Ekipi DOGE i Elon Musk po zgjerohet në përdorimin e chatbot-it të tij të inteligjencës artificiale, Grok, brenda qeverisë federale të SHBA-së për të analizuar të dhëna, thanë tre burime të njohura me çështjen – duke ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të ligjeve mbi konfliktin e interesit dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive të miliona amerikanëve, përcjell KDP.
Sipas burimeve, përdorimi i Grok nga DOGE – i njohur zyrtarisht si Ekipi për Efikasitetin e Qeverisë – po ndodh jashtë procedurave të miratuara, në një kohë kur Presidenti Donald Trump po tenton të riformatojë burokracinë federale.
Një nga burimet tha se ekipi i Musk po përdor një version të personalizuar të Grok për të analizuar të dhëna dhe për të përgatitur raporte. Dy burime të tjera pohuan se punonjësit e DOGE u kanë kërkuar zyrtarëve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) ta përdorin chatbot-in, pavarësisht se ai nuk ishte aprovuar për përdorim brenda agjencisë.
Reuters nuk arriti të verifikojë llojin e të dhënave të futura në sistemin e Grok apo mënyrën e konfigurimit të tij. Grok është zhvilluar nga xAI, kompania teknologjike që Musk themeloi në vitin 2023 në platformën e tij sociale, X.
Ekspertët e etikës dhe teknologjisë paralajmërojnë se nëse Grok ka akses në të dhëna konfidenciale, kjo mund të përbëjë shkelje të ligjeve mbi sigurinë dhe privatësinë dhe t’i japë Musk-it një avantazh të padrejtë në tenderët federalë.
Zyra e Musk, Shtëpia e Bardhë dhe kompania xAI nuk pranuan të komentojnë. Një zëdhënës i DHS mohoi që DOGE të ketë ushtruar presion ndaj stafit të agjencisë për të përdorur Grok. “DOGE nuk ka detyruar asnjë punonjës të përdorë ndonjë mjet apo produkt të caktuar,” tha zëdhënësi, duke theksuar se misioni i ekipit është të luftojë abuzimet dhe keqmenaxhimin.
Në faqen zyrtare të xAI thuhet se përdorimi i Grok mund të monitorohet për “qëllime specifike biznesi”. Kompania përshkruan ambicien për të krijuar një AI me “njohuri të gjithanshme dhe të pakufizuara”.
Si pjesë e përpjekjeve për të rritur efikasitetin, DOGE ka marrë akses në baza të dhënash federale me informacion personal të ndjeshëm, që zakonisht janë të kufizuara për një numër të vogël zyrtarësh. Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i këtyre të dhënave për trajnimin e AI ose për qëllime të tjera mund të përbëjë rrezik të madh për privatësinë dhe sigurinë kombëtare.
“Nëse DOGE po ushtron presion që agjencitë të përdorin Grok për përfitime komerciale, kjo përbën konflikt interesi dhe rrezik serioz etik,” tha Richard Painter, ish-këshilltar etik në administratën e presidentit George W. Bush.
Përdorimi i Grok ndodhi edhe pasi DHS nën administratën e mëparshme lejoi përdorimin e platformave si ChatGPT dhe Claude, por vetëm për të dhëna jo-konfidenciale. Në maj, DHS pezulloi papritur përdorimin e të gjitha mjeteve komerciale të AI-së pas dyshimeve për keqpërdorim të të dhënave sensitive.
Në një zhvillim të ndarë, disa punonjës të një agjencie të Departamentit të Mbrojtjes u njoftuan se aktivitetet e tyre në kompjuterë po monitoroheshin nga një mjet algoritmik – ndërkohë që dy burime thonë se DOGE po kërkon të trajnojë AI për të identifikuar punonjës që nuk janë “besnikë” ndaj agjendës së Trump.
Departamenti i Mbrojtjes mohoi përfshirjen e DOGE në monitorimin e rrjetit dhe deklaroi se “të gjitha kompjuterët qeveritarë janë subjekt i monitorimit sipas marrëveshjes standarde të përdoruesit.”
Musk, i cili është aktualisht punonjës special qeveritar me afat të kufizuar, njoftoi muajin e kaluar se do të reduktojë angazhimin e tij me DOGE në një ose dy ditë në javë. Ai ka deklaruar se ekipi i tij do të vazhdojë të punojë edhe pas largimit të tij nga roli në Shtëpinë e Bardhë.