E diel, 18 Maj, 2025

DEMOKRACIA NUK ËSHTË PAZARI I OPINIONËVE, POR NJË TEMPULL I PËRBALLJES ME IDE

Shkruan: Agron Shaqiri

Le ta fillojmë nga parimi: në teorinë moderne të qeverisjes, partitë politike përbëjnë jo vetëm shtyllën themelore të demokracisë përfaqësuese, por janë vetë instrumentet përmes të cilave sovraniteti popullor konkretizohet në qeverisje efektive. Pa parti të forta, të strukturuara rreth parimeve dhe doktrinave të qarta ideologjike – demokracia bie në kaos dhe fragmentarizim.

Ky është një fakt i padiskutueshëm që e ka dëshmuar gjithë historia politike nga Tocqueville tek Lipset, nga Sartori tek Dahl. Nëse partitë politike nuk ndërtohen mbi baza të qëndrueshme ideologjike – por mbi përfitime afatshkurtra, interesa klienteliste apo tribalizëm lokal – atëherë kemi të bëjmë me atë që politologët e quajnë “pseudo-demokraci”: një sistem formal që mban zgjedhje, por prodhon pushtet pa përgjegjësi. Në Maqedoninë e Veriut, shpesh është reduktuar pluralizmin politik në pluralitet ambicjesh personale. E kemi zëvendësuar debatin ideologjik me sharjen televizive. Kemi humbur ndjeshmërinë ndaj nocioneve themelore si ndarja e pushteteve, shteti i së drejtës apo drejtësia sociale – dhe i kemi kthyer partitë në karroca ku hipën kushdo që do të arrijë më shpejt tek pushteti, pa pasur idenë se ku po shkon dhe pse. Por edhe kur zhgënjehemi nga politika, nuk duhet të harrojmë një të vërtetë të madhe që çdo tekst i teorisë politike na e mëson: politika nuk është më e mirë se ata që e ushtrojnë, dhe partitë nuk janë më të mira se ata që i zgjedhin. Ky është rregulli i artë i përgjegjësisë demokratike. Sot, kur vendi im përballet me sfida ekzistenciale – nga pabarazia sociale e deri tek emigracioni masiv, nga mosbesimi në institucione deri tek përhapja e populizmit dhe nihilizmit politik – është detyrë e çdo partie të kthehet tek baza: ideja, vizioni, ideologjia. Sepse pa to, demokracia është vetëm një teatër pa skenar dhe pa kuptim. Prandaj, të gjitha partitë e bllokut politik shqiptar, qofshin në pushtet apo në opozitë, duhet ta kuptojnë se nëse nuk bëhen laboratorë të mendimit politik, ku përpunohen ide të mëdha për drejtësinë, zhvillimin dhe emancipimin qytetar – atëherë do të mbeten veçse spektatorë të rënies së rendit demokratik dhe ringjalljes së autoritarizmit të maskuar. Demokracia nuk është një dhuratë që na është bërë – ajo është një projekt që duhet ta ndërtojmë përditë. Me ide, jo me thashetheme. Me përgjegjësi, jo me demagogji. Me besim te qytetari, jo me frikë nga zgjedhja e tij. Sepse, nëse ne nuk ringjallim ideologjinë, do ta trashëgojmë injorancën. Dhe nëse ne nuk e forcojmë demokracinë, do ta legjitimojmë tiraninë. Zgjedhja është në duart tuaja. Por historia, si gjithmonë, do të flasë e para. Dhe do të gjykojë e fundit.

Të fundit