetur në evidencë krahasuese:
Kuvendi i Lezhës nuk është vetëm një ngjarje kombëtare shqiptare, por një moment ndërkombëtar me vlera sistemike që i parapriu Westfalisë për më shumë se një shekull.
Rikuperimi historiografik i këtij momenti nuk është një akt nacionalist, por një domosdoshmëri teorike dhe metodologjike për të korrigjuar vizionin e ngushtë të rendit ndërkombëtar si produkt ekskluziv i Perëndimit. Kjo do të thotë të pranojmë se rrënjët e rendit global janë më të thella, më të shpërndara dhe më të ndërlikuara sesa çfarë na ka treguar historia kanonike.
Në fund, një histori e ndershme e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të anashkalojë Lezhën – jo si një kuriozitet ballkanik, por si një akt themelor i ndërtimit të rendit, ku fjalët “barazi”, “konsensus” dhe “mos-ndërhyrje” nuk ishin vetëm parulla, por parime të zbatuara në praktikë.