E mërkurë, 16 Korrik, 2025

“TOKA SHITET” NË SOFJE: NJË PERFORMANCË UNIKE NGA IDRIZ AMETI

„Artisti që bashkon kulturat ballkanike“. Kështu shkruan Radioja Kombëtare Bullgare për Idriz Ametin, këngëtarin shqiptar nga Shkupi i cili javën e kaluar është paraqitur para publikut të Sofjes me projektin e tij solo „Toka Shitet“,- përcjell kdp.mk.

Më 6 qershor 2025, në një nga baret e Sofjes, publiku bullgar pati rastin të ndjekë një performancë të veçantë nga këngëtari shqiptar Idriz Ameti, artist me rrënjë në Maqedoninë e Veriut dhe një histori të pasur kulturore. Ai erdhi në kryeqytetin bullgar me projektin e tij solo “Toka Shitet”, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë, autentike dhe të mbushur me tinguj tradicionalë.

“Jam shumë i emocionuar. Me grupin ‘Blla Blla Blla’ jam në skenë prej 30 vitesh, por ky projekt është krejt tjetër. Jam vetë në skenë, me sharkinë në dorë dhe kjo është një përvojë e re për mua,” shprehet artisti, pak para se të ngjitej në skenën e Sofjes.

Ameti njihet për stilin e tij të veçantë muzikor, i cili frymëzohet nga udhëtimet dhe përvojat personale. “Udhëtimet bëjnë ekperienca të reja, dhe unë gjithë kohën jam në lëvizje, dhe kërkoj inspirim, frymëzim për atë që e ndjej, e nxjer prej vetes, dhe cdo herë kur udhëtoj diku dhe kthehem, unë jam i frymëzuar dhe pothuajse cdo herë del nga një këngë e bukur.”

Projekti “Toka Shitet” përfaqëson një kthesë në krijimtarinë e tij, një hap i guximshëm drejt vetë-shprehjes përtej skenës kolektive.

“Unë jam pjesë e grupit “Blla Blla Blla” mirëpo ka kohë që kam dashur të bëj dicka vetë, solo, që nuk do të jetë e njëjtë ose e ngjashme me ato që bëjmë me grupin, dhe pata dëshirë ta bëja atë dhe e bëra. E morra instrumentin “kombëtar”, sharkijen dhe provova të nxjerr dicka prej vetes që prej kohësh është duke më zier në mendje dhe doli, doli kënga, doli energjia pozitive e dolën shumë gjëra që me fjalë nuk kam si ti them, dhe thashë, po, kjo është ajo, dhe do të vazhdojë. Sa do të zgjasë nuk e di.”

Edhe pse nuk është hera e parë që vjen në Bullgari, lidhjet me vendin tonë mbeten të kufizuara për shkak të kohës së shkurtër që kalon këtu. Megjithatë, përshtypjet janë pozitive:

“Kur vi, vi vetëm për koncert dhe shumë pak shoqërohem për shkak se të nesërmen kthehem. Mirëpo në përgjithësi, mendoj se bullgarët janë njerëz shumë të butë dhe të mirë. Aq mund të them. Si njoh shumë që të mund të them janë ashtu apo kështu. Momenti i parë që jam takuar në Bullgari me njerëzit, kanë qenë shumë të mirë dhe të butë.”

Ameti është optimist për të ardhmen e bashkëpunimeve kulturore në rajon. Sipas tij, ka ende shumë hapësirë për shkëmbime më të shpeshta mes artistëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

“Ka përherë mundësi për më shumë dhe më mirë.  Mes Maqedonisë dhe Bullgarisë marrëdhëniet janë pak më të shpeshta për shkak se jemi fqinjë, jemi shumë afër. Mirëpo me Shqipërinë dhe me Kosovën janë pak … më të ftohta nuk do të thoja, por pak më të rralla.”/Radioja Kombëtare e Bullgarisë, programi në gjuhën shqipe/

 

Të fundit