Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare një nga figurat më të njohura të historisë politike dhe mjekësore të Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi.
Ai ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil nga viti 1991 deri në vitin 2000, duke luajtur një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar mbi represionin serb në Kosovë, veçanërisht nga Gjermania, ku veproi për afro një dekadë.
I lindur në Suharekë më 1947, Dr. Bukoshi përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Beogradit më 1971, ndërsa më pas u specializua në urologji në Prishtinë dhe Beograd. Ai vazhdoi trajnimet pasuniversitare në Gjermani përmes bursave të njohura, përfshirë ato të DAAD-it dhe Senatit të Berlinit, ndërsa më 1985 mbrojti doktoraturën në fushën e onkologjisë urologjike në Berlin.
Përveç karrierës së tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, Dr. Bukoshi ka qenë një ndër bashkëthemeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm. Për shkak të veprimtarisë së tij politike, në vitin 1990 ai u dëbua me dhunë nga Klinika e Urologjisë në Prishtinë.
Gjatë viteve të ekzilit, ai udhëhoqi organizimin e rrjetit të financimit nga diaspora shqiptare (“3 përqindëshi”), përmes të cilit u mbajtën në funksion sistemet paralele të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.
Dr. Bujar Bukoshi la pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan dhe Taulant.