Lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, deklaroi se koalicioni qeveritar i udhëhequr nga VMRO-DPMNE është në shpërbërje vetëm një vit pas formimit, pas largimit të Arben Taravarit dhe partisë së tij Aleanca për Shqiptarët (ASH) nga qeveria.
Filipçe tha se gjatë kësaj jave do të takohet me Taravarin, pasi takimi i mëparshëm u shty.
“Takimi me Arben Taravarin u shty për këtë javë, kështu që këto ditë do të takohem me të”, tha Filipçe në një konferencë për media në Shkup, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur për zhvillimet e fundit, Filipçe tha se “koalicioni qeveritar po shpërbëhet një vit pas formimit”. Ai kujtoi se Taravari ishte “një nga faktorët kyç nga blloku shqiptar” që iu bashkua qeverisë dhe shtoi se mbetet të shihet se si do të pozicionohet ASH në vazhdim.
Taravari, i cili dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë dy ditë më parë, deklaroi për televizionin shqiptar MCN se partia e tij u largua nga Qeveria dhe nga koalicioni VLEN sepse ishte ndjerë e “anashkaluar” dhe se ASH nuk dëshiron të jetë “zbukurim në pushtet”.