E shtunë, 14 Qershor, 2025

VËZHGUESIT NDËRKOMBËTARË: PUSHTETI ABUZOI ME RESURSET, MEDIAT E KAPURA DHE PRESION NDAJ VOTUESVE

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin të mirëorganizuara dhe konkurruese, me autoritetet që për herë të parë mundësuan votimin nga diaspora, thanë të hënën vëzhguesit ndërkombëtarë. Por procesi u njollos nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore, presioni ndaj votuesve dhe kushte të pabarabarta që favorizuan partinë në pushtet, përcjell KDP.

Në një deklaratë të përbashkët, OSBE/ODIHR, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) dhe Parlamenti Europian theksuan se, ndonëse korniza ligjore dhe kapacitetet institucionale mundësuan administrimin teknik të votimit, mbeten probleme serioze që cënojnë barazinë në garë.

“Zgjedhjet u administruan mirë dhe treguan kapacitetin demokratik të Shqipërisë, por votuesit nuk patën mundësi për një garë të ndershme,” tha Farah Karimi, Koordinatore Speciale dhe udhëheqëse e misionit afatshkurtër të OSBE-së. “Fushata u mbizotërua nga sulme personale në vend të debateve për zgjidhje, duke thelluar mosbesimin e qytetarëve.”

Rreth 3.7 milionë shqiptarë ishin të regjistruar për të votuar, përfshirë gati 250,000 nga jashtë vendit. Përfshirja e diasporës dhe përdorimi i teknologjisë biometrike dhe votimit elektronik u vlerësuan si hapa përpara. Megjithatë, u raportuan raste presioni, ndërhyrjeje politike dhe shkelje të procedurave gjatë ditës së zgjedhjeve.

Simone Billi, udhëheqësi i delegacionit të PACE, përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së, si dhe votimin nga diaspora si një “moment historik”. Megjithatë, ai theksoi se nevojitet përmirësim i kulturës politike për të ndërtuar besim publik.

Mjedisi i fushatës ishte i polarizuar dhe konfrontues. Vëzhguesit evidentuan keqpërdorimin e burimeve shtetërore nga zyrtarët e lartë të qeverisë, të cilët shpesh ndërthurën aktivitetet zyrtare me mesazhe elektorale, duke promovuar projekte dhe përfitime sociale në mënyrë që i jepte avantazh partisë në pushtet.

Björn Söder, drejtues i delegacionit të OSBE-së, tha se ndërsa përfshirja e diasporës është pozitive, shumë rekomandime të mëparshme mbeten të pazbatuara. “Përputhja më e ngushtë me standardet demokratike ndërkombëtare është jetike për të forcuar besimin në procesin zgjedhor,” tha ai.

Liria e medias gjithashtu u vu në dyshim. Vëzhguesit raportuan financim jo-transparent, përqendrim pronësie dhe ndërhyrje redaksionale që çuan në autocensurë dhe mungesë informacioni të paanshëm për publikun. Monitorimi mediatik tregoi dominim të mbulimit nga dy partitë kryesore.

Michael Gahler, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, theksoi se angazhimi i Shqipërisë për integrimin në BE është konsensus i rrallë, por standardet demokratike duhet të respektohen në çdo fazë të procesit zgjedhor. “Zgjedhjet nuk janë vetëm një ditë pa probleme teknike,” tha ai. “Ato kërkojnë rregulla gjithëpërfshirëse dhe një fushatë të drejtë.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve trajtoi ankesat në mënyrë transparente, por interpretimi i ngushtë i rregullave për përdorimin e burimeve publike bëri që shumë shkelje të mos ndëshkoheshin. Ndërkohë, SPAK luajti një rol pozitiv në hetimin e korrupsionit elektoral, me përmirësim të bashkëpunimit institucional.

“Këto zgjedhje ishin të mirëmenaxhuara, por mjedisi i tyre u njollos nga presioni i gjerë ndaj votuesve dhe abuzimi me pushtetin shtetëror,” tha ambasadori Lamberto Zannier, që drejtoi misionin e vëzhgimit të ODIHR. “Kjo minon përparimin demokratik të Shqipërisë dhe mund të ndikojë negativisht në rrugën drejt objektivave afatgjata.”

Misioni ndërkombëtar përbëhej nga 365 vëzhgues nga 47 vende, përfshirë 238 ekspertë dhe vëzhgues afatgjatë të ODIHR, 97 përfaqësues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, 22 nga PACE dhe 12 nga Parlamenti Europian.

 

 

Të fundit