E mërkurë, 16 Korrik, 2025

TEATRI I RINUMËRIMIT

Shkruan: Mero Baze

Ndërsa Sali Berisha ka nevojë të shtyjë verën me konferenca shtypi dhe të flasë për rinumërimin e votave, të gjitha rezultatet e rinumërimit tregojnë ose korrektësi në numërim, ose ndonjë vjedhje votash mes kandidatëve të PD-së, por edhe ato ende jo në atë shkallë sa të delegjitimojnë mandatet e njëri-tjetrit.

Në gjithë këtë histori bie në sy qetësia dhe indiferenca me të cilën socialistët e shikojnë këtë proces vetëvrasës brenda opozitës, të cilës në këtë rast i shkon për shtat fjala e urtë popullore: “Kërkon të ndreqë vetullat dhe po nxjerr sytë”, dhe ankthi me të cilin e ndjekin kandidatët e opozitës kundër njëri-tjetrit.

Mjafton këto dy fotografi për të kuptuar se çjerrjet e zërit të Berishës për manipulime në zgjedhje janë kthyer në problem të brendshëm të PD-së dhe jo në problem për integritetin e procesit zgjedhor.

Pas gjithë kësaj, është e pakuptueshme kjo teatërsi e opozitës me rinumërimin.

Rinumërimi kërkohet kur je i bindur që ai përmbys rezultatin ose të paktën diskrediton procesin. PD-ja, që tashmë është peng i “misionarit” Berisha, është duke luajtur një teatër të pështirë, ku nga njëra anë bën sikur është dakord me retorikën e manipulimit të zgjedhjeve që pretendon Berisha për të shpëtuar karrigen e tij, dhe nga ana tjetër shikon sesi i kanë vjedhur votat njëri-tjetrit — dhe gjithë problemi i manipulimit po reduktohet në disa banalitete të numërimit të personalizuar me njëri-tjetrin.

Opozita ka dy opsione:
Ose të mbështesë retorikën e Berishës për manipulim të zgjedhjeve dhe të bien dakord që çfarë thotë Berisha është e vërtetë dhe duket sikur janë në një betejë parimore.
Ose të vendosin të mbështesin rinumërimin e kutive dhe të reflektojnë në bazë të tij.

Rruga e parë është më e lehtë dhe e praktikuar pas çdo pale zgjedhjesh prej tyre. Kjo e dyta ka qenë e ndaluar prej tyre, ndaj dhe dogjën kutitë dhe nuk i hapën më 2011. Por meqë tani ua lejon ligji, mund ta ndjekin dhe atë rrugë. Por rruga e dytë është kundër të parës. Hapja e kutive dhe rinumërimi hedhin poshtë manipulimin dhe dëmtojnë PD-në brenda vetes.

Ndaj ky teatër i rinumërimit duhet ose të zgjedhë rinumërimin për të rrëzuar Berishën, ose të zgjedhë Berishën për të rrëzuar rinumërimin. Të dyja bashkë, siç shihet qartë, nuk qëndrojnë, pasi janë kundër njëra-tjetrës. Përveç rastit kur e ke ndarë mendjen që po luan teatër. Si Berisha!

Të fundit