Ministri japonez i Bujqësisë, Taku Eto, dha dorëheqje të mërkurën pasi shkaktoi zemërim publik me deklaratën se nuk blen kurrë oriz sepse e merr falas, përcjell KDP.
Komentet e tij u bënë në një kohë kur çmimet e orizit në Japoni janë pothuajse dyfishuar gjatë vitit të fundit, të nxitura nga të korrat e dobëta, paralajmërimet për tërmete dhe rritja e kërkesës.
“Sapo dorëzova dorëheqjen time te kryeministri Ishiba,” u tha Eto gazetarëve në zyrën e kryeministrit.
Eto u përball me kritika pasi gjatë një aktiviteti politik tha se merr mjaft oriz nga mbështetësit dhe se nuk ka nevojë të blejë asnjëherë. Publiku reagoi ashpër, veçanërisht duke pasur parasysh se çmimi mesatar për 5 kilogramë oriz ka arritur në 4.268 jenë (29 dollarë) – gati dyfish më shumë se një vit më parë.
Kryeministri Shigeru Ishiba emëroi ish-ministrin e Mjedisit, Shinjiro Koizumi, si pasardhës të Eto-s.
Në një deklaratë, Eto tha se komentet e tij kanë qenë “jashtëzakonisht të papërshtatshme” dhe se kupton shqetësimin e qytetarëve që përballen me rritjen e kostove të ushqimit.
Qeveria më herët këtë vit liroi 300.000 tonë oriz nga rezervat emergjente në përpjekje për të stabilizuar çmimet, dhe muajin e kaluar importoi oriz nga Koreja e Jugut për herë të parë në 25 vjet.
Sipas një sondazhi nga agjencia Kyodo, 87% e qytetarëve janë të pakënaqur me reagimin e qeverisë ndaj krizës së çmimeve, ndërsa mbështetja për kabinetin e Ishibas ka rënë në nivelin më të ulët që nga marrja e detyrës në tetor.
Lideri i opozitës, Junya Ogawa, i quajti deklaratat e Eto-s “të papërshtatshme, të papërgjegjshme dhe krejtësisht të papranueshme”.