E mërkurë, 16 Korrik, 2025

QUO VADIS, SALUTEM?

ËSHTË KOHA PËR NJË STRATEGJI TË RE SHËNDETËSORE – VIZIONI PËR PERIUDHËN 2025–2035

 

Shkruan: Prof. Dr. Dragan Danillovski

 

Gjatë viteve të kaluara, sistemi shëndetësor në Maqedoni është përballur me një sërë sfidash: pandemi, mungesë kronike e punonjësve shëndetësorë, lista të gjata të pritjes, sistem spitalor të fragmentuar dhe prapambetje teknologjike. Në një kontekst të tillë, çdo shtet ka për obligim të posedojë një dokument vizionar, i cili jo vetëm që i identifikon problemet, por ofron edhe një rrugë të qartë për tejkalimin e tyre. Prandaj ekzistojnë strategjitë.

Në vitin 2021, u miratua dokumenti “Strategjia për Shëndetësi 2021–2030” [1]. Fatkeqësisht, pavarësisht ambicies për të mbuluar një dekadë të tërë, ajo strategji nuk arriti as të plotësonte kushtet bazë për t’u bërë një instrument vërtet operacional për zhvillimin e sistemit shëndetësor.

Cilat janë dobësitë kryesore të saj?

1. Strategjia është e mbushur me angazhime deklarative (p.sh.: “përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore”), por mungojnë pothuajse krejtësisht të ashtuquajturat objektiva SMART – specifike, të matshme, të arritshme, relevante dhe të kufizuara në kohë. Pa tregues të qartë dhe të matshëm, progresi nuk mund të ndiqet apo të vlerësohet.

2. Në strategji mungon një plan i detajuar i aktiviteteve, afatet kohore, bartësit e obligimeve dhe treguesit për vlerësim (plan veprimi) për asnjë nga qëllimet strategjike. Në vend që të jetë një mekanizëm konkret për reforma, dokumenti mbetet në nivel të një vizioni të mirë, por pa zbatim praktik.

3. Edhe pse bëhet fjalë për një sistem kyç me interes publik, strategjia nuk përfshin rishikim të qëndrueshëm profesional, as dialog të hapur me universitetet (margjinalizim total!), dhomat profesionale dhe shoqatat e pacientëve. Si rezultat, ajo duket e mbyllur në administratë, por jo e legjitimuar në shoqëri.

4. Midis viteve 2021 dhe 2024, bota përjetoi digjitalizim masiv, zhvillim eksploziv të inteligjencës artificiale në mjekësi, modele të reja financimi dhe punësimi të kuadrit shëndetësor (përfshirë edhe spitalet hibride). Asgjë nga këto nuk është përfshirë në strategji.

5. Së fundi, nuk është miratuar as nga Qeveria, as nga Kuvendi, prandaj nuk ka forcë obliguese politike apo juridike.

Në këto kushte, vazhdimi me një strategji që është e mangët në aspektin sistemik, do të nënkuptonte humbje të kohës së çmuar, burimeve dhe besimit.

Na nevojitet një Strategji e re Kombëtare për Shëndetësi (2025–2035), që do t’i ruajë vlerat thelbësore të mëparshme, por me:

  • plan veprimi konkret për çdo objektiv strategjik,
  • matje të rezultateve,
  • mekanizëm të definuar të mbikëqyrjes institucionale,
  • miratim formal në nivel qeveritar dhe parlamentar, në mënyrë që të fitojë forcën politike dhe juridike të një “kushtetute shëndetësore”.

Kjo strategji duhet të bazohet në parimet vijuese:

1. Hartim përmes debatit publik, me përfshirjen e shoqatave profesionale, dhomave të profesionistëve, universiteteve, shoqatave të pacientëve dhe sektorit civil;

2. Strategjia duhet të përmbajë objektiva të qarta, kornizë kohore, bartës të aktiviteteve dhe indikatorë për monitorim – vetëm kështu mund të shndërrohet në një instrument për ndryshim të vërtetë;

3. Integrim të mjekësisë digjitale dhe inteligjencës artificiale – Shëndetësia maqedonase duhet ta përqafojë të ardhmen, jo vetëm në diagnostikim, por edhe në menaxhimin e pacientëve, shpërndarjen e burimeve dhe kontrollin e cilësisë;

4. Në epokën e sfidave të përbashkëta shëndetësore (pandemitë, ilaçet për sëmundje të rralla, mobiliteti i kuadrit), Maqedonia duhet të ndërtojë strategji të përputhshme me modelet evropiane të solidaritetit dhe koordinimit.

Cilët mund të jenë prioritetet strategjike të ardhshme?

Përballë sfidave të reja shëndetësore, teknologjike dhe demografike, strategjia e re mund të fokusohet në këto prioritete kyçe:

1. Fuqizimi i kuadrit shëndetësor përmes stimujve, rikthimit të autonomisë profesionale, decentralizimit dhe mbajtjes së kuadrit të ri në sektorin publik;

2. Transformimi digjital i sistemit shëndetësor;

3. Përmirësimi i cilësisë, qasjes dhe vazhdimësisë së shërbimeve shëndetësore;

4. Reforma e kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor – me ndarje funksionale të qartë, integrim digjital dhe menaxhim transparent;

5. Integrim funksional i sektorit shëndetësor publik (shtetëror) dhe atij privat;

6. Riorganizim i kujdesit shëndetësor tretësor – përmes integrimit të klinikave në një qendër të vetme klinike, e pastaj transformimi i saj në një qendër universitare me autonomi akademike dhe operative;

7. Financim të drejtë dhe të qëndrueshëm – me modele pagese të bazuara në rezultate, kritere të qarta dhe transparente për shpërndarjen e buxhetit dhe eliminim të monopolizmit të Fondit të vetëm për sigurim shëndetësor, duke hapur konkurrencën ndërmjet siguruesve;

8. Llogaridhënie institucionale dhe luftë kundër korrupsionit;

9. Politikë proaktive të shëndetit publik – parandalim, edukim shëndetësor, shëndet mendor, rezistencë ndaj klimës;

10. Bashkëpunim rajonal – prokurime të përbashkëta, mobilitet i kuadrit, ndarje e praktikave të mira;

11. Përgatitje për rreziqe klimatike dhe ekologjike dhe kriza globale – përmes strategjive shëndetësore për adaptimin e sistemit ndaj ndotjes së rritur, valëve të të nxehtit dhe sëmundjeve të reja të bartura me vektorë, por edhe ndaj kërcënimeve të tjera globale.

Na nevojitet një strategji që nuk shkruhet në zyrë, por ndërtohet me dije, përvojë dhe përgjegjësi publike. Një dokument që bëhet instrument veprimi – jo deklaratë pa realizim!

Strategjia Kombëtare për Shëndetësi 2025–2035 duhet të jetë rezultat i një debati të gjerë publik, e udhëhequr nga profesionistët dhe në interes të qytetarëve. Vetëm kështu sistemi shëndetësor do të mund të dalë nga stagnimi kronik dhe të lëvizë drejt një modeli modern, të drejtë dhe të qëndrueshëm.

 

 

[1] https://zdravstvo.gov.mk/wp-content/uploads/2021/12/19.11.-SZ-posledna-Konechna-Natsrt-Strategija-MKD.pdf

– Quo vadis, salutem? – Ku po shkon, shëndetësi?

 

 

Të fundit