Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto, realizoi të premten një vizitë njëditore në Shkup. Vizita, në fund u kurorëzua me nënshkrimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Strategjik ndërmjet dy qeverive, transmeton KDP.MK.
Sipas njoftimit të MPJ-së, ministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, dialogun intensiv politik dhe bashkëpunimin e avancuar sektorial. Ata theksuan rëndësinë e partneritetit të ndërtuar mbi miqësinë afatgjate dhe shkëmbimet ekonomike në rritje.
“Në takim, të dy ministrat përmendën marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke shprehur kënaqësi të ndërsjellë për dialogun intensiv politik dhe bashkëpunimin e zhvilluar sektorial. U përshëndet edhe miqësia tredekadëshe dhe bashkëpunimi i shkëlqyer tregtar, i cili është rritur vazhdimisht në periudhën e kaluar. Në këtë kontekst, të dy ministrat konkluduan se partneriteti maqedono-hungarez bazohet në lidhje të forta politike dhe bashkëpunim të zhvilluar ekonomik, i cili do të fitojë një vrull edhe më të madh në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Në fokus të takimit ishin procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut “dhe mbështetja e vazhdueshme dhe e fuqishme e Hungarisë për hapjen e negociatave me BE-në”.
Ministri Mucunski theksoi rëndësinë e Planit të Veprimit të nënshkruar së fundmi për Ndarjen e Njohurive për Anëtarësimin në BE ndërmjet institucioneve përkatëse të dy vendeve.
“Në këtë drejtim, ministri Mucunski shprehu besimin se mbështetja do të vazhdojë me një ritëm të pandërprerë në periudhën e ardhshme, duke marrë parasysh Planin e Veprimit të nënshkruar së fundmi për Ndarjen e Njohurive në Lidhje me Anëtarësimin në BE midis Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministrive të Punëve Evropiane të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas MPJ-së, u diskutua edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s në funksion të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.
Gjatë vizitës, krahas Marrëveshjes për Bashkëpunim Strategjik, u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e arsimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Jashtme hungareze, që parasheh bashkëpunim në kuadër të programit “Stipendium Hungaricum” për periudhën 2026-2028.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut ka marrë kredi prej Hungarisë. Më 15 maj, në kuadër të kredisë hungareze për investime dhe zhvillim, Banka e Zhvillimit e Maqedonisë së Veriut pagoi këstin e tretë në vlerë prej 41.3 milionë eurosh për mbështetjen e 175 projekteve të ndërmarrjeve vendase.