E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MICKOSKI NDAN MIRËNJOHJE PËR ARRITJE SPORTIVE, ASH: ASNJË SHQIPTAR MES TYRE

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndau të mërkurën mirënjohje kombëtare për arritje të larta në sport për 22 sportistë në futboll, basketboll dhe hendboll, të cilët kanë fituar Ligën e Kampionëve në Evropë me klubet e tyre vendore apo ndërkombëtare, transmeton KDP.MK.

Të shpërblyerit, të cilët kryeministri Hristijan Mickoski i quajti “heronj” dhe “legjenda”, përfshijnë emra të njohur si Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdoski, Pero Antiç, Kiril Lazarov e të tjerë. Por ajo që bie në sy dhe ka ngjallur reagime në opinion është mungesa e plotë e sportistëve shqiptarë në këtë listë nderimesh.

“Këta janë sportistë që kanë arritur rezultate kulmore në klubet e tyre, në garat e klubeve, duke garuar në Evropë. Edhe atë ekskluzivisht flasim për Ligën e Kampioneve ose Euroligën në basketboll… Përveç këtyre që i patë sot nuk ka emra të tjerë që kanë fituar ligë të kampionëve ose Euroligë”, tha Mickoski.

Sipas ligjit, sportistëve me arritje të larta kombëtare u takon një plaketë dhe një pension mujor i përhershëm, në vlerë deri në një pagë e gjysmë të pagës mesatare në vend.

Mickoski sqaroi se pasqyra etnike e sportistëve përfitues të pensionit dallon kur bëhet fjalë në sportet individuale.

“Për këtë dua të theksoj se në sportet individuale, rezultate të këtilla të larta, kur do të merret në përqindje, dhe që janë shpërblyer me lloj të këtillë të pensionit të përhershëm, 47% janë maqedonase, mbi 20% janë shqiptarë, dhe të tjerët. Këtu ndoshta do të kritikojnë nga opozita tjetër, se pse atje ka pak maqedonas. Por në sportet individuale dua të them se kjo ndarje është ndryshe. Unë jam i bindur se shumë shpejtë do të kemi trima të tjerë të këtillë, pa dallim nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, ose të tjerët, shtetas të Maqedonisë, që do ta promovojnë shtetin e tyre dhe në sportet individuale, por edhe në ato kolektive, dhe do të arrijnë rezultate të larta, duke e fituar Ligën e Kampionëve, Euroligën, ose në sportet individuale të na befasojnë dhe gëzojnë me medalje olimpike, në kampionate botërore, me medalje në kampionate europiane, e kështu me radhë”, tha Mickoski.

Lidhur me mungesën e sportistëve shqiptarë në listën e të dekoruarve, kritikoi edhe opozita shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët tha se për shqiptarët dyert janë të mbyllura edhe në sport dhe vlerësimet më të larta sportive që ndahen nga shteti dhe institucionet shtetërore.

“Sot, 22 sportistë u shpërblyen nga shteti me Mirënjohje Sportive Nacionale (pension sportiv). Asnjë shqiptar mes tyre edhe pse ka sportist shqiptarë që ka medalje evropiane. Sipas ligjit, pensioni sportiv u takon vetëm atyre që kanë fituar medalje në gara olimpike, botërore apo evropiane në sporte olimpike, duke përfaqësuar reprezentacionin e Maqedonisë. Po ashtu, në sportet jo-olimpike, e drejta për pension u takon vetëm atyre që kanë fituar medalje të artë në kampionate evropiane ose botërore. Ligji i ri – sportistët të cilët kanë arritur rezultat për klubin amë në garat europiane dhe botërorë për klube të vendit dhe jasht vendit. Në mesin e fituesve të mirnjohjeve nacionale të sportit (pensioni sportiv) kishte edhe sportistë të cilët janë aktiv, pikërisht ne si shqiptarë kemi garues aktiv që kanë medalje europiane dhe nuk kanë qenë të ftuar për mirënjohje”, thuhet në reagimin e ASH-së.

 

 

 

Të fundit