E mërkurë, 16 Korrik, 2025

UDHËTARËT FITUAN: BE MIRATON 30 TË DREJTA TË REJA PËR PASAGJERËT AJRORË – JA ÇFARË DO TË NDRYSHOJË PËR JU!

Ministrat e Transportit të Bashkimit Evropian arritën të enjten një marrëveshje politike për të përditësuar rregullat që garantojnë të drejtat e pasagjerëve ajrorë, duke shënuar ndryshimin e parë të madh pas më shumë se një dekade për mbrojtjen e udhëtarëve përballë vonesave, anulimeve apo humbjes së fluturimeve.

Marrëveshja synon të thjeshtojë rregullat ekzistuese, të sjellë mbi 30 të drejta të reja për pasagjerët dhe të sigurojë një zbatim më të qëndrueshëm në të gjitha shtetet anëtare. Kjo vjen pas vite të tëra negociatash të dështuara dhe kërkesash në rritje nga pasagjerët dhe linjat ajrore për rregulla më të qarta dhe moderne.

“Kjo është një pikë kthese historike,” tha ministri i Infrastrukturës i Polonisë, Dariusz Klimczak. “Pas 12 vitesh negociata, më në fund po ofrojmë rregulla moderne, të drejta dhe të qarta për pasagjerët.”

Sipas qëndrimit të Këshillit, pasagjerët do të kenë më shumë të drejta për ridrejtim, ndihmë dhe kompensim në rast të vonesave apo anulimeve. Linjat ajrore do të detyrohen të ofrojnë mundësi ridrejtimi “sa më shpejt të jetë e mundur”, përfshirë përmes operatorëve të tjerë ose mjeteve alternative të transportit. Nëse nuk e bëjnë këtë brenda tre orëve nga ndërprerja, pasagjerët do të kenë të drejtën të organizojnë vetë udhëtimin dhe të kërkojnë rimbursim deri në 400% të çmimit fillestar të biletës.

Rregullat e reja përcaktojnë gjithashtu nivele të përditësuara kompensimi:

300 euro për vonesa prej të paktën katër orësh në udhëtime nën 3.500 kilometra ose brenda BE-së

500 euro për vonesa prej të paktën gjashtë orësh në fluturime më të gjata

 

Pasagjerët do të kenë gjithashtu të drejtë kompensimi nëse informohen për anulimin e fluturimit më pak se 14 ditë para nisjes. Në këto raste, linjat ajrore duhet të ofrojnë formularë të paraplotësuar për kërkesën e kompensimit.

Qëndrimi i Këshillit parashikon gjithashtu ndalimin e politikës së diskutueshme “no-show”. Kjo do të thotë se pasagjerët që nuk u lejuan të hipin në fluturimin e kthimit sepse nuk shfrytëzuan fluturimin e vajtjes, do të kenë të drejtën e kompensimit.

Po ashtu, marrëveshja do të qartësojë të drejtën për ndihmë materiale, si ushqim, pije dhe akomodim gjatë ndërprerjeve. Nëse kompania ajrore nuk e siguron këtë ndihmë, pasagjerët mund ta organizojnë vetë dhe të kërkojnë rimbursim. Pasagjerët që mbeten në avion për më shumë se tre orë (tarmac delay) duhet të zbresin dhe të marrin ndihmën e nevojshme.

Rregullorja e re vendos gjithashtu afate të rrepta për trajtimin e ankesave. Pasagjerët do të kenë deri në gjashtë muaj për të paraqitur një kërkesë, dhe linjat ajrore duhet të përgjigjen ose të kryejnë pagesën brenda 14 ditëve.

Marrëveshja kalon tani në Parlamentin Evropian për lexim të dytë. Deputetët mund ta miratojnë, ndryshojnë ose hedhin poshtë qëndrimin e Këshillit përpara se rregullorja të hyjë në fuqi.

Komisioni Evropian e propozoi për herë të parë përditësimin e këtyre rregullave në vitin 2013, për të adresuar paqartësitë rreth kompensimeve dhe përgjegjësive në sektorin e fluturimeve. Rregullat ekzistuese, që mbulojnë refuzimin e imbarkimit, vonesat, anulimet dhe çështjet me bagazhet, janë kritikuar për interpretim të paqëndrueshëm dhe zbatim të dobët.

 

 

 

Të fundit