Me librin me rrëfime kujtimesh nga fëmijëria, “Hapat shtalb”, shkrimtari dhe publicisti Daut Dauti të mërkurën është kthyer në vendlindjen e tij, fshatin Bojanë të komunës së Sarajit, duke e promovuar atë para ish-nxënësve, arsimtarëve dhe shumë mysafirëve, miqve e kolegëve të autorit.
Ky libër i botuar nga fundi i vitit të kaluar, pa dritën për të shënuar 55-vjetorin e punimit të parë letrar të botuar në revistën për fëmijë, “Gëzimi” dhe 35 vjetorin e botimit të librit të parë.
“Ideja për këtë libër ka lindur shumë vite prapa, ajo pastaj është pjekur, diçka kam hedhur në letër që në fëmijëri, e shumë rrëfime tjera i kam hedhur në letër më pas, që më në fund ta marrë versionin përfundimtar. Ato janë rrëfime për një kohë e për një fëmijëri me plot skamje, për një fëmijëri të kaluar në rrugët e pluhurosura ose të përbaltura, në një kohë të dimrave të gjatë e me borë, në një kohë rrëshqitëzash që nuk ekziston më. Megjithatë, ishte një fëmijëri interesante në mënyrë të vet”, tha midis tjerash autori i librit, Daut Dauti, ngapak i mbërthyer nga emocionet e kthimit në shkollën dhe në klasën ku i ka kryer tri vitet e para të fillores, duke shprehur kënaqësinë që vendlindja që e ka lënë para më shumë se 50 vjetësh, tash ka përparuar shumë.
“Ky libër nuk është thjesht një vepër letrare — është një kutizë kujtimesh, një thesar fëmijërie, ku secili nga ne mund të gjejë copëza të vetvetes. Në çdo rrëfim ndiejmë aromën e një kohe të shkuar, kur edhe gjërat më të vogla kishin kuptim të madh. Ëndrrat e fëmijëve, topat prej leckash, mungesa e biçikletës, apo një letër e ruajtur me kujdes, marrin përmasat e një bote që nuk vdes kurrë — sepse jeton në kujtesën tonë.”, tha prof. Merita Abazi në fjalën e saj.
“Dauti, me përvojën dhe ndjeshmërinë që e karakterizon, ka ditur të na sjellë këtë botë me një gjuhë të pastër, të përkorë dhe të ngrohtë, pa stërhollime, por me shumë ndjenjë. Në këtë vepër e njoha fshatin Bojanë, famijem e Dautit, shokët, miqtë, familjarët, si dhe rrethinën, spitalin e Ohrit e mësuesen Marija, si dhe shkollën fillore në Shkup me arsimtarët e tij”, tha ajo.
“Në këto faqe ka dashuri për jetën, për fëmijërinë, për vendlindjen, për kujtimet që na formësojnë. Dhe kjo i bën “Hapat shtalb” një libër jo vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u përjetuar. E përgëzoj autorin për këtë vepër që flet butë, por depërton thellë. Dhe ju ftoj të gjithëve: lexojeni këtë libër me zemër – ashtu siç është shkruar”, u sugjeroi në fund lexuesve profesoresha dhe poete e shkrimtare, Merita Abazi.
Përveç rrëfimet e fëmijërisë, Dauti në shkollën e vendlindjes e promovoi edhe librin publicistik, ”Pa biçikletë”.
“Është ky një libër për një ëndërr të një djaloshari i cili ka ëndërruar që kur të hapet shteti amë, ta përshkojë atë me biçikletë, por që kur vjen dita për ta vizituar përnjëmend realizimi i ëndrrës bëhet ndryshe, edhe atë ende pa u ra perdja ideologjike dhe pa biçikletë, në një vizitë shkrimtarësh në vitin 1990, u shpreh në fillim recensenti i librit, Nijazi Muhamedi. Ai në vazhdim, rëndësinë që kanë tekstet e librit, duke nisur nga vizita e parë në Shqipëri, pastaj udhëpërshkrimeve nga Ukraina dhe një serë reportazhesh e skicash tjera, e sheh te karakteri tyre i përtejkohshëm, duke qenë ngjarje me rëndësi historike ose që kanë karakter universal. Ai foli edhe për profilin profesional të Dautit, si një nga penat më të shquara të gazetarisë në Maqedoni.
Për rëndësinë e veprave të promovuara, folën edhe Bukurie Mustafa, përfaqësuese e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe shkrimtari për fëmijë, Fejzi Bojku, që për rastësi, pikërisht vëllai i tij, Hilmi Bojku, ka qenë mësuesi i parë i klasës ku ka mësuar autori i librave. Bojku duke folur me pietet për gjithë atë që ka krijuar dhe kontribuar Dauti, veçoi edhe periudhën e vështirë ku ata bashkërisht kanë udhëhequr “Flakën e vëllazërimit”.
Me rastin e promovimit të këtyre veprave, Fondacioni ALBIZ i dhuroi shkollës së Bojanës 150 kopje të librit “Hapat shtalb”, për bibliotekën e shkollës ose dhuratë për nxënësit e shkëlqyeshëm, si dhe një sasi tjetër për shkollave të fshatrave të Dërvenit.