Nga sot (18 prill), të gjitha marketet, barnatoret, si dhe dyqanet e teknikës dhe mobilieve në vend janë të detyruara të publikojnë çmimet e produkteve të tyre në faqet zyrtare të internetit, njofton KDP.mk. Ky obligim vjen si rezultat i ndryshimeve në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, të cilat hyjnë në fuqi sot, pas miratimit në Kuvend dhe publikimit në Gazetën Zyrtare më 4 mars.
Ministria e Ekonomisë, brenda afatit të paraparë prej 45 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, ka përgatitur udhëzimin që përcakton mënyrën e publikimit të çmimeve dhe të dhënave të tjera që duhet të jenë të qasshme për konsumatorët.
Sipas udhëzimit, të gjithë tregtarët – të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj – që ushtrojnë veprimtari të tregtisë me pakicë, janë të obliguar të shënojnë në mënyrë të qartë dhe të dukshme në faqet e tyre të internetit: çmimin aktual të shitjes, çmimin për njësi, si dhe çmimin promocional apo të zbritur për çdo produkt. Çdo ndryshim çmimi duhet të përditësohet çdo ditë pune deri në orën 10:00 të mëngjesit.
Çmimet e publikuara duhet të jenë të qasshme për të gjithë, pa pasur nevojë për regjistrim apo autentifikim shtesë. Në rast se ofrohen zbritje apo oferta promocionale, duhet të shënohet edhe çmimi i rregullt, përqindja apo shuma e zbritjes, si dhe kohëzgjatja e saj.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, paralajmëroi se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore nëse marketet nuk publikojnë çmimet në afat.
“Deri më tani nuk kemi marrë ndonjë informatë që ndonjë tregtar ka vështirësi me zbatimin e kësaj rregulloreje, por nëse kanë nevojë për ndihmë, jemi të gatshëm të bisedojmë,” deklaroi Durmishi në konferencën e djeshme për media.
Lista e çmimeve duhet të përmbajë këto të dhëna:
-
Emërtimi i produktit (marka tregtare, modeli, etj.)
-
Çmimi i shitjes me TVSH
-
Çmimi për njësi (kg, litër, metër)
-
Përshkrimi i produktit
-
Disponueshmëria në objektin e shitjes
-
Çmimi i rregullt me TVSH
-
Çmimi promovues apo i zbritur, i shprehur në përqindje
-
Lloji i promovimit (ofertë, paketë lojaliteti, zbritje sezonale)
-
Kohëzgjatja e promovimit ose zbritjes
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Ristovski, theksoi se ndryshimet në ligj synojnë të rrisin transparencën dhe konkurrencën në treg.
“Kjo do t’u mundësojë qytetarëve të vendosin vetë se ku do të blejnë. Bëhet fjalë për një model izraelit për kontrollin e çmimeve, i cili tashmë zbatohet në Izrael, Itali dhe Kroaci,” tha Ristovski.
Ai shtoi se një tjetër masë për kontrollin e çmimeve është edhe ndryshimi në Ligjin për kundërvajtje, i cili parasheh gjoba nga 500 deri në 10.000 euro, varësisht nga madhësia e tregtarit, si dhe masën e mbylljes së përkohshme të marketit deri në 15 ditë.