Parlamenti i Maqedonisë së Veriut mbetet stabil pavarësisht tensioneve dhe lëvizjeve brenda koalicionit VLEN, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (RFE/RL), përcjell KDP.mk. Ai theksoi se nuk sheh nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe pret që Kuvendi të funksionojë normalisht deri në fund të mandatit.
“Jam përpjekur të jem i distancuar nga zhvillimet e përditshme politike. Nuk shoh arsye për panik. Shumica parlamentare është shumë stabile, kemi afërsisht dy të tretat e votave. Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e deputetëve,” tha Gashi.
Ai shtoi se edhe pse zgjedhjet lokale po afrohen, ato nuk duhet të ndërlidhen me dinamikën politike në nivelin qendror. “Zgjedhjet lokale janë çështje të tjera – aty diskutohet për kanalizime, ndriçim rrugor, rrugë të pastra. Nuk duhet të përziejmë politikën e lartë me nevojat lokale të qytetarëve,” u shpreh ai.
Koalicioni VLEN dhe qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët
I pyetur për qëndrimin e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe të ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, lidhur me qëndrimin e tyre në qeveri, Gashi tha se kjo mbetet vendim i liderëve politikë të VLEN-it.
“Ka paralajmërime për konsolidim të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik. Si do të veprojnë Aleanca për Shqiptarët dhe zoti Taravari, do të jetë vendim i tyre. Unë nuk dua të paragjykoj. Megjithatë, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të ndikojë thelbësisht në politikat që po ndërtojmë në nivel qendror,” tha Gashi, duke theksuar se qytetarët kërkojnë stabilitet politik dhe kjo duhet të jetë prioritet për të gjithë.
Pse VLEN duhet të bëhet parti politike?
Sipas Gashit, konsolidimi i VLEN-it në një subjekt të vetëm politik është thelbësor për t’u ofruar qytetarëve siguri dhe parashikueshmëri. “Qytetarët duan stabilitet. Edhe nëse nuk e artikulojnë kështu, në ndërgjegjen e tyre kërkojnë siguri nga forcat politike që votojnë. Ne duhet të tregojmë se projekti i VLEN-it është afatgjatë, që mund t’u plotësojë nevojat,” theksoi ai.
I pyetur nëse pret që Ziadin Sela t’i bashkohet VLEN-it të unifikuar, Gashi tha: “Nuk mund të flas në emër të tij. Është vendim personal.”
Puna e Kuvendit dhe sfidat e perceptimit publik
Në lidhje me punën e Kuvendit, Gashi vlerësoi se ka përmirësime të ndjeshme në funksionalitet, efikasitet, transparencë dhe diplomaci parlamentare. “Në politikë dhe te qytetarët është shumë e rëndësishme perceptimi. Në 30 vitet e fundit është krijuar një perceptim negativ për Kuvendin dhe ky perceptim nuk ndryshohet lehtë. Por kemi hapur shumë kanale për të larguar këtë energji negative,” tha ai.
Gashi shtoi se synimi i tij është që deri në fund të mandatit qytetarët të ndjehen krenarë për institucionin më të lartë ligjvënës në vend.
Duke komentuar vendimin për të mos mbajtur një seancë komemorative pas tragjedisë në Koçan, Gashi theksoi se vendimi ishte i koordinuar midis të gjithë koordinatorëve parlamentarë. “Konsideruam që respektin më të madh do ta tregonim duke mos bërë politika me tragjedinë. Deputetët ishin të pranishëm në komemoracionet lokale dhe Kuvendi mbeti funksional,” sqaroi ai.
I pyetur për kritikat nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Koçanit, Gashi tha: “Opinioni publik nuk përfaqësohet nga një individ, një gazetar apo një parti politike.”
Qëndrimi për ndryshimet kushtetuese dhe rruga drejt BE-së
Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili kërkoi që Bullgaria të përmbushë obligimet para se të votohen ndryshimet kushtetuese, Gashi u tregua i kujdesshëm. “Të gjitha partitë shqiptare janë për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe nuk ka dilemë për këtë. Megjithatë, ne gjithmonë jemi treguar të kujdesshëm që në procese të ndjeshme si këto të qëndrojmë përkrah popullit maqedonas në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe historisë së tyre,” theksoi ai.
Sipas Gashit, ruajtja e marrëdhënieve ndëretnike është baza kryesore e stabilitetit të vendit dhe duhet mbrojtur në çdo moment, paralelisht me përpjekjet për integrim evropian.
Reformat dhe ligji për përfaqësimin e drejtë
Gashi tha se reformat sipas Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian po ecin me ritëm të shpejtë dhe se Maqedonia e Veriut është e para në rajon që ka përmbushur detyrimet e fazës së parë. “E kemi marrë tashmë këstin e parë të ndihmës nga BE, falë rezultateve konkrete,” deklaroi ai.
Në lidhje me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë, që pritet të zëvendësojë “balancerin”, Gashi theksoi: “Ka vullnet politik. Po punohet me kujdes për të mos pasur probleme me kushtetutshmërinë dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Jam shumë optimist se deri në fund të muajit ligji do të dorëzohet në Kuvend.”
Në fund, Gashi tha se procesi i digjitalizimit të Kuvendit ka nisur dhe është prioritet. Ai shtoi se konkursi për logon e re është pjesë e një vizioni më të gjerë për modernizimin e institucionit dhe përmirësimin e imazhit të tij publik.