Shoqëritë skajshmërisht të polarizuara vetëmjaftohen me militantizëm bjerrakohës. Shoqëritë e tilla pluskojnë në një lloj injorance agresive dhe hipokrizie të ftohtë e indiferente. Shoqëritë e tilla prodhojnë gjenerata të trishtuara, material të gatshëm për tullumbace autoritetesh që ngjiten drejt qiellit të zymtë të përsekutimeve të përjetshme. Shoqëritë që krijojnë një atmosferë të tillë, me krenari boshe dhe vetëcinizëm, shkojnë drejt humnerës së kaosit dhe e përjetojnë këtë gëzueshëm si parajsë!
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Ne vazhdimisht jemi në kërkim të përgjigjeve, në kërkim të kuptimit për shumë anomali, për shumë shfaqje që krijojnë kaos në kokën tonë. Jo njëherë pyesim veten, si ndodhi që tashmë jemi në këtë gjendje gati të pashpresë ndryshimi dhe progresi tash e tridhjetë vjet. Dhe, pyetjet ngulen si gozhda në kokat tona të turbulluara. Nuk ka një përgjigje përfundimtare dhe sigurisht nuk mund të ketë përgjigje dogmatike. Nuk ka një diagnozë përfundimtare, njësoj siç nuk ka një shqetësim uniform, një shqetësim të përgjithshëm.
Djerrina që shtrihet para nesh ka rrënjë të thella dhe secili ka kontribuar, qoftë me veprimin e tij, qoftë me indiferencën e tij. Ndërkohë që gjithandej kërkojmë faktorët e këtij shkretnimi, ne priremi që gishtin gjithmonë ta drejtojmë te tjetri, të një fajtor kujdestar që mund të jetë tërësisht abstrakt. Fajësojmë subjektet politike, pa kuptuar se ato janë projeksione të vetëdijës sonë, janë pjesë e mendësisë sonë. Fajësojmë kontekstet, pa kuptuar që ato përjetësisht nuk mund të na justifikojnë. Fajësojmë këdo, pa kuptuar se faji gjithnjë mbetet brenda nesh, brenda shfytyrimit tonë, që e lejuam të ndodhë ky shkretnim pa e diktuar, ose përmes lehtësisë së padurueshme të moskokëçarjes, që gjithnjë hapë humnerën përthithëse të qenies sonë.
Tashmë jemi në një fazë fajësimi të përgjithshëm, ankimi dhe vajtimi që jehonë në çdo pjesë të qenies sonë. Dhe kërkojmë shpëtim nga secili që na del përpara, nga secili që ka luajtur me fatin tonë. Ne harrojmë se gjithë fati ynë ka qenë në duar të gabuara, në mëshirën e atyre që nuk e njohin interesin e përgjithshëm, dinjitetin, integritetin dhe progresin si imperativ për një jetë më të mirë për të gjithë.
Në një situatë të këtillë gabimisht shpëtim kërkojmë nga varrëmihësit e fatit tonë, nga gjithë kallëpe njerëzish që ngjiten majave të pushtetit pa më të voglin kualitet brenda vetes së tyre, përveç aftësive oborrtare që tashmë janë shndërruar në formulë suksesi në shoqërinë tonë. Në shoqërinë që gjithnjë e më tepër po shfytyrohet dhe po katandiset në një gjendje mediokriteti të papërmirësushëm.
Tashmë dija dhe padija janë barazuar, ndërkohë që militantizmi ka zënë bashin e vendit. Llafazania ia ka zënë vendin përpjekjes së fisme, ndërsa manipulimi ka zëvendësuar integritetit njerëzor dhe profesional. Nuk ka më mes, paanësi, por ka diskurse të vrazhda mobilizimesh dhe përjashtimesh. Nuk ka më korrigjim dhe vetëkorrigjim, por ka ambicie për t’u ngjitur, për të qenë pjesë e fuqisë së pushtetit me çdo kusht.
Pamja duket e zymtë dhe tashmë duket gati e kotë që të konstatohet kjo zymtësi. Ne lëvizim me shumë ngërçe drejt vetëasgjësimit, pa e kuptuar se po e bëjmë një të tillë. Nganjëherë nuk kemi kohë edhe të ankohemi, sepse dallgat e jetës janë aq të mëdha dhe të kobshme saqë s’kemi kohë të mendojmë për organizimin tonë si shoqëri. Ne keqas po fragmentohemi dhe ndahemi, pa e kuptuar se edhe ai që mendon se del fitues në fakt del humbës. Ne të gjithë jemi humbës për sa kohë që mendojmë se po fitojmë.
Shoqëritë që ndodhen në këtë situatë përballen me zvetënimin e vazhdueshëm, me një rrënim të përhershëm të gjithë asaj që nënkupton sistemi i vlerave. “Sistemi i vlerave” tashmë është një sintagmë që përmendet nga gjithkush, pa e kuptuar gjer në fund kuptimin esencial.
Shoqëritë skajshmërisht të polarizuara vetëmjaftohen me militantizëm bjerrakohës. Ato krijojnë besime të verbëra në ideologji dhe thellojnë më tej ndasinë shterpe, duke rrafshuar përtokë çdo mendim ndryshe, çdo kreativitet. Shoqëritë e tilla nuk bëjnë pyetje, sepse kanë frikë dhe ndihen të trishtuara nga çdo pyetje, nga çdo dyshim. Shoqëritë e tilla prodhojnë “rebelime” kotësie, gjykime apriori, pa u futur në sistem verifikimi, në dije, në argumentime të logjikshme e shkencore. Shoqëritë e tilla pluskojnë në një lloj injorance agresive dhe hipokrizie të ftohtë e indiferente. Shoqëritë e tilla prodhojnë gjenerata të trishtueshme, material të gatshëm për tullumbace autoritetesh që ngjiten drejt qiellit të zymtë të përsekutimeve të përjetshme. Shoqëritë që krijojnë një atmosferë të tillë, me krenari boshe dhe vetëcinizëm, shkojnë drejt humnerës së kaosit dhe e përjetojnë këtë gëzueshëm si parajsë!