Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) zhvilloi të hënën takimin e tij vjetor në Tiranë, bashkëkryesuar nga Amer Kapetanoviq, Sekretar i Përgjithshëm i RCC, dhe Gazmend Barbullushi, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, si Kryesues në Detyrë i Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL), transmeton KDP.MK. Takimi mblodhi përfaqësues të pjesëmarrësve dhe partnerëve të RCC-së për të bërë një vlerësim të arritjeve gjatë vitit të kaluar dhe për të përcaktuar prioritetet e ardhshme për bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore.
Pjesëmarrësit miratuan zyrtarisht Raportin Vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm për periudhën 2024-2025, i cili paraqet arritjet kryesore të organizatës gjatë vitit të fundit, si dhe Strategjinë dhe Programin e Punës të ri të RCC-së për periudhën 2026-2028, që shtron një agjendë ambicioze për vitet në vijim. Gjithashtu, pjesëmarrësve ju prezantua progresi në zbatimin e Strategjisë SEE2030 dhe u diskutuan hapat e ardhshëm në avancimin e këtij kuadri afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë rajonit.
“Rajoni sot ka një dritare të ngushtë, por kuptimplotë, për të siguruar që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë funksionale e Tregut Unik të BE-së. Kjo kërkon përkushtim, shpejtësi dhe mbi të gjitha rezultate. Mbi 80% e qytetarëve në rajon mbështesin bashkëpunimin më të fortë rajonal. Kjo nuk është vetëm një statistikë – është një thirrje për veprim. Na kujton se puna jonë duhet të mbetet e orientuar drejt qytetarit, e fokusuar në përfitime konkrete në tregti, lëvizshmëri, transformim digjital, tranzicion të gjelbër dhe zhvillim të kapitalit njerëzor”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq.
Duke folur në hapje të takimit, z.Barbullushi shprehu mirënjohje të thellë për Sekretarin e Përgjithshëm të RCC-së dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal. Ai tha se RCC-ja prej kohësh ka dëshmuar të jetë një nga asetet më të vlefshme të rajonit – një hallkë thelbësore mes ideve të mëdha dhe zbatimit të tyre konkret në dobi të qytetarëve të rajonit. Ai përfundoi se një bashkëpunim më i fortë rajonal do të thotë një proces më i shpejtë integrimi në BE, dhe se Shqipëria mbetet fuqimisht e përkushtuar për të mbështetur RCC-në dhe agjendat e saj strategjike.
Pjesëmarrësit ndoqën gjithashtu një mesazh video nga Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila theksoi rëndësinë e punës së RCC-së, duke thënë se bashkëpunimi rajonal tashmë “ka sjellë përfitime reale për qytetarët e rajonit, jo në një të ardhme të largët, por këtu dhe tani”. Ajo përmendi si shembuj konkretë shkurtimin e kohës së pritjes në kufij dhe përparimin në Agjendën e Gjelbër. “Ka shumë më tepër që mund të arrijmë, sidomos nëse bashkëpunimi rajonal funksionon si duhet. Ai mbetet një nga nxitësit më të mirë të ndryshimit,” përfundoi ajo.
Pjesëmarrësit mirëpritën dhe vlerësuan punën e RCC-së gjatë vitit të kaluar, duke e përgëzuar për rezultatet konkrete në fushat kyçe të bashkëpunimit rajonal dhe për rolin e saj në forcimin e qëndrueshmërisë, ndërlidhjes dhe përputhjes së rajonit me standardet e BE-së.
Ndër pikat kryesore të theksuara në Raportin Vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së janë: nisja e një Plani të ri Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028, thellimi i integrimit financiar me katër ekonomi që i bashkohen SEPA-s, hapa të mëtejshëm në Agjendën e Gjelbër dhe qëndrueshmërinë ndaj klimës, përparim në lëvizshmërinë e kapitalit njerëzor dhe inovacionin digjital, si dhe një ulje deri në 99% e kostove të roaming-ut të të dhënave mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Strategjia dhe Programi i ri i Punës i RCC-së 2026-2028 do të ndërtohet mbi këto suksese, me fokus në qëndrueshmëri përmes transformimit dhe zhvillimit, përputhje strategjike me prioritetet e BE-së, dhe bashkëpunim të thelluar në fusha si ndërlidhja, siguria njerëzore dhe rritja e qëndrueshme. Strategjia do të forcojë gjithashtu zbatimin e Strategjisë SEE2030, duke ndihmuar rajonin të ecë drejt një zhvillimi më gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe rezilient.