Shpopullimi nuk është triumf i lirisë së lëvizjes: Është një sinjal alarmant që tregon sfida politike, sociale dhe ekonomike. Kjo për shkak se po arrijmë në një pikë ku do të kemi më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune. Dhe, kjo do të thotë më pak investime të huaja. Transformimi kërkon kohë, por kërkon edhe ndershmëri, përqëndrim dhe vullnet për të bërë ndryshe! “Jo çdo gjë që përballohet mund të ndryshohet, por asgjë nuk mund të ndryshohet pa u përballuar,” – thoshte James Baldwin. Kjo është detyra që kemi përpara: të ndryshojmë realitetet kokëforta, sepse nëse i injorojmë, paraliza është e garantuar!
Autore: Majlinda BREGU*
Është kënaqësi të jem këtu, jo thjesht në një aktivitet universitar, por në një hapësirë të të menduarit. Sepse, sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë jo për tituj apo shtrëngime duarsh, por për ide. Ide të guximshme, të menduara, dhe shpeshherë të “papërshtatshme”.
Ashtu si procesi që të gjithë njohim: Transformimi
Tema e kësaj konference—“Transformimi i Ekonomive: Inovacioni, Qëndrueshmëria dhe Zhvillimi Ekonomik në Epokën e Integrimit Europian”—nuk mund të ishte më aktuale dhe më urgjente. Po përpiqem të ndalem në disa prej elementëve kryesorë.
“Pasuritë kryesore në të kaluarën ishin material -si minierat e arit apo fushat e grurit,” thotë Yuval Harari. Këto ishin pasuritë që mund të pushtoheshin me dhunë.
Sot, investimi më i mirë që mund të bëhet për të ardhmen është investimi që bën në vetvete.
Në gjysmëshekullin e fundit kemi parë një transformim të thellë ekonomik global. Vendet që dominonin ekonominë botërore në vitet ’70 kanë humbur gradualisht ndikimin, ndërsa ekonomitë në zhvillim janë ngritur me një ritëm të shpejtë.
Si?
Duke kaluar nga një ekonomi materiale në një ekonomi të bazuar në dije, dhe duke reaguar me shpejtësi ndaj sfidave si ndryshimet klimatike, modelet e reja të globalizimit dhe teknologjitë tronditëse.
Po parashtroj disa pyetje të parehatshme – jo për t’u përgjigjur këtu, por për t’u përballur me to. Janë pyetje që ia bëj vetes dhe besoj se duhet të jenë thelbësore në çdo agjendë zgjedhore, ekonomike dhe të zhvillimit.
Forumi Ekonomik Botëror ka publikuar listën e profesioneve që do të dominojnë tregun e punës në vitin 2030, duke lënë jashtë shumë profesione që ende përbëjnë shumicën e tregut të punës në Ballkan e në Shqipëri.
Më 2030, me shumë gjasa nuk do të ketë më nevojë për asistentë administrativë, sekretarë, arkivistë, nëpunës ligjorë, shoferë, punonjës postarë, etj. Gati të gjitha profesionet e reja do të bazohen në teknologjinë e informacionit.
Këtë e dimë tashmë, por pyetja ime është:
A jemi të përgatitur për këtë përmbysje në tregun e punës—ku aftësitë, jo titujt apo diplomat, po bëhen monedha kryesore e ekonomisë moderne?
Për shembull:
Vetëm 2.6% e të punësuarve në rajon janë specialistë IT;
Shpenzimet për kërkim dhe inovacion përbëjnë vetëm 0.4% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri ishin vetëm 0.08% në 2023 (OECD);
Shqipëria renditet e 21-ta nga 23 vende, në një vlerësim të përbërë nga katër dimensione: Talenti, Infrastruktura IT, Ndikimi Ekonomik dhe Mjedisi i Biznesit
Lista është e gjatë.
Nga reforma në arsim (kujtoni rezultatet e PISA-s), te riformimi I synuar digjital -sidomos për grupet më të rrezikuara nga zhvendosja e vendeve të punës; nga mbështetja për startup-e dhe sipërmarrje që tërheqin të rinjtë dhe ndalojnë emigrimin, te krijimi i skemave financiare për specialistët IT, përfshirë ata nga diaspora që duan të kthehen, jo thjesht për të votuar, por për të ndërtuar.
Këto nuk janë opsione. Janë nevoja thelbësore!
Pyetja e dytë është:
Në cilën të ardhme duam të hyjmë, jo si “mysafirë”, por si të barabartë?
Këtu, një pjesë e temës së Konferencës më tingëllon dhimbshëm, por e njohur: epoka e integrimit europian.
Të jemi të sinqertë: Kjo “epokë” ka zgjatur më shumë se disa perandori. Për Ballkanin, nuk është më një fazë kalimtare. Është kthyer në një gjendje të përhershme, në një botë që ka ndryshuar – rrënjësisht.
