Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë shpallur sanksione të reja të gjera ndaj Rusisë, pasi biseda telefonike e së hënës ndërmjet presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin nuk solli ndonjë lëshim domethënës nga Moska.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, akuzoi Rusinë se “po përpiqet të fitojë kohë për të vazhduar luftën dhe pushtimin”, pasi Putin refuzoi të mbështesë një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor të propozuar nga SHBA, të cilin Ukraina e kishte pranuar.
Qeveria britanike tha se sanksionet e reja do të synojnë dhjetëra entitete që mbështesin makinën ushtarake të Rusisë, eksportet e energjisë, fushatën e dezinformimit si dhe institucionet financiare që ndihmojnë në financimin e agresionit ndaj Ukrainës.
“Putin deri më tani nuk ka vendosur një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar siç ka kërkuar Presidenti Trump, dhe që është mbështetur nga Presidenti Zelenskyy që para më shumë se dy muajsh,” tha Ministria e Jashtme britanike.
Më pas, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, njoftoi se BE ka miratuar sanksione kundër “flotës së errët” të Rusisë – rreth 200 cisterna me pronësi të dyshimtë dhe pa sigurime të rregullta – dhe paralajmëroi masa të tjera. “Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më i ashpër do të jetë reagimi ynë,” tha ajo.
Pas embargos së naftës ndaj Rusisë që nga viti 2022, Moska filloi të mbështetej te këto anije për të vazhduar eksportet.
Zelenskyy i mirëpriti sanksionet e BE-së, duke thënë se është e domosdoshme të kufizohet ashpër flota që financon luftën dhe prodhimin ushtarak të Rusisë. Ai theksoi se “lufta duhet të përfundojë në tryezën e negociatave”, por kërkoi propozime të qarta dhe reale, si dhe më shumë presion ndaj Kremlinit.
“Po punojmë me partnerët tanë për të ndikuar që Rusia të sillet ndryshe. Sanksionet kanë rëndësi dhe jam mirënjohës për të gjithë ata që i bëjnë ato më të prekshme për ata që nxisin luftën,” tha ai.
Presidenti Trump bëri të qartë të hënën, pas telefonatës me Putinin, se SHBA-të nuk janë ende të gatshme t’u bashkohen përpjekjeve evropiane për sanksione. Ministria e Jashtme ruse e akuzoi BE-në për përpjekje për të penguar rifillimin e dialogut të drejtpërdrejtë, duke shtuar: “Rusia nuk i përgjigjet ultimatumeve.”
Dështimi i kësaj nisme të ndërmjetësimit nga Trump theksoi shqetësimin në Kiev dhe kryeqytetet evropiane se ai në fakt i pranoi refuzimet e Putinit për një armëpushim të menjëhershëm.
Trump u shpreh se bisedimet e ardhshme duhet të zhvillohen mes Kievit dhe Moskës, ndoshta me ndërmjetësim nga Vatikani. Ai e përshkroi telefonatën me Putinin si “të shkëlqyer” dhe tha se “bisedimet do të fillojnë menjëherë”, por nuk kërkoi armëpushim të menjëhershëm nga Rusia.
Sipas raportimeve të Axios, liderët evropianë që morën pjesë në një thirrje pasuese me Zelenskyy – përfshirë kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministrat e Italisë dhe Finlandës, si dhe presidenten e Komisionit Evropian – u befasuan nga përshkrimi që Trump i bëri bisedës me Putinin.
Burimet e tyre thanë se “Trump dukej mjaft i kënaqur me ato që dëgjoi nga Putin, dhe e paraqiti atë si zhvillim të ri, edhe pse qëndrimi i liderit rus nuk kishte ndryshuar fare”.
Moska vijon të këmbëngulë se çdo marrëveshje për armëpushim të përkohshëm duhet të përmbushë kërkesat e saj të njohura dhe maksimale. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “nuk ka afat për hartimin e një memorandumi për negociatat e ardhshme”, duke shtuar: “Djalli qëndron në detaje”.
Të martën, Rusia e zhvendosi sërish përgjegjësinë te Ukraina, duke kërkuar që ajo të bashkëpunojë me propozimin e saj për marrëveshje paqeje.
Në një konferencë për shtyp të hënën mbrëma, Zelenskyy konfirmoi raportimet nga takimet e fundit në Stamboll, ku Rusia kishte kërkuar që Ukraina të tërhiqej nga pesë rajone – përfshirë territore që nuk janë nën pushtim rus.
“Kjo është toka jonë, nuk do të tërheqim trupat. Kjo do të thotë se ata nuk duan paqe – kërkojnë diçka që e dinë se nuk do ta pranojmë,” tha Zelenskyy.
Zyrtarët në Kiev janë gjithnjë e më të shqetësuar se qëndrimi i Trump favorizon më shumë interesat e tij personale me Rusinë sesa përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit përmes ndikimit amerikan.
Në mungesë të angazhimit të plotë nga SHBA, Ukraina është përqendruar te Evropa për të kërkuar më shumë sanksione dhe ndihmë ushtarake kundër Rusisë.