Në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, Qendra e Biznesit dhe Inovacionit (BIC) organizoi të mërkurën një sesion informues kushtuar Programit Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj (EPIC Programme) – një iniciativë e Bashkimit Evropian (BE) që synon të mbështesë zhvillimin e sipërmarrësisë përmes bashkëpunimit ndërkombëtarë dhe shkëmbimit të përvojave ndërkufitare, transmeton KDP.MK.
Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u njohën nga afër me përmbajtjen dhe mundësitë që ofron ky program për sipërmarrësit e rinj, si dhe për individët që synojnë të themelojnë një biznes. Programi EPIC u jep mundësinë për të punuar nga një deri në gjashtë muaj me sipërmarrës të suksesshëm dhe me përvojë në vendet e Bashkimit Evropian apo ato partnere.
Komisioni Evropian mbulon pjesërisht qëndrimin jashtë vendit, duke ofruar mbështetje financiare dhe profesionale për të zhvilluar aftësitë sipërmarrëse dhe zgjerimin e rrjeteve profesionale.
Përmes programit, të rinjtë kanë mundësinë të fitojnë përvojë praktike në një ambient ndërkombëtar, të shkëmbejnë ide dhe qasje të reja, si dhe të forcojnë vizionin e tyre për drejtimin e një biznesi.
Programi nuk ka kufizime sa i përket moshës apo sektorit të veprimtarisë, ndërsa BIC – si organizatë ndërmjetëse – ofron mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë procesit të aplikimit dhe shkëmbimit. Të pranishmit u informuan edhe për kriteret e përzgjedhjes, dokumentacionin e nevojshëm dhe hapat për aplikim.

Kjo ngjarje dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të BIC për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të ofruar qasje në instrumente reale që ndihmojnë në rritjen dhe suksesin e bizneseve të reja.
Programi EPIC paraqet një dritare të re për zhvillim dhe bashkëpunim për të gjithë ata që synojnë të ndërtojnë një të ardhme sipërmarrëse, dhe ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur sa më shumë të rinj në këtë udhëtim ndërkufitar.
Për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të mësojnë më shumë ose të aplikojnë për programin, vizitoni faqen zyrtare – https://techpark.seeu.edu.mk/en/news-resources/latest-news?id=189 – ose kontaktoni ne email: [email protected]/[email protected].