E shtunë, 14 Qershor, 2025

QEVERIA E MAQEDONISË DUHET TA DËNOJË GJENOCIDIN NË GAZA

Shkruan: Denko Maleski

Shfaqja e figurës së Hitlerit në filmat që paraprinin shfaqjet në kinematë e lagjes Place d’Étoile në qendër të Bejrutit, në fillim të viteve ’60, shoqërohej gjithmonë me duartrokitje të fuqishme nga publiku arab. Si djalë i një ambasadori jugosllav – përfaqësues i një shteti fitues në luftën antifashiste pikërisht kundër Hitlerit dhe aleatëve të tij – në moshën rreth njëmbëdhjetëvjeçare nuk kisha shpjegim për këtë fenomen. Vetëm më vonë, ndër vite, i kuptova arsyet për këtë urrejtje, e cila ishte rezultat i një indiference morale nga ana e arabëve ndaj fatit të miliona hebrenjve të Evropës, të cilët përfunduan në dhomat e gazit të nazistëve.

Më vonë mësova për tragjedinë e 700,000 palestinezëve që u dëbuan nga atdheu i tyre në aksionin e parë ushtarak të “pastrimit etnik” për të “bërë vend” për kolonët hebrenj, të cilët krijuan shtetin e Izraelit në vitin 1948. Në vitet pas luftës, ne e njihnim dhe ndjenim dhembje për tragjedinë hebraike, por për atë palestineze nuk dinim asgjë.

Më kujtohet se ishim të mahnitur nga duart punëtore të kolonëve hebrenj, të cilët ndërtuan një nga shtetet më të suksesshme në botë, për të cilën ndjenim admirim. Një shtet ekonomikisht i përparuar, demokracia e vetme në Lindjen e Mesme, e cila gëzonte mbështetjen e pakursyer të Evropës, dhe veçanërisht të Amerikës. Por për vuajtjet e palestinezëve në një shtet të aparteidit nuk fliste askush.

Sot, në epokën e teknologjisë digjitale, nuk është më e mundur të fshihen ngjarjet nga sytë e publikut botëror. Ndërkohë që palestinezët po bombardohet me bomba të vërteta, ne “bombardohemi” me skena tmerri në ekranet tona, ku burra, gra dhe fëmijë vriten sistematikisht, në përmasa të paparë deri më sot. Në shtëpitë tona shohim përditë njerëz të uritur që me tenxhere në duar grumbullohen rreth kazanëve me ushqim; pamje të të sëmurëve në spitale të rrënuara; të vrarë e të plagosur; fëmijë të lënduar; lot fëmijësh… Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor e deri më sot janë vrarë mbi 50,000 njerëz dhe mbi 100,000 janë plagosur. Kjo është gjenocid.

Sigurisht që nuk do të duartrokasim për tragjeditë e popujve, siç ndodhte në kinematë e Bejrutit në fëmijërinë time, por kam frikë se pamjet që shohim çdo ditë nga gjenocidi ndaj palestinezëve në Gaza do të na bëjnë moralisht indiferentë ndaj vuajtjeve të qenieve të tjera njerëzore. Prandaj, në emrin tonë, shteti i Maqedonisë duhet ta dënojë qartë dhe publikisht politikën e djathtë, nacionaliste dhe gjenocidale të qeverisë së Benjamin Netanyahut dhe të dalë në mbrojtje të jetëve të pambrojtura të palestinezëve.

Qëndrimi është i qartë dhe i mbështetur nga pothuajse të gjitha 193 shtetet anëtare të OKB-së: krijimi i një shteti palestinez. Për dekada kemi jetuar në iluzionin se përfaqësuesit politikë palestinezë ishin ata që sabotonin idenë e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, për ta kuptuar më në fund se pas sabotimit qëndronte që në fillim ideja e një Izraeli të Madh. Një ide mbi të cilën 6 milionë hebrenj u mohojnë të drejtën për ekzistencë në shtetin e tyre 6 milionë palestinezëve, duke i mbajtur të shtypur nën një sistem aparteidi. /Libertas.mk

 

 

Të fundit