E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MAQEDONI E VERIUT: 22 SHTETAS KANË KËRKUAR NDIHMË PËR T’U LARGUAR NGA IZRAELI, PO ORGANIZOHET EVAKUIMI I TYRE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se deri të dielën, 22 persona, shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe anëtarë të ngushtë të familjeve të tyre, kanë kërkuar asistencë për t’u larguar nga territori i Izraelit dhe për t’u kthyer në vend, transmeton KDP.MK.

“Aktualisht janë duke u ndërmarrë aktivitete për evakuimin e tyre të shpejtë dhe transferimin në një vend të sigurt, nga ku do të organizohet kthimi i tyre në vend”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Sipas kësaj ministrie, përfaqësia diplomatiko-konsullore në Tel Aviv është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët që kanë kërkuar ndihmë, ndërkohë që strukturat përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme po punojnë intensivisht për të siguruar të gjitha kushtet për kthimin e tyre të sigurt.

Më herët, gjatë javës së kaluar, ministria apeloi te të gjithë shtetasit nga Maqedonia e Veriut të shmangin udhëtimet drejt vendeve të këtij rajoni deri në përmirësimin e situatës së sigurisë. Po ashtu, nga MPJ informojnë se është ngritur një shtab krizash që po ndjek situatën në vijimësi dhe është në funksion 24 orë në ditë për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për të gjithë qytetarët në nevojë.

Të fundit