E shtunë, 24 Maj, 2025

TË PËRFUNDOJNË “LUFTËRAT E PAPËRFUNDUARA BALLKANIKE”?

Shkruan: Denko Maleski

Perëndimi dhe BE-ja, siç i kemi njohur deri më tani, nuk ekzistojnë më, deklaroi Ursula von der Leyen. Çfarë i ndodhi Perëndimit? Nga përgjigjja e saktë ndaj kësaj pyetjeje mund të varet edhe fati i shtetit tonë. Sepse gjeopolitika botërore e ndryshuar do të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor, luftërat e të cilit në vitet ’90 u emërtuan si “luftëra të papërfunduara”. Pikërisht, ato u ndërprenë me forcë nga ndërhyrja ushtarake amerikane që e mposhti Serbinë – me synimin, siç e shprehu së fundmi Bill Clinton, që t’u jepet kohë popujve të rajonit të shohin përfitimet e paqes dhe të vendosin për integrimin në zonën e demokracive evropiane që, siç dihet, nuk luftojnë mes veti.

Pasoi projekti i kushtueshëm amerikan-evropian për ruajtjen e multietnicitetit ballkanik brenda kufijve administrativë të ish-federatës, të cilët u shpallën ndërkombëtarë. Por momenti unipolar në politikën botërore mori fund. Ndryshimet dramatike në marrëdhëniet mes fuqive të mëdha që ndodhën në vitin 2017 me okupimin e Krimesë nga Rusia, më pas në vitin 2022 me pushtimin rus të Ukrainës së pavarur, bashkë me rritjen e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të Kinës dhe me paralajmërimin për tërheqjen e Amerikës nga lufta në Ukrainë – nuk mund të mos ndikojnë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Duhet të jemi të vetëdijshëm: ky ndryshim nuk na çon më tej nga luftërat e mëparshme, por na kthen pas në vitet nëntëdhjetë – madje, nëse nuk jemi tepër të kujdesshëm, drejt përfundimit të “luftërave të papërfunduara”. Mjafton vetëm që qendrat e fuqisë si Uashingtoni dhe Brukseli të heqin dorë nga Ballkani Perëndimor me arsyetimin se metodat evropiane nuk funksionojnë këtu, por ato ballkanike – dhe të kthehen kah prioritetet e tyre të reja. Amerika drejt Azisë, ku duhet të përballet me fuqinë në rritje ekonomike dhe ushtarake të Kinës, dhe Evropa drejt ndërtimit të strukturës së re të sigurisë së saj – me apo pa Amerikën.

Që Perëndimi siç e njohim nuk ekziston më, tregon edhe fakti që, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve amerikano-evropiane, Evropa e ka humbur statusin e prioritetit në politikën e jashtme të SHBA-së. Rezistenca e Rusisë ndaj sanksioneve ekonomike dhe armëve perëndimore në duart e ukrainasve të guximshëm, si dhe shantazhi rus me luftë bërthamore, e shkrinë vullnetin e shtetit më të fuqishëm në botë – Amerikës – për të vazhduar luftën në Ukrainë. Europa është braktisur nga miku dhe mbrojtësi i saj më i madh. Ajo e braktisi Ukrainën në mes të një lufte që vetë e nxiti, me qëllim që të dobësonte fuqinë rivale bërthamore.

Tani e kuptojmë se çfarë ka dashur të thotë Kissinger: “Të jesh armik i Amerikës nuk është mirë, por të jesh mik i saj mund të jetë fatal.” Të braktisur, ukrainasit dhe evropianët sot rropaten si peshq në të thatë, duke kërkuar një dalje pa aleatin kryesor dhe nismëtarin e konfliktit. Trump është i vendosur të rivendosë marrëdhëniet me Rusinë, pavarësisht pasojave për aleatët e djeshëm në luftën kundër fuqisë rivale. Madje më shumë se kaq: është në zhvillim ndarja e Ukrainës mes Amerikës dhe Rusisë. Shpëtimtari i njerëzimit nga një përplasje e mundshme bërthamore në një Luftë të Tretë Botërore, Donald Trump, tani kërkon të shpërblehet për mbështetjen amerikane për luftën në të cilën kanë humbur jetën miliona të rinj ukrainas – përmes një marrëveshjeje për “minerale të rralla”. Rusia e ka marrë tashmë shpërblimin – me aneksimin e katër rajoneve në Federatën Ruse, dhe më parë të Krimesë. E tmerrshme.

Dhe çfarë lexoj në portale e dëgjoj në ekranet televizive në Maqedoni sot? Një gjeneratë e re në pozita vendimmarrëse dhe me ndikim, sikur të mos kuptojë fare nga sa u tha më lart. Zgjidhjen e kërkojnë në forcimin e nacionalizmit maqedonas, duke e shpallur edhe periudhën e tre dekadave të fundit si “dekada të poshtërimit maqedonas”. Për fitore në zgjedhje dhe ruajtje të privilegjeve, e përbuzim veprën tonë – një shtet i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i OKB-së dhe jetë në paqe për tridhjetë e pesë vjet.

Kam përshtypjen se edhe vetë Goce Dellçev, po të kishte qenë ai që e futi Maqedoninë në OKB, nacionalistët maqedonas nuk do të shkonin në festën për këtë, për shkak të “FYROM”-it, e më pas “Veriut”. Sot ata përcjellin mesazhe se, është e vërtetë që Evropa dhe bota kanë ndryshuar – por edhe ne nuk do të mbetemi të njëjtë: ka ardhur fundi i “tridhjetë viteve të poshtërimit” të popullit maqedonas dhe se si shtet do të “tregojmë dhëmbët” në mbrojtje të dinjitetit tonë. Nuk do të ketë më lëshime për asgjë.

Nuk kanë pse të më besojnë për çdo fjalë të shkruar dhe të thënë se duhet të festohet suksesi i shtetit maqedonas, në një botë ku për mijëvjeçarë “të fortët bëjnë çka munden e të dobëtit çka duhet”, por nëse nga shembulli i Ukrainës nuk e kanë mësuar këtë mësim bazik të politikës ndërkombëtare – nuk kemi shpëtim prej tyre.

E mendoj me vete: a janë të vetëdijshëm për “luftërat e papërfunduara ballkanike” që mund të shpërthejnë sërish në një botë të shëmtuar “çdokush për vete”, plot dhunë dhe urrejtje? Dhe të mos jetë më Perëndimi për të na ndihmuar? /Libertas.mk

Të fundit