Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, mbrëmë nga Haraçina i bëri thirrje kryeministrit të sapozgjedhur, Kristian Mickoski, të sqarojë publikisht qëndrimet e tij për çështje që, sipas tij, rrezikojnë themelet e shtetit multietnik të Maqedonisë së Veriut, përcjell KDP.
Në një tubim përpara mbështetësve, përfaqësuesve institucionalë dhe familjeve të dëshmorëve, Ahmeti deklaroi se shqiptarët janë pjesë përbërëse e shtetformësisë dhe nuk do të lejojnë kthimin pas në kohë të diskriminimit.
“Shqiptarët janë mbi 30% e popullsisë, jetojnë në trojet e veta dhe janë pjesë e pandashme e këtij shteti. Ne nuk e marrim shtetin – ne e drejtojmë pjesën që na takon,” tha Ahmeti, duke hedhur poshtë, siç e cilësoi ai, narrativën frikësuese se shqiptarët po uzurpojnë pushtetin.
Në një adresim të drejtpërdrejtë ndaj Mickoskit, Ahmeti kërkoi përgjigje për ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Marrëveshjen e Ohrit, që garanton të drejtat kolektive të komunitetit shqiptar.
“Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhëve? Pse po e prek Marrëveshjen e Ohrit? Pse po e rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë?” pyeti Ahmeti.
Ai paralajmëroi se retorika për “shqiptarë të ndershëm” rikujton filozofinë e regjimeve të së kaluarës.
“Kush përdorte këtë gjuhë? Millosheviqi. Çdokush që sot e përdor këtë logjikë, ringjall ideologji që shqiptarët i kanë përballuar me gjak dhe sakrificë,” theksoi Ahmeti.
Duke përmendur arritjet e pasluftës, përfshirë universitetet dhe kuadrot profesionale shqiptare, ai tha se shqiptarët nuk do të kthehen më në “shërbëtorë në shtëpinë e tyre”.
“Koha e frikës dhe heshtjes ka përfunduar. Sot kemi të drejtën dhe fuqinë për të qenë partnerë të barabartë,” tha ai.
Ahmeti kundërshtoi çdo tendencë për shtet monoetnik dhe theksoi se bashkëjetesa nuk duhet rrezikuar nga asnjëra palë.
“Nuk ka më qeveri të njëetnike. Kush rrezikon bashkëjetesën nuk mund të jetë partneri ynë,” deklaroi ai.
Lideri i BDI-së bëri thirrje për paqe, integrim europian dhe rajon të bashkuar.
“Ne nuk kërkojmë shtete të mëdha kombëtare, por një Evropë të madhe dhe pa kufij, si Gjermania dhe Franca. Ballkani Perëndimor duhet të jetë i bashkuar në Bruksel,” tha Ahmeti.