E shtunë, 14 Qershor, 2025

“KUR VRASËSIT MASIVË JU FALËNDEROJNË, JENI NË ANËN E GABUAR TË HISTORISË” – NETANYAHU SHPËRTHEN NDAJ LIDERËVE TË BRITANISË, FRANCËS DHE KANADASË

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar liderët e Britanisë, Francës dhe Kanadasë se po e “forcojnë Hamasin”, pasi ata kërkuan ndalimin e ofensivës izraelite në Gaza dhe heqjen e kufizimeve për ndihmat humanitare.

Në një postim në platformën X, Netanyahu u drejtua drejtpërdrejt kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit kanadez Mark Carney, duke thënë: “Kur vrasës masivë, përdhunues, vrasës foshnjash dhe rrëmbyes ju falënderojnë – atëherë jeni në anën e gabuar të drejtësisë”.

Më herët gjatë javës, tre liderët perëndimorë dënuan ashpër sjelljen e qeverisë izraelite në Gaza dhe paralajmëruan se do të ndërmarrin “masa konkrete” nëse Netanyahu nuk ndryshon qasje.

“Është e pabesueshme si një e vërtetë kaq e thjeshtë u shpëton liderëve të Francës, Britanisë, Kanadasë dhe të tjerëve,” tha Netanyahu, duke akuzuar se qëndrimi i tyre nuk sjell paqe, por “i jep kurajë Hamasit të luftojë pafundësisht”.

Deklaratat e tij u publikuan pas sulmit në ambasadën izraelite në Uashington, ku dy diplomatë izraelitë u vranë – një ngjarje që tronditi opinionin publik dhe detyroi përforcim të sigurisë në përfaqësitë diplomatike të Izraelit.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi sulmin si “antisemitik” dhe shprehu solidaritet me komunitetin hebre. Downing Street deklaroi se ka ofruar “mbështetje të plotë” për ambasadën izraelite në Londër.

Ndërkohë, marrëdhëniet midis Britanisë dhe Izraelit ranë në pikën më të ulët prej dekadash, pasi ministri i jashtëm britanik David Lammy ndërpreu negociatat për një marrëveshje të re tregtare dhe dënoi deklaratat e ministrave izraelitë që kërkonin “pastrimin e Gazës”. Mbretëria e Bashkuar vendosi gjithashtu sanksione ndaj disa kolonëve izraelitë.

Ministri britanik i Forcave të Armatosura, Luke Pollard, mbrojti qëndrimin e qeverisë së tij të premten, duke thënë se mënyra më e mirë për të sjellë paqe është një armëpushim i menjëhershëm, lirimi i pengjeve nga Hamasi dhe shpërndarja e ndihmës humanitare pa vonesa.

Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por vetëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

 

 

Të fundit