Izraeli pretendon se ka vrarë tetë gjeneralë të lartë iranianë gjatë sulmeve ajrore të ndërmarra në dy ditët e fundit, duke i dhënë një goditje të rëndë strukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit, përcjell KDP.
Të paktën tre prej të vrarëve ishin pjesë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), forca më e fuqishme ushtarake në vend.
Sulmet izraelite synuan objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike dhe një numër shkencëtarësh të përfshirë në programin bërthamor të Iranit.
Kush ishin gjeneralët e vrarë:
Hossein Salami – Komandanti i përgjithshëm i IRGC që nga viti 2019. I sanksionuar ndërkombëtarisht për përfshirje në programin e raketave balistike të Iranit.
Mohammad Baqeri – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura që nga 2016 dhe figura e dytë më e fuqishme pas Liderit Suprem Ali Khamenei.
Gholam Ali Rashid – Komandant i Shtabit Qendror “Khatam-al Anbiya”, një nga figurat më të respektuara në hierarkinë ushtarake iraniane.
Amir Ali Hajizadeh – Komandanti i Forcës Ajrore të IRGC, i njohur si arkitekti i programit të dronëve dhe raketave të Iranit. U bë i njohur ndërkombëtarisht kur pranoi rrëzimin aksidental të avionit ukrainas në vitin 2020.
Mehdi Rabani – Zëvendësshefi i operacioneve të shtabit të përgjithshëm ushtarak, veteran i luftës Iran-Irak.
Gholamreza Mehrabi – Zëvendësdrejtori për inteligjencën ushtarake. Ka ruajtur gjithmonë një profil të ulët.
Davud Sheikhiyan – Komandant i Mbrojtjes Ajrore të IRGC-së. U emërua në këtë post pas vitit 2024.
Masud Shane’i – Shef kabineti i Hossein Salamit. U vra në të njëjtin sulm me të.
Sipas analistëve, kjo është një nga goditjet më të rënda që Izraeli ka ndërmarrë ndonjëherë ndaj strukturës komanduese të Republikës Islamike, duke rritur rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm rajonal.