E diel, 18 Maj, 2025

PARTITË SHQIPTARE THONË SE JANË GATI PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njoftoi të dielën se kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke ftuar partitë shqiptare në qeveri që t’i nënshtrohen vullnetit të popullit. Koalicioni VLEN reagoi duke pranuar sfidën për zgjedhje të reja.

“BDI i drejtohet publikisht partive shqiptare në qeveri me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, ejani në zgjedhje. Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse t’i përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje!”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

BDI shtoi se kush është i sigurt në rrugën e tij nuk ka pse të frikësohet nga zgjedhjet.

“BDI nuk i frikësohet popullit. Ne e dëgjojmë, e respektojmë dhe besojmë tek ai. Nëse edhe ju e bëni të njëjtën gjë – ejani në zgjedhje. Ne jemi gati!”, theksohet më tej në reagim.

VLEN fillimisht akuzoi BDI-në se po tenton të mbulojë, siç thanë ata, të kaluarën e saj kriminale, por më vonë njoftoi se është i gatshëm për përballje në zgjedhje.

“Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që me paratë tona blenë qendrën tregtare Soravia – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që na helmonin me mazut kancerogjen – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që shpëtuan Gruevskin dhe Mijallkovin nga burgu – ejani në zgjedhje!”, reagoi VLEN.

VLEN theksoi se nuk ka frikë nga vullneti i qytetarëve dhe se populli kërkon përgjegjësi ndaj “hajdutëve”.

Ndërkohë, një anketë e MKD.mk ka treguar se partia VMRO-DPMNE ka rritur mbështetjen duke arritur në mbi 51%, gjë që mund të motivojë edhe këtë parti që është vendimtare që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Sipas anketës, Ali Ahmeti nga BDI mbetet politikani më popullor me 6,2 për qind mbështetje, megjithatë, në tërësi, rejtingu i liderëve të koalicionit VLEN – Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Taravari dhe Afrim Gashi – tejkalon atë të Ahmetit. Ndër këta liderë, Taravari ka mbështetjen më të madhe, ndërsa pritet të largohet nga koalicioni.

Sondazhi tregon gjithashtu se gati gjysma e të anketuarve nuk mundën të identifikojnë një lider të opozitës. Ndër ata që dhanë një përgjigje, më së shumti përmenden Venko Filipçe (LSDM), Ali Ahmeti (BDI) dhe Dimitar Apasievi (E Majta).

Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se LSDM ende nuk është distancuar nga funksionarët e përfshirë në skandale kriminale dhe korruptive.

Sondazhi gjithashtu evidenton një nivel të lartë gatishmërie për të votuar: rreth dy të tretat e të anketuarve deklaruan se do të dilnin në votime nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, megjithëse fushata për zgjedhjet lokale ende nuk ka nisur.

Nga ata që do të votonin, shumica thanë se do të mbështesin VMRO-DPMNE-në me mbi 51%, ndjekur nga koalicioni VLEN, BDI, LSDM, E Majta dhe ZNAM. Ende nuk është e qartë nëse ky disponim është i saktë dhe nëse do të merret për bazë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale, në tetor të këtiuj viti.

Të fundit