E mërkurë, 16 Korrik, 2025

UEJL DIPLOMON GJENERATËN E 21-TË NË NJË CEREMONI NË TETOVË

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë organizoi të shtunën ceremoninë vjetore të diplomimit, ku mbi njëmijë studentë të gjeneratës së 21-të festuan përfundimin e studimeve të tyre, përcjell KDP.

Ngjarja, e zhvilluar në kampusin qendror të universitetit, mblodhi diplomantë, familjarë, përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete lokale dhe stafin akademik e administrativ.

Në fjalën e tij drejtuar studentëve, kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, i inkurajoi të diplomuarit që njohuritë e fituara t’i përdorin për të sjellë ndryshime në shoqëri.
“Tani, si të diplomuar, përgjegjësia juaj është të merrni atë që keni mësuar dhe ta përdorni për të bërë një ndryshim domethënës,” tha ai.

Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, deklaroi se diploma e universitetit është një pasaportë e vlefshme për tregun ndërkombëtar të punës dhe njoftoi se do të largohet nga posti i rektorit pas përfundimit të mandatit të tij tremujor. “Diploma juaj është pasaporta më kredibile edhe për tregun perëndimor,” tha ai, duke shtuar se mbështetja për universitetin do të vazhdojë në rolin e tij të ardhshëm.

Ceremonia u shoqërua me performanca muzikore nga grupi NRG Band dhe interpretimin e himnit studentor “Zëri i Dijes” nga profesori dhe artisti Agim Poshka.

Studentja Njomza Behadini, që përfaqësoi gjeneratën e diplomuar, tha se përvoja në UEJL ka qenë formuese, jo vetëm në aspektin akademik por edhe personal. “Këto vite kanë qenë një përgatitje për jetën dhe sfidat që na presin,” u shpreh ajo.

UEJL, një institucion me orientim ndërkombëtar i themeluar në vitin 2001, njihet për promovimin e arsimimit shumëgjuhësor dhe integrimit evropian në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut.

Të fundit