E shtunë, 14 Qershor, 2025

NORMALIZIMI I PUSHTETIT: SI E FITOI RAMA MADATIN E KATËRT?

Padyshim që mandati i tretë ishte më shumë se i tepërt për një demokraci. Ka një konsensus universal se mandati i tretë për liderët (por jo domosdoshmërisht për partitë) sjell dehje dhe arrogancë. Por opozita shqiptare në këtë dekadë të fundit politike ka pritur radhën për pushtet dhe ka shijuar zonën e komfortit. Diskursi i llojit “shteti është i kapur dhe pushteti nuk mund të ndryshohet me votë” ka qenë një alibi e opozitës, e cila në fakt ka dekurajuar votuesit të besojnë se përmes votës mund të ndryshohet pushteti – dhe se jetojmë në një stabilokraci.

Shkruan: Lorik Idrizi

Viti 2025 dhe Rama përsëri fiton – mandatin e katër si kryeministër, pas disa fitoreve të tjera si kryebashkiak. Fitorja e vazhdueshme e Edi Ramës në skenën politike shqiptare nuk mund të kuptohet vetëm përmes analizave elektorale klasike apo statistikore. Ajo duhet parë përmes thjerrëzave të teorisë së pushtetit të Michel Foucault, i cili argumenton se pushteti nuk është vetëm shtypës, por edhe prodhues i diskursit, i së vërtetës dhe i mënyrës se si shoqëria mendon për veten.

Duket se ata shqiptarë që kanë ngelur në Shqipëri, përfaqësimin adekuat e shohin tek Rama. Në dy mandatet e para, ai ishte shpresa e rikthimit – e rikthimit madhështor estetik dhe urban që komunizmi e kishte shkatërruar dhe që tranzicioni nuk ia dilte ta rikuperonte. Mandati i tretë, edhe pse i konsumuar nga disa skandale korruptive dhe me një opozitë që priste radhën, ishte një fitore tjetër. Mandati i katërt ishte një histori ndryshe: ishin zgjedhjet me më pak zjarr politik, entuziazmi ishte shumë i ulët për një vend mesdhetar si Shqipëria dhe fitorja e Ramës u perceptua si një normalitet. Beteja e kësaj radhe ishte më shumë për të parë kush do të pushtonte hapësirën opozitare për ta mundur Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

Padyshim që mandati i tretë ishte më shumë se i tepërt për një demokraci. Ka një konsensus universal se mandati i tretë për liderët (por jo domosdoshmërisht për partitë) sjell dehje dhe arrogancë. Por opozita shqiptare në këtë dekadë të fundit politike ka pritur radhën për pushtet dhe ka shijuar zonën e komfortit. Diskursi i llojit “shteti është i kapur dhe pushteti nuk mund të ndryshohet me votë” ka qenë një alibi e opozitës, e cila në fakt ka dekurajuar votuesit të besojnë se përmes votës mund të ndryshohet pushteti – dhe se jetojmë në një stabilokraci.

Kjo nuk duhej të ndodhte me opozitën, sepse në Kosovë kemi pasur shembullin e Vetëvendosjes, e cila nga një ide entuziaste arriti në një fitore plebishitare. Ajo nuk mundi vetëm opozitën, por edhe vetë idenë e sistemit elektoral që ishte krijuar për të ruajtur një balancë mes disa poleve politike. Dhe mos harrojmë: ajo arriti të mposhtte dy parti ikonike si LDK-ja, që përfaqësonte idenë e rezistencës paqësore, dhe PDK-në që kishte trashëgiminë e luftës së UÇK-së. Pa komentuar mëkatet politike apo ideologjinë e tyre, ajo – mbi të gjitha – arriti të imponohej me entuziazëm dhe me një frymë të vërtetë anti-establishment, të cilën fillimisht e besuan ata vetë, e më pas edhe të tjerët.

Duket se opozita në Shqipëri ka humbur çdo impuls shprese se mund ta ndryshojë pushtetin, dhe kjo energji reflektohet te votuesit që dëshirojnë ndryshimin.

Të fundit