E shtunë, 14 Qershor, 2025

PËRÇARJE E RE NË ASH, FRAKSIONI I ARBEN FETAIT DO TË MBETET NË VLEN

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe funksionar i lartë i Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, tashmë udhëheq një fraksion të brendshëm që refuzon të ndjekë liderin Arben Taravari në vendimin për largim nga koalicioni VLEN dhe qeveria, thonë burime partiake për kdp.mk.

Fetai, i shoqëruar nga disa figura të Aleancës, udhëtoi për në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një veprim që shihet si demonstrim i hapur i përkushtimit ndaj VLEN-it dhe bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në agimin e kësaj dite, me disa miq të idealit nga Aleanca, morëm rrugën për në Prishtinë, nëpër autostradën ‘Arbën Xhaferi’, një simbol i lidhjes sonë shpirtërore dhe kombëtare,” shkroi Fetai në Facebook.

“Sot më shumë se kurrë, na bashkon vizioni i përbashkët për përparim dhe zhvillim – një ideal që nuk njeh kufij apo pengesa,” shtoi ai, pa e sqaruar nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, por duke dhënë shenja të qarta se ndan kurs tjetër nga Taravari.

Sipas burimeve jozyrtare, Fetai do të përpiqet ta përfaqësojë Aleancën brenda VLEN-it bashkë me dy deputetë, ndërsa pas tij qëndrojnë edhe figura të tjera të rëndësishme që deri tani ishin aleatë të Taravarit.

Në takimin me Kurtin mori pjesë edhe ish-ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, i konsideruar si bashkëpunëtor i ngushtë i Taravarit, i cili ndërkohë ka deklaruar publikisht se qëndron në koalicionin VLEN dhe qeveri.

“Unë do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku në VLEN dhe në këtë Qeveri. Kjo Qeveri për herë të parë nisi seriozisht hapjen e institucioneve, luftën ndaj korrupsionit dhe ngriti zërin kundër strukturave të vjetra të BDI-së,” shkroi Aliu në një tjetër reagim publik.

Ai paralajmëroi se largimi pa plan mund të sjellë “rehabilitim të strukturave të vjetra” dhe ritheksoi se shqiptarët e rinj meritojnë një alternativë politike moderne, që e vendos vlerën dhe dijen mbi klientelizmin dhe kaosin e së kaluarës.

Ndërkaq, kryeministri Kurti konsiderohet si arkitekt i koalicionit VLEN dhe autoriteti i tij mbetet vendimtar për mbajtjen e kësaj aleance politike, që synon të transformohet në një subjekt unik në të ardhmen.

 

 

Të fundit