Ukraina po lufton një luftë që është edhe për të ardhmen e Europës.
SHBA-ja dhe BE-ja gati po hyjnë në një luftë tregtare.
Jugu Global po krijon aleanca të reja.
Dhe, Ballkani Perëndimor?
Rrezikon të mbetet një periferi pasive në një epokë kur të gjithë po krijojnë partneritete për mbijetesë.
Kam kaluar dy dekada duke u marrë me integrimin europian dhe marrëdhëniet mes vendeve. Kam parë nga afër se si zgjerimi është shndërruar nga një vizion bashkimi në një proces kompleks, i kontestuar. Sot, ky kompleksitet është shtuar nga sfidat e mbrojtjes dhe sigurisë. Lufta në Ukrainë, paqëndrueshmëria globale, nevoja për një Europë më autonome – e kanë kthyer zgjerimin në një imperativ strategjik.
Duhet të pyesim veten, bazuar në përvojë, jo në dëshira: Çfarë lloj zgjerimi apo partneriteti strategjik duam të ndërtojmë?
Çfarë përfitimesh praktike (bashkëpunim më i fortë në mbrojtje, siguri energjetike, qëndrueshmëri kibernetike) mund të realizojmë përmes integrimit më të thellë?
Dhe, më urgjentja: cilat janë rreziqet nëse ky proces ngec, duke e lënë rajonin tonë të cenueshëm dhe të pasigurt në një kohë kur nevojitet qartësi dhe unitet?
Europa nuk është një datë në calendar, është një model qeverisjeje, një grup vlerash, një disiplinë reformash!
Anëtarësimi në BE nuk është një trofe. Është një provim. Dhe nuk është provim për qeveritë, por për shoqëritë!
Anëtarësimi në BE, po, është një mundësi e jashtëzakonshme, nëse mbështetet në:
reforma të brendshme,
integrim të thelluar rajonal,
afrim ekonomik me BE-në përmes:
arsimit dhe aftësive për transformim ekonomik,
digjitalizimit si prioritet,
kohezionit social,
energjisë, mjedisit dhe shëndetësisë,
diasporës, migracionit dhe kthimit të trurit,
sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë!
Dhe, ashtu si me të gjitha të vërtetat e jetës, fjalët më domethënëse janë shpesh paradoksale: Qeverisja është një ekuilibër delikat mes udhëheqjes dhe institucioneve. Ndryshimi nis nga individët, por vetëm institucionet e forta sigurojnë që përparimi të jetë i qëndrueshëm.
Dhe, vjen pyetja e tretë:
A po ndërtojmë institucione që vërtet i shërbejnë njerëzve, apo ende mbështetemi shumë tek individët, dhe jo tek proceset?
Shembujt historikë tregojnë rreziqet e mbështetjes tek liderë autoritarë. Pa institucione të forta, vendet rrezikojnë të bien në destabilitet politik, rënie ekonomike dhe dobësim të kohezionit social.
Balkan Barometer, që komisionohet nga RCC (institucioni që drejtova për gjashtë vite), tregon një fakt të qëndrueshëm: institucionet më të pabesueshme janë partitë politike – me 74% mosbesim!
Ky zhgënjim politik nuk është unik për Ballkanin, por të kuptuarit e shkaqeve është vendimtar për legjitimitetin demokratik, qeverisjen e qëndrueshme dhe përparimin drejt BE-së.
Për të përfunduar:
Transformimi ekonomik kërkon njerëz, aftësi dhe institucione që nuk janë thjesht “të përshtatshëm për BE-në”, por që kanë besimin e qytetarëve. Kërkon përparim teknologjik, jo për të digjitalizuar burokracinë, por për të mbajtur të rinjtë në vend!
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është alternativë utopike. Është një këndvështrim realist.
Shpopullimi nuk është triumf i lirisë së lëvizjes. Është një sinjal alarmant që tregon sfida politike, sociale dhe ekonomike. Kjo për shkak se po arrijmë në një pikë ku do të kemi më shumë pensionistë sesa njerëz në moshë pune. Dhe, kjo do të thotë më pak investime të huaja.
Transformimi kërkon kohë, por kërkon edhe ndershmëri, përqëndrim dhe vullnet për të bërë ndryshe!
Mora më shumë kohë se sa planifikoja, por siç thoshte James Baldwin:
“Jo çdo gjë që përballohet mund të ndryshohet, por asgjë nuk mund të ndryshohet pa u përballuar.”
Kjo është detyra që kemi përpara: të ndryshojmë realitetet kokëforta, sepse nëse i injorojmë, paraliza është e garantuar!
*Autorja është ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal(RCC). Shkrimi, në fakt, është Fjala e saj mbajtur në Konferencën me temën “Transformimi i Ekonomive: Inovacioni, Qëndrueshmëria dhe Zhvillimi Ekonomik në Epokën e Integrimit Europian”, organizuar nga Universiteti Alekksandër Moisiu – Durrës.