E diel, 18 Maj, 2025

ANKETA QË PARALAJMËRON ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME?!

Ekonomia, dhe jo më korrupsioni, shihet si problemi kryesor me të cilin përballet Maqedonia e Veriut, sipas sondazhit më të fundit të agjencisë Market Vision, realizuar për MKD.mk nga 20 marsi deri më 17 prill.

Sipas sondazhit, qytetarët shprehin shqetësim të madh për nivelin e të ardhurave dhe rritjen e çmimeve, ndërsa kriminaliteti dhe korrupsioni, që tradicionalisht ishin në krye të listës së problemeve, tani kalojnë në vend të dytë.

VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski mbeten në epërsi të dukshme në skenën politike. Mickoski gëzon besimin e 25,4 për qind të të anketuarve, shumë përpara Venko Filipçes së LSDM-së, i cili renditet i dyti me 3,8 për qind.

Në kampusin politik shqiptar, Ali Ahmeti nga BDI mbetet politikani më popullor me 6,2 për qind mbështetje, megjithatë, në tërësi, rejtingu i liderëve të koalicionit VLEN – Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Arben Taravari dhe Afrim Gashi – tejkalon atë të Ahmetit. Ndër këta liderë, Taravari ka mbështetjen më të madhe, ndërsa pritet të largohet nga koalicioni.

Sondazhi tregon gjithashtu se gati gjysma e të anketuarve nuk mundën të identifikojnë një lider të opozitës. Ndër ata që dhanë një përgjigje, më së shumti përmenden Venko Filipçe (LSDM), Ali Ahmeti (BDI) dhe Dimitar Apasievi (E Majta).

Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se LSDM ende nuk është distancuar nga funksionarët e përfshirë në skandale kriminale dhe korruptive.

Sondazhi gjithashtu evidenton një nivel të lartë gatishmërie për të votuar: rreth dy të tretat e të anketuarve deklaruan se do të dilnin në votime nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, megjithëse fushata për zgjedhjet lokale ende nuk ka nisur.

Nga ata që do të votonin, shumica thanë se do të mbështesin VMRO-DPMNE-në ME MBI 51%, ndjekur nga koalicioni VLEN, BDI, LSDM, E Majta dhe ZNAM. Ende nuk është e qartë nëse ky disponim është i saktë dhe nëse do të merret për bazë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato lokale, në tetor të këtiuj viti.

Anketa u realizua përmes metodës CATI – intervistim telefonik me ndihmën e kompjuterit – mbi një mostër prej 1.200 të anketuarish. Gabimi statistikor është 3 për qind, me interval besueshmërie 95 për qind. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë së Veriut, bazuar në regjion, gjini, moshë dhe përkatësi etnike sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021.

Të fundit