Nuk jam në gjendje të them nëse kjo dukuri e “thirrjeve zero” ndodh edhe në SHBA; jo vetëm që në shtëpi nuk kemi më land line, por edhe në telefonin celular unë u përgjigjem vetëm thirrjeve nga persona që kam të regjistruar në kontaktet – madje edhe këtyre jo gjithnjë. Thirrjet e tjera, që vijnë gjatë atyre pak orëve të ditës kur zilen e telefonit e mbaj të ndezur, i anuloj menjëherë: kush kërkon të lidhet me mua, e di si të më kontaktojë. Tek e fundit, shumica e këtyre thirrjeve bëhen nga robotë (robocalls), të programuar për të përcjellë një mesazh të para-regjistruar me natyrë marketingu, për promocione politike ose marifete të tjera – dhe që (ende) nuk mund të flasin lirisht, edhe po ta ngresh telefonin. Janë thirrje të programuara për të lënë mesazh në postën zanore (voicemail) – njëlloj si në atë anekdotën, që nuk e tregon Žižeku, për njërin që mori në telefon dhe, kur iu përgjigjën, kërkoi falje dhe tha se në fakt priste që t’i dilte “the voicemail”.
Vodka pa alkool dhe kafeja pa kafeinë, njëlloj si djathi pa yndyrë dhe bifteku pa mish, i përkasin universit të simulimit, të cilin njeriu e ka ndërtuar për të mos hequr dorë nga disa kënaqësi që, në realitet, do të vinin me “kërcënime” gjithfarësh. Këtu ndonjëherë përfshihen edhe marifete të tilla si preservativi, ose biçikleta stacionare dhe treadmill-i, syzet pa numër, dhe deri edhe simulatori i fluturimit, i cili të lejon marrësh qiejt pa rrezikuar popullin. Mbase këtu duhen futur edhe të ashtuquajturit skeuomorfë, ose anakronizmat e qëllimshëm në dizajn, nga qirinjtë elektrikë dhe veturat me panele vinili që simulojnë teksturën e drurit, lëkura artificiale (pleather), frutat plastike dhe lulet prej letre a prej pëlhure, linoleumi që duket si parket dërrase e kështu me radhë.
Skeuomorfet zakonisht lulëzojnë në periudha ndërrimesh të paradigmës teknologjike – siç është kjo e sotmja, sa i përket teknologjisë kompjuterike dhe virtualizimit. Për shembull, ndërfaqja grafike e një app-i për të mbajtur shënime në telefon mund të ketë pamjen e një blloku shënimesh me vija; ose një aplikacion për radio mund të duket si një aparat radio i viteve 1950. Edhe vetë butoni, si element i ndërfaqes, është skeuomorf. Shumë ikona kompjuterike janë skeuomorfe gjithashtu: për shembull ajo e emailit, që shpesh ka trajtën e një zarfi; ose ajo e regjistrimit të zërit, që ka trajtën e një mikrofoni; e kështu me radhë. Pena magnetike (digitizer), që unë përdor ndonjëherë për të mbajtur shënime me dorë në tabletë, ka formën, ngjyrat dhe dizajnin e një lapsi tradicional Staedtler.
Këto marifete të dizajnit nuk janë thjesht për estetikë dhe as për kënaqësinë e përdoruesit: roli i tyre kryesor është të ndërmjetësojnë për të futur, në jetën e përditshme, një teknologji relativisht të panjohur, si ajo kompjuterike (dixhitale); ose virtualitetin.
Lexuesit elektronikë të librit – si Amazon Kindle, por jo vetëm – janë të mbingarkuara me skeuomorfe; meqë marketuesit e tyre duan t’i kujtojnë lexuesit librin tradicional në çdo aspekt. Ato jo vetëm kanë formën dhe peshën e një libri të vogël; por edhe tregojnë imazhin e kopertinës së librit. App-i Kindle për Android ka një efekt vizual të shfletimit që i ngjan shumë shfletimit të një libri real (nëpërmjet animacionit, faqja virtuale përthyhet dhe lakohet kur gishti yt prek ekranin, si të ishte faqe reale). Nëse kërkon që ta mbash mend një faqe për çfarëdo arsyeje, mund të përdorësh një “faqeshënjues” (bookmark) që ka trajtën e një fiongoje të vogël, me dhëmbëzim. App-i gjithashtu të lejon ta shfletosh librin me gisht, nëpërmjet një gjesti të njëjtë me atë të shfletimit të një libri real.
Edhe telefoni celular smartphone – qoftë ky Apple apo Samsung – vjen plot skeuomorfe, që nga ikona e thirrjeve, që i ngjan receptorit të një telefoni të dikurshëm me disk, te sinjali i ziles (ringtone) dhe sinjali i thirrjes që dëgjojmë në vesh, kur i telefonojmë dikujt. Skeuomorf është zhurma klikuese që lëshon telefoni, sa herë që shkrepet një fotografi, në imitim të kamerave tradicionale, ku shkrepja kërkonte lëvizjen e pjesëve mekanike dhe sustave. E megjithatë, sot vijnë duke u shtuar opsionet dhe funksionalitetet e celularit që nuk kanë të bëjnë me thirrjen si të tillë, dhe kontaktin verbal me tjetrin, që nga videolojërat, te mundësia për të parë video ose programe televizive, te mundësia për të shfletuar uebin dhe rrjetet sociale dhe për të shkruar – emaile, komente dhe, po të dojë njeriu, edhe letërsi; dhe pastaj pena me të cilën mund të vizatosh, dhe mundësia për të ruajtur dhe për të dëgjuar muzikë, podkaste dhe audiolibra; ose programe të radios; ose për të blerë gjëra në dyqane a për të spekuluar në bursë drejtpërsërdrejti, ose për të marrë të dhëna për motin dhe për trafikun, ose për t’u kujtuar që të paguash një faturë a t’i dërgosh gjyshes lule për datëlindjen, ose për të paguar për hyrjen në metro dhe për të gjetur rrugën në një qytet ose për të përgjuar beben natën ose për të mbyllur grilat e shtëpisë dhe për të ndezur AC-në kur je akoma në punë ose për t’u orientuar kur je në timon dhe për të matur pulsin, numrin e hapave gjatë ditës, nivelin e antioksiduesve në lëkurë, e kushedi çfarë tjetër.
Në rastin tim, e çuditshmja është që të gjitha këto mund t’i bëj nëpërmjet një pajisjeje elektronike që, për inerci, e quajnë ende telefon – duke qenë telefoni, përndryshe, një aparat që, me përkufizim, përdoret për të folur me dikë në distancë dhe për ta dëgjuar. Tamam si kafeja pa kafeinë, birra pa alkool dhe biskota pa sheqer: ose mishërim i inercisë dhe i rezistencës së sendeve dhe emrave përkatës ndaj delirit tonë teknologjik. javanew.al