E shtunë, 14 Qershor, 2025

UKRAINA DHE POLITIKA LINDORE E TRUMPIT

Pavarësisht nëse kuptimin tuaj për botën e ndërtoni nga leximi i hartave dhe hartimit i strategjisë së madha, ose  nga leximi i Shekspirit dhe përsiatjet për dobësitë njerëzore dhe vlerësimet e gabuara, gjendja aktuale e punëve sinjalizon pa mëdyshje një gjë për Evropën. Periudha historike që nisi me ribashkimin e Gjermanisë, po përfundon me ndarjen e Ukrainës.

Shkruan: Ivanm Krastev*

Në librin e tij Mendja Tragjike (The Tragic Mind, 2023), strategu amerikan Robert Kaplan vëren se “kuptimi i ngjarjeve botërore fillon me hartat, kurse përfundon me Shekspirin”. Në shikim të parë është e vështirë të kuptohet se si leximi i hartave apo i Shekspirit do të ndihmonte për të shpjeguar faktin befasues se Amerika dhe Gjermania, kur është fjala për Rusinë, kanë ndërruar rolet.

Gatishmëria e presidentit amerikan Donald Trump për të njohur aneksimin e Krimesë, për të penguar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për të hequr sanksionet ndaj Moskës, duket si një version ushingtonas  i politikës gjermane të Ostpolitik – pra politikës së detantit të Gjermanisë Perëndimore ndaj gjysmës së saj lindore. Gjithë kjo po ndodh në momentin kur Berlini po riarmatohet përmes investimeve të mëdha në sektorin e vet të mbrojtjes, ndërsa Evropa ëndërron të bëhet një fuqi ushtarake serioze.

A është ndërrimi i roleve mes SHBA-së dhe Gjermanisë I njëmendët apo një lloj transformimi shekspirian që do të fashitet deri në fund të shfaqjes? Vlen të kihet parasysh se shumica e amerikanëve nuk e miraton qëndrimin e Trump-it ndaj luftës në Ukrainë, kurse vetëm një pakicë gjermanësh janë me të vërtetë të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre. A mund të jetë propozimi i Trump-it për paqe pak më shumë sesa vazhdimi i tretë i marrëveshjes nga Minski, pra një paqartësi e mbështjellë në mosbesim dhe e dënuar për dështim?

Nuk kemi arsye të dyshojmë se Trump është i sinqertë në vendosmërinë e tij për ta përfunduar këtë luftë. Edhe pse ai nënvlerëson në mënyrë drastike kapacitetin mbrojtës të Ukrainës, është fakt se një luftë e zgjatur do të ishte një katastrofë demografike për këtë vend. Ndoshta madje ai ka të drejtë edhe kur sugjeron se ata që angazhohen për sanksione plotësuese kundër Rusisë dhe për dërgimin e më shumë armëve për Kievin, nënvlerësojnë rrezikun e hyrjes së paqëllimshme në një luftë bërthamore.

Ajo ku Trump gabon është  se luftën në Ukrainë ai e kupton si një kontest para së gjithash territorial me rëndësi të vogël për botën jashtë Evropës. Nënvlerësimi i rëndësisë gjeostrategjike të këtij konflikti paraqet një shkëputje të konsiderueshme nga politika e administratës së mëparshme amerikane.

Është e mundur të imagjinohet Bideni se si është i gatshëm të ushtrojë presion mbi Ukrainën për të bërë lëshime territoriale, nëse kjo do të sillte paqen apo të paktën ngrirjen afatgjatë të konfliktit. Biden me shumë gjasë do të binte dakord me Trump-in se rikthimi i Krimesë në të ardhmen e afërt nuk është real. Dhe, mos harrojmë, Biden në fakt asnjëherë nuk ka planifikuar ta ftojë Ukrainën në NATO.

Mirëpo, ka një ndryshim thelbësor: Biden nuk do të pranonte njohjen e aneksimit të Krimesë si kusht për ndërprerjen e konfliktit. Liderët e tjerë e kuptojnë se krenaria kombëtare e Ukrainës është me rëndësi thelbësore, ndërsa ruajtja e ndjenjës së saj për një fitore morale është jetike si për mbijetesën e vendit, ashtu edhe për çdo arkitekturë të ardhshme të sigurisë së Evropës. Nëse do të kishte lexuar më shumë Shekspirin (do t’i propozoja të fillonte me dramat historike), Trumpi mbase do ta kuptonte se, edhe pse poshtërimi i Ukrainës mund të jetë mënyra më e shpejtë (dhe më e lirë) për ta ndalur luftën, kjo prapëseprapë ndoshta nuk do të sjellë paqen. Krenaria dhe sakrifica janë elemente ndërtuese të çdo kombi.

Duke lavdëruar Putinin, duke përvetësuar narrativën e tij për luftën dhe duke promovuar një marrëveshje paqeje si një dhuratë që eventualisht do të prezantohej në festimin e e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj, Trump shpreson ta shtyjë Rusinë drejt kompromisit.

Mirëpo, sinjalet më të fundit nga Moska tregojnë se Putini nuk synon kompromisin, por fitoren. Madje edhe nëse Trump arrin të ndalojë luftimet, një armëpushim i përkohshëm në mungesë të garancive të sigurisë rrezikon të shkaktojë konflikte të brendshme në Ukrainë, gjë që do të ishte baras me vetëvrasje, edhe për Kievin, edhe për aleatët evropianë të Ukrainës. Kjo mund të shkaktonte një valë të re migracionesh, duke rrezikuar stabilitetin politik të shoqërive evropiane dhe duke thelluar tensionet midis shteteve anëtare të BE-së. Do të zhdukej edhe ai besim  i luhatur i evropianëve në garancitë amewrikane për sigurinë.

Marrëveshja SHBA-Ukrainë për burimet minerale, e nënshkruar më 23 prill, mund t’i ndihmojë Trump-it të dalë nga kurthi që i ngriti vetes. Presidenti amerikan tani mund të shtojë presionin mbi Moskën me argumentin se çdo grabitje e mëtejshme territoriale do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Amerikës. Dhe, ndërsa Uashingtoni ndoshta ka humbur entuziazmin për të mbrojtur aleatët e tij demokratikë, ai mbetet i vendosur për të mbrojtur burimet e veta. Por sa i mundshëm është një skenar i tillë?

Mund të thuhet se politika lindore amerikane është rezultat i prioritetevetë ndryshueshme  gjeopolitike të Uashingtonit, por edhe një nga improvizimet e paparashikueshme të Trump-it. Kjo, gjithësesi ka të bëjë shumë më tepër me Kinën sesa me Evropën. Qëllimi i partneritetit të ri Moskë-Uashington, të krijuar për shkak të Ukrainës, është të dobësojë varësinë e Rusisë nga Pekini dhe të fitojë mbështetjen ruse për strategjinë amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Arktik –  e jo të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për Ukrainën.

Pavarësisht nëse kuptimin tuaj për botën e ndërtoni nga leximi i hartave dhe hartimit i strategjisë së madha, ose  nga leximi i Shekspirit dhe përsiatjet për dobësitë njerëzore dhe vlerësimet e gabuara, gjendja aktuale e punëve sinjalizon pa mëdyshje një gjë për Evropën. Periudha historike që nisi me ribashkimin e Gjermanisë, po përfundon me ndarjen e Ukrainës.

*Shkrimi është marrë nga Financial Times. Përktheu:kdp.mk

Të fundit