Kanceri është përhapur në kocka, sipas zyrës personale të ish-presidentit.
Ish-presidenti amerikan Joe Biden është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, i cili është përhapur në kocka, konfirmoi të dielën zyra e tij personale, përcjell KDP.
“Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden u ekzaminua për një nodul në prostatë pas përkeqësimit të simptomave urinare,” thuhej në deklaratë. “Të premten, ai u diagnostikua me kancer të prostatës me një rezultat Gleason 9 (Grupi i Gradës 5) dhe me metastazë në kocka.”
Metastaza tregon përhapjen e kancerit nga vendi fillestar, në këtë rast prostata, në inde të tjera të trupit.
Zyra e Biden bëri të ditur se ndonëse bëhet fjalë për një formë më agresive të sëmundjes, kanceri duket të jetë i ndjeshëm ndaj trajtimit hormonal, çka e bën të mundur menaxhimin efektiv.
Familja Biden po shqyrton disa opsione trajtimi me mjekët e tij, përfshirë trajtimin hormonal, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Biden ndodhet në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware, por ende nuk është bërë e ditur se ku do të trajtohet.
Një rezultat Gleason 9 nënkupton një kancer me potencial të lartë për rritje dhe përhapje.
“Gleason 9 është, sipas përkufizimit, agresiv, por serioziteti varet nga pamja në skanimet PET,” tha Dr. Alan Tan nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt, i cili nuk është i përfshirë në rastin e Biden.
Ai shtoi se kjo formë e kancerit të prostatës nuk është e pazakontë. “E shoh çdo ditë në klinikën time,” tha Tan. “Është një pjesë standarde e onkologjisë urogjenitale.”
Ekspertët thonë se shumica e burrave të diagnostikuar me këtë lloj kanceri nuk vdesin nga ai. Ndjeshmëria hormonale është një faktor pozitiv në trajtim.
Dr. Chris George nga Northwestern Medicine tha se nëse Biden reagon ndaj trajtimit, ai mund të jetojë edhe për vite me radhë me sëmundjen nën kontroll.
Ish-presidenti Donald Trump dhe figura të tjera politike nga të dyja krahët politikë shprehën solidaritet me Biden.
“Ne i dërgojmë urimet më të mira Jill-it dhe familjes dhe i urojmë Joe-s një shërim të shpejtë e të suksesshëm,” shkroi Trump në Truth Social.
Edhe ish-presidenti Barack Obama u shpreh se ai dhe bashkëshortja Michelle po luten për shërimin e plotë të Biden dhe e përgëzoi për përpjekjet në luftën kundër kancerit, përmes nismës Cancer Moonshot.
Kanceri i prostatës është një nga format më të zakonshme të kancerit tek burrat. Rreth një në tetë burra diagnostikohen gjatë jetës, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit.
Në vitin 2024, Biden u tërhoq nga gara presidenciale për mandatin e dytë. Pas diagnostikimit të tij, politikanët demokratë dhe republikanë lanë mënjanë përkohësisht debatet për të uruar shërim të shpejtë.
“Presidenti Biden është një patriot i madh amerikan,” tha ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi. “Miliona vetë po luten për forcën e tij në këtë betejë kundër kancerit.”
Biden e nisi për herë të parë drejtimin e nismës Cancer Moonshot në vitin 2016 si zëvendëspresident, pas humbjes së djalit të tij, Beau Biden, nga kanceri në tru.
Në kontrollin e tij të fundit fizik në shkurt 2024, mjeku i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi Biden si “të shëndetshëm, aktiv dhe energjik në moshën 81-vjeçare”.