Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, deklaroi të hënën se sulmi ajror i fundit ndaj Iranit kishte për qëllim neutralizimin e kërcënimeve strategjike, përfshirë kapacitetet bërthamore dhe balistike të Teheranit, ndërsa theksoi se qytetarët izraelitë janë të vetëdijshëm për rrezikun dhe të përgatitur për të përballuar çdo kërcënim, përcjell KDP.
“Sulmi kishte tre qëllime të qarta: të ndalonim kapacitetet bërthamore, kapacitetet balistike dhe qasjen politike të Iranit që synon zhdukjen e Izraelit”, tha Peleg në një intervistë për Euronews Albania. “Jemi të përgatitur dhe mirënjohës që ata ende nuk kanë arritur një kapacitet bërthamor që mund të përdoret për sulm.”
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas një serie sulmesh ajrore dhe kundërsulmesh që kanë vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare mundësinë e një përshkallëzimi më të madh rajonal.
Peleg tha se regjimi iranian po shfaq shenja dobësie dhe se kërkesat e Teheranit për armëpushim tregojnë se “ata e kuptojnë që ne jemi të vendosur dhe të qartë në qëndrimet tona”.
Sipas saj, shpresohet që presioni ndërkombëtar dhe reagimi i Izraelit do ta detyrojë Iranin të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë balistike.
“Njerëzit në Izrael e kuptojnë rrezikun që vjen nga kapacitetet e Iranit. Ata janë më të përgatitur se kurrë, edhe pse askush nuk mund të jetë plotësisht i përgatitur kur një raketë bie mbi shtëpinë tënde”, shtoi ambasadorja.
Duke folur për situatën në terren, Peleg tha se Izraeli ka regjistruar 24 viktima dhe rreth 600 të plagosur nga raketat iraniane në ditët e fundit. Ajo përshkroi një atmosferë solidariteti mes qytetarëve, duke theksuar se “njerëzit po ndihmojnë njëri-tjetrin dhe po qëndrojnë të bashkuar”.
“Nëse Irani do të kishte kapacitete bërthamore sot, situata do të ishte shumë më e rëndë. Kjo është arsyeja pse veprimi ynë ishte i domosdoshëm”, përfundoi Peleg.