E mërkurë, 16 Korrik, 2025

SHËNDETËSIA – NUK ËSHTË SHPENZIM, POR PARAKUSHT PËR PROSPERITET

(RRËFIMI PËR ASKLEPIUN)

Shkruan: Prof.Dr Dragan Danillovski

Nga pozita e një epidemiologu me përvojë shumëvjeçare, profesor universitar dhe ish-ministër i Shëndetësisë, kam detyrim – por edhe përgjegjësi – të bëj një nga diagnozat më të pakëndshme, por të domosdoshme:

Në Maqedoni, shëndetësia, gjatë më shumë se tridhjetë viteve të fundit, nuk ka qenë përparësi shtetërore, por një obligim deklarativ i reduktuar në fraza boshe, zgjidhje ad-hoc dhe nënvlerësim kronik të rëndësisë së saj. Dëshmi për këtë është fakti që shëndetësia nuk ka qenë kurrë në listën e prioriteteve strategjike të asnjë qeverie!

Ky është një gabim serioz sistemik. Arsyeja është e thjeshtë: Në çdo shoqëri serioze, shëndetësia nuk shihet si një sektor i zakonshëm, por si themel i mbijetesës kombëtare dhe si një burim strategjik i zhvillimit.

Në botën e sotme, ku çdo shtet synon rritje ekonomike, përparim teknologjik dhe stabilitet social, një faktor qëndron si themel i domosdoshëm – por shpesh i nënvlerësuar: shëndeti i popullsisë.

Popullata e shëndetshme nënkupton produktivitet më të lartë, shpenzime më të ulëta për ndihmë sociale, arritje më të larta arsimore, rritje më të qëndrueshme ekonomike dhe, më në fund, siguri kombëtare më të madhe.

Pse, pikërisht shëndetësia, mban këtë peshë?

  1. Pa fuqi punëtore të shëndetshme, nuk ka ekonomi, nuk ka taksa, nuk ka përparim. Njeriu i sëmurë nuk është vetëm individ që vuan – ai është edhe energji ekonomike dhe sociale e humbur.
  2. Shëndetësia është imuniteti kombëtar! Ajo është vija e parë që mbron shoqërinë nga epidemitë, sëmundjet kronike, vuajtjet mendore dhe pabarazitë shëndetësore. Pa sistem shëndetësor, të gjithë jemi të pambrojtur – si individualisht, ashtu edhe kolektivisht. Shëndetësia publike dhe ajo private duhet të jenë pjesë e një sistemi unik dhe të integruar.
  3. Të gjitha analizat ekonomike tregojnë: çdo denar i investuar në kujdesin shëndetësor kthehet përmes zvogëlimit të paaftësisë, zgjatjes së aftësisë për punë dhe rritjes së produktivitetit. Sipas Bankës Botërore, përmirësimi i indikatorëve shëndetësorë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e PBB-së për frymë. Shembujt nga vendet nordike, Singapori, madje edhe disa ish-ekonomi tranzicioni, tregojnë se investimi në sistemin shëndetësor nuk është luks, por strategji për mbijetesë dhe zhvillim.
  4. Sa më cilësor të jetë një sistem shëndetësor, aq më shumë qytetarët kanë besim në institucionet shtetërore. Shëndetësia publike është pasqyrë e kujdesit të shtetit ndaj popullit të vet.

Ku qëndrojmë ne, realisht?

Megjithëse pothuajse të gjitha qeveritë deri më sot, në mënyrë deklarative, e kanë shpallur shëndetësinë si “prioritetin më të lartë”, realiteti në terren është krejt tjetër:

• Buxheti për shëndetësi është nën mesataren evropiane;

• Mungesë kronike e stafit shëndetësor, që po emigron masivisht;

• Infrastrukturë e rrënuar dhe pajisje të vjetruara – shpesh të papërdorura;

• Korrupsion, nepotizëm dhe ndikime politike në menaxhimin e institucioneve shëndetësore;

• Tolerim i një sistemi paralel – formalisht “publik”, por në thelb shëndetësi shtetërore dhe private e ndërthurur;

• Mungesë e një strategjie kombëtare dhjetëvjeçare për shëndetësinë, e miratuar në nivel Kuvendi – si një “kushtetutë shëndetësore” që garanton vazhdimësi të politikave, pa marrë parasysh kush është në pushtet.

Këto nuk janë vetëm dobësi institucionale – janë simptoma shoqërore. Simptoma të një indiference të përgjithshme ndaj interesit publik.

Si shoqëri, nuk mund të presim rezultate nga arsimi, ekonomia, shkenca apo drejtësia, nëse i ndërtojmë mbi një sistem shëndetësor të dobët, të shpërfillur dhe të fragmentuar.

Shëndetësia nuk është shtojcë e shtetit – ajo është themel biologjik, moral dhe ekonomik i tij.

Çfarë duhet bërë?

• Të trajtohet shëndetësia si infrastrukturë me rëndësi kritike, jo si sektor për poena të shpejta politike;

• Të rritet buxheti për shëndetësi, por edhe përgjegjësia për shpenzimin e tij;

• Të vendoset sistem transparent i menaxhimit, pa ndikime partiake;

• Të integrohen shëndetësia publike dhe ajo private në një sistem të vetëm shëndetësor;

• Të vendoset pluralizëm në sigurimin shëndetësor;

• Të mbahen punonjësit shëndetësorë përmes mbështetjes reale, pagave të dinjitetshme dhe zhvillimit profesional;

• Të rikthehet vertikalja morale në mjekësi, përmes mbrojtjes së autonomisë profesionale dhe etikës.

Shëndetësia nuk është vetëm vend ku shërohen sëmundjet. Ajo është sistemi imunitar i shoqërisë. E kur ky sistem dobësohet, të gjitha reformat e tjera, sado të mira të jenë, do të jenë vetëm “kulla prej rëre”.

Nuk ka shtet të fortë pa popullatë të shëndetshme.

Nuk ka popullatë të shëndetshme pa sistem shëndetësor të fortë dhe të drejtë.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse, në mënyrë të përsëritur, gjatë mijëvjeçarëve, çdo “Olimp i ri” dëshiron ta vrasë Asklepiun?

Që të mos i prishë “rendin në kozmosin e tyre”?

———

Asklepi ose Eskulapi (greqisht e vjetër: Ἀσκληπιός [Asklepios]; latinisht: Aesculapius) – ishte perëndi e mjekësisë, shërimit, rinimit dhe mjekëve në mitologjinë e lashtë greke.

 

Të fundit