Koalicioni opozitar shqiptar VLEN po përballet me një krizë serioze politike pas largimit të krahut të udhëhequr nga Arben Taravari, i cili vendosi të garojë në zgjedhjet lokale me lista të ndara nga pjesa tjetër e koalicionit. Analisti politik Xhelal Neziri e cilëson këtë ndarje si një zhvillim të dëmshëm për spektrin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk është lajm i mirë për shqiptarët që një koalicion si VLEN të shpërbëhet në këtë mënyrë. Krahu i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Taravari, krijoi një baraspeshë të nevojshme në skenën politike shqiptare. Tani, dalja e tij nga ky koalicion prish këtë ekuilibër, duke e dobësuar funksionimin politik dhe përfaqësimin e shqiptarëve,” tha Neziri për TVM2.
Ai paralajmëroi se përçarja brenda kampit opozitar shqiptar mund të ndikojë negativisht në përpjekjet për avancimin e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Ribashkimi me Selën më i natyrshëm se koalicioni me BDI-në
Sipas Nezirit, pas ndarjes nga VLEN, një rikthim i mundshëm i Taravarit në bashkëpunim me Ziadin Selën do të kishte më shumë logjikë politike sesa ndonjë koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), partinë që VLEN e ka sfiduar për një dekadë.
“Një bashkim mes Taravarit dhe Selës do të ishte më i natyrshëm dhe më afër logjikës politike. Nga ana tjetër, bashkëpunimi me BDI-në është thuajse i pamundur dhe do të ishte artificial, duke pasur parasysh betejën e gjatë politike mes tyre,” vlerësoi Neziri, duke shtuar se një bashkëpunim i mundshëm me BDI-në mund të ndodhë vetëm në disa komuna, dhe atë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Rikonstruimi i mundshëm i Qeverisë për shkak të krizës në VLEN
Neziri gjithashtu theksoi se kriza në koalicionin VLEN mund të sjellë pasoja edhe në nivelin qeveritar. Ai sugjeroi se përpara zgjedhjeve lokale mund të ketë një rikonstruim të Qeverisë, jo vetëm për shkak të pozicionit të paqartë të Aleancës për Shqiptarët, por edhe për shkak të performancës së dobët të disa ministrave të partive partnere në koalicionin qeverisës.
Kriza brenda VLEN-it shpërtheu pasi Aleanca për Shqiptarët njoftoi se do të garojë me lista të ndara në zgjedhjet lokale. Si reagim, liderët e tjerë të koalicionit – Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi – deklaruan se ky veprim përbën vetëpërjashtim nga koalicioni, dhe kërkuan largimin e ASH-së nga qeveria.
Ndërkohë, Taravari ka mohuar se është larguar nga VLEN dhe ka theksuar se mbetet i hapur për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Ai ka bërë të ditur se negociatat për hyrjen në Qeveri janë zhvilluar me mandatarin dhe nuk ka në plan të tërhiqet nga pjesëmarrja në kabinetin qeveritar.