E mërkurë, 16 Korrik, 2025

SHEFI I “OPTIMUS” LARGOHET NGA TESLA – PROGRAMI QË MUSK THOTË SE VLEN 25 TRILIONË DOLLARË

Milan Kovaç, nënkryetari i Teslës përgjegjës për programin e robotit humanoid “Optimus”, ka njoftuar largimin nga kompania pas nëntë vitesh pune, vetëm disa muaj pasi CEO Elon Musk deklaroi se roboti do ta shndërrojë Teslën në një kompani me vlerë 25 trilionë dollarë, përcjell KDP.

Kovaç e nisi karrierën e tij në Tesla në vitin 2016 si inxhinier në ekipin për Autopilot. Deri në vitin 2019, ai tashmë drejtonte zhvillimin e softuerit për drejtimin autonom, ndërsa në vitin 2022 iu bashkua ekipit të robotit humanoid “Optimus”. Në fund të vitit 2023 u promovua në pozitën e nënkryetarit dhe mori drejtimin e plotë të projektit.

“Këtë javë kam marrë vendimin më të vështirë të jetës time – të largohem nga pozita. Kam qenë larg shtëpisë për një kohë shumë të gjatë dhe kam nevojë të kaloj më shumë kohë me familjen time jashtë vendit. Dua ta bëj të qartë se kjo është arsyeja e vetme. Mbështetja ime për Elon Musk dhe ekipin mbetet e hekurt – Tesla përgjithmonë,” shkroi Kovaç në deklaratën e tij.

Elon Musk e ka përshkruar në mënyrë të përsëritur “Optimus”-in si thelbësor për të ardhmen e kompanisë, duke pretenduar se roboti mund të gjenerojë 10 trilionë dollarë të ardhura në vit. Megjithatë, këto pretendime deri tani nuk janë mbështetur me të dhëna konkrete. Sipas vlerësimeve të tregut, industria globale e robotëve humanoidë aktualisht vlen disa miliarda dollarë, me projeksione që arrijnë nga 15 deri në 80 miliardë dollarë deri në vitin 2032.

Kovaç nuk është inxhinieri i vetëm nga programi “Optimus” që është larguar kohët e fundit nga Tesla. Kompania “Figure”, e cila gjithashtu zhvillon robotë humanoidë, ka punësuar kohët e fundit Zachary Bernholtz, një veteran 7-vjeçar i Teslës dhe së fundmi Menaxher Teknik i Programeve.

Pavarësisht përparimeve në zhvillimin e “Optimus”-it, ekspertët e industrisë kanë shprehur skepticizëm, sidomos për shkak të mungesës së transparencës në lidhje me shkallën e autonomisë së robotit, duke përmendur përdorimin e mundshëm të teleoperimit në demonstratat e mëparshme.

Ndërkohë, konkurrenca po rritet – kompania kineze “Unitree” tashmë po shet një robot humanoid, ndërsa kompania amerikane “Figure” po bën përparime të konsiderueshme në zhvillimet e saj.

 

 

Të fundit