Më 17 maj 2025 në Tetovë, u mbajt Raundi Kombëtar i Olimpiadës së Ekonomiksit, organizuar nga Instituti Alternativa Liberale (LAI) dhe Economics Fundamentals Initiative (EFI), me mbështetjen e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Pas një gare të fortë, u përzgjodhën 5 më të mirët, të cilët do ta përfaqësojnë vendin në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomiksit, që do të mbahet në Gusht të këtij viti në Greqi, në Olimpiën e Lashtë, që njihet si vendi ku kanë filluar garat e para Olimpike, transmeton KDP.MK.
“Në këtë garë prestigjioze morën pjesë mbi 70 nxënës nga 30 shkolla dhe 16 qytete të ndryshme duke përfshirë qytete si Koçani, Shtipi, Velesi, Gjevgjelia, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivar, Kërçova, Makedonski Brodi, Struga, Prilepi, Kriva Palanka dhe të tjerë, duke konkurruar në dy faza testimi. Pas një gare të fortë, u përzgjodhën 5 më të mirët, të cilët do ta përfaqësojnë vendin në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomiksit, që do të mbahet në Gusht të këtij viti në Greqi, në Olimpiën e Lashtë, që njihet si vendi ku kanë filluar garat e para Olimpike”, njoftojnë nga Instituti Alternativa Liberale (LAI).
Fituesit e 5 vendeve të para janë:
- Stefan Mladenovski – SHMK “Josif Josifovski”, Gjevgjeli
- Angela Trpeska – SHMK “Vasil Antevski – Dren”, Shkup
- Dren Haliti – SHMK “Nikolla Shtejn”, Tetovë
- Jasir Mustafa – SHMK “8 Shtatori”, Shkup
- Anastasija Shikoska – Kolegji Jahja Kemal, Strugë
Rektori i UEJL-së, Akademik Abdylmenaf Bexheti, deklaroi se kjo ngjarje tashmë kjo ngjarje është bërë tradicionale dhe paraqet parahyrje për fazën e ardhshme.
“Tanime e kemi bërë këtë event tradicional ndër vite, të quajtur Olimpiada e Ekonomiksit, në të cilën do të garojnë maturantë dhe nxënës nga shkollat e mesme në çështjet e ekonomiksit dhe që është një paratrajnim, parahyrje, përgatitje për fazën e ardhshme të tyre”, deklaroi Bexheti.
Në ndërkohë drejtori ekzekutiv i LAI, Orhan Ceka, si organizator i këtyre garave theksoi rritjen e vazhdueshme të këtij aktiviteti edukativ.
“Është me rëndësi të ceket se jemi në vitin e tretë të organizimit dhe çdo vit kemi rritje në pjesëmarrje – nga 25 shkolla në vitin e parë, tash në nivel nacional kemi shtrirje në 52 shkolla, dhe kemi kaluar nga 900 nxënës në 2693 pjesëmarrës në fazën shkollore. Sot kemi rreth 70 nxënës nga shkolla të ndryshme nga 16 qytete të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nënvizoi Ceka.
Në fund, Presidenti i EFI dhe profesor në Hunter College, CUNY – SHBA, Randall Filer, i inkurajoi finalistët se do të shkruante letër rekomandimi për secilin fitues, që më lehtë të marrin bursa për të ndjekur studimet në SHBA.
“Top 5 finalistët nga gara kombëtare mund shumë lehtë të pranojnë bursë dhe të ndjekin studime bachelor në universitete të mëdha në SHBA, dhe unë do të isha shumë i lumtur të shkruaja një letër rekomandimi për secilin prej tyre”, tha Filer
Ky aktivitet që organizohet tanimë trе vite, jo vetëm që promovon edukimin ekonomik në mesin e të rinjve, por gjithashtu fuqizon aftësitë e tyre analitike, të të menduarit kritik dhe përgatitjen për sfidat e ekonomisë moderne.

Kujtojmë se vitin e kaluar, në Raundin Rajonal të Olimpiadës së Ekonomiksit morën pjesë 295 nxënës nga 35 shkolla